Lajmet e fundit
Nga Komisioni për Bujqësi ...
E Hënë, 15.04.2013
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, kryesuar nga Nait Hasani, u shqyrtua Raporti vjetor i Zyrës Rregullatore për Ujë dhe Kanalizim (ZRRUK) për vitin 2012.
Drejtori i ZRRUK-së Raif Preteni, duke folur para anëtarëve të Komisionit, fillimisht vuri në spikamë se të dhënat e Raportit nuk janë të audituara, por do të auditohen në prillin e këtij viti.
Për sa i përket sukseseve të ZRRUK-ut, ai nënvizoi mbulueshmërinë me shërbime të ujësjellësit dhe në shërbime të kanalizimit. Derisa në shërbimet e ujësjellësit është arritur mbulueshmëria deri në 78%, mbulueshmëria me shërbimet e kanalizimit ka arritur të jetë vetëm në 56%, njoftoi Preteni. Duke iu referuar të dhënave të këtij Raporti, Preteni njoftoi se gjatë vitit 2012 janë prodhuar dhe shpërndarë tek konsumatori mbi 138 milion metra kubë ujë të pijshëm. Gjatë këtij viti, tha në vijim ai, janë faturuar rreth 58 milion metra kubë ujë. Ai njoftoi edhe për arkëtimin e ujit të konsumuar, për performancën individuale të kompanive rajonale të ujësjellësve, ujin e pafaturuar dhe për pajisjen e konsumatorëve me ujëmatës.
Duke folur për sfidat që i përcjellin, Preteni vuri në dukje inkasimin e ulët për shërbimet që ata ofrojnë.
"Ndonëse shkalla e arkëtimit në raport me faturimin në nivel të sektorit në vitin 2012 ka arritur të jetë 70%, apo 1% më e lartë se sa në vitin 2011, vlerësojmë se arkëtimi ende nuk është në nivel të kënaqshëm", tha Preteni. Sipas drejtorit të ZRRUK-së Preteni, shqetësuese edhe më tej vazhdon të mbetet shkalla e lartë e humbjes së ujit, e cila arrin deri në 60%. Ky nivel i humbjes së ujit, bën që Kosova të jetë me shkallën më të lartë të humbjes së ujit në rajon, kur kihet parasysh se humbjet e pranueshme sipas standardeve të BE-së janë të tolerueshme deri në 15%, tha ai.
Në vijim, drejtori i ZRRUK-ës, iu përgjigj pyetjeve që shtruan anëtarët e Komisionit.
Pas debatit, Komisioni vendosi të miratojë këtë Raport së bashku me rekomandimet që përmbante.
Komisioni shqyrtoi dhe miratoi edhe Projektligjin për Blegtori.