Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Hënë, 15.04.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, kryesuar nga kryetari Arben Gashi, u shqyrtua propozimi i Gjykatës Supreme të Kosovës për riemërimin e anëtarit në Komisionin për kërkesa pronësore. Me këtë rast anëtarët e komisionit përkrahën propozimin që Adem Vokshi të riemërohet edhe për mandatin e ardhshëm anëtar i bordit në KKP.
Më tej, mbështetjen e anëtarëve të komisionit e morën edhe raporti me amendamente i Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04-L-177 për Dërgimin e Forcës se Sigurisë se Kosoves jashtë vendit, si dhe raportet e komisioneve për projektligjin për provimin e jurisprudencës. Ndërkaq, në parim u përkrah edhe projektligji për Avokaturën.
Anëtarët e komisionit u dakorduan që të hiqet nga rendi i ditës raporti me amendamente i Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L- 131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, si dhe Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të pronës.
Me këtë rast u theksua se ky projektligj është kundër kushtetues dhe se duhet t'i kthehet qeverisë, e jo të formohet grupi i punës së komisionit.
Krejtësisht në fund, anëtarët e komisionit sa i përket raportit me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L-134 për shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës në bashkëpronësi, vlerësuan se ligji nuk ka bazë juridike për procedim të mëtejmë, meqë është në kundërshtim me ligjet tjera në fuqi. Ky raport i kthehet komisionit funksional me rekomandimin që në mbledhjen e Kuvendit të mos përkrahen amendamentet e këtij projektligji.