Lajmet e fundit
Me rastin e shpërthimeve tragjike në Boston të Amerikës
E Marte, 16.04.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, e ka ngushëlluar sot kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, z. John A. Boehner, me rastin e shpërthimeve me pasoja tragjike gjatë maratonës në Boston.
Në telegramin e kryeparlamentarit Krasniqi thuhet:
"I nderuar Zoti John A. Boehner,
Me hidhërim dhe indinjatë të thellë mësuam lajmin për shpërthimet tragjike gjatë maratonës së djeshme në Boston që morën jetët e disa qytetarëve dhe lanë të plagosur dhjetëra të tjerë.
Duke marrë pjesë në këtë dhembje që nuk i përket vetëm Bostonit e Amerikës, por të gjithë botës, në emër të Kuvendit dhe të popullit të Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh Juve shkëlqesi, familjeve të viktimave dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhembjen e thellë dhe ngushëllimet e sinqerta ndërsa të lënduarve ju urojmë shërim sa më të shpejtë.
Nëpërmjet kësaj letre dua t'ju siguroj se institucionet dhe populli i Kosovës e kanë përjetuar rëndë këtë ngjarje tragjike dhe e dënojnë fuqishëm këtë akt të dhunshëm dhe të shëmtuar.
Ju lutem Shkëlqesi, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë".