Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në manifestimin përkujtimor të komunës së Istogut
E Premte, 12.04.2013
Në shënimin e Ditës së Dëshmorëve të Kombit, të komunës së Istogut, organizuar nën patronatin e kryetarit të kësaj komune, mori pjesë edhe kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës , dr. Jakup Krasniqi.
Jemi ardhur të nderojmë dëshmorët e rënë dhe familjarët e dëshmorëve, sepse kemi obligim njerëzor, jo vetëm në këto raste, për të kujtuar rrugën nëpër të cilën kemi ecur, tha në fillim të paraqitjes së tij, kryeparlamentari Krasniqi.
Ai tutje shtoi: " Brezat nuk kursyen asgjë për vendin e vet, për lirinë dhe drejtësinë shoqërore. Brezat e më hershëm nuk u flijuan për privilegje, por për ndërtimin e një shoqërie ku sundon Ligji". Duke bërë thirrje për ndërtimin e një shoqërie me mundësi të barabarta, kreu i Kuvendit u shpreh: "Brezat kanë luftuar për shtet të drejtë dhe të ligjshëm, kanë luftuar për demokraci, për mundësi të barabarta për të jetuar, shkolluar dhe për ta ngritur familjen e vetë dhe kombin. Ky ka qenë dhe ka mbetur ideali i luftëtarëve të lirisë, i cili na ka sjellur sot këtu"
Me këtë rast, kryeparlamentari Krasniqi së bashku me nënkryetarin e Kuvendit, Xhavit Haliti, vunë kurorë lulesh pranë lapidarit të 53 dëshmorëve të kësaj komune.