Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Premte, 12.04.2013
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi Safete Hadërgjonaj, kryetare, ka shqyrtuar dy projektligje, dy raporte vjetore financiare, si dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, për vitet 2014 - 2016.
Komisioni shqyrtoi Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, me amendamentet e komisionit funksional dhe konstatoi se disa nga amendamentet e propozuara bartin implikime shtesë buxhetore.
Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq dhe zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, vlerësuan gjithashtu, se amendamentet e propozuara rrisin koston buxhetore dhe rrezikojnë zbatimin e ligjit në praktikë.
Pas një debati ndërmjet anëtarëve të komisionit nga pozita dhe opozita lidhur me përmbajtjen e tyre, komisioni rekomandoi ndryshimin, gjegjësisht heqjen e disa prej amendamenteve të propozuara nga komisioni funksional dhe raportin me rekomandime e procedoi tutje.
Komisioni përkrahu, gjithashtu, edhe rekomandimet e grupit punues për Projektligjin për odat e profesionistëve shëndetësorë dhe amendamentet e komisionit funksional.
Në vazhdim, përfaqësuesit e Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) dhe ata të Agjencisë Kosovare të Pronës (AKP), paraqiten raportet financiare për vitin 2012. Drejtori i AAC-së, Dritan Gjonbalaj dhe ai i AKP-së, Marian Nieora, paraqitën të dhëna lidhur me shpenzimet buxhetore të këtyre agjencioneve dhe iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve përkitazi me përmbajtjen e këtyre raporteve.
Pas diskutimeve, komisioni i përkrahu raportet paraqitura dhe i rekomandoi seancës miratimin e tyre.
Komisioni vijoi me shqyrtimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit për vitet 2014 - 2016, të cilën, para deputetëve e prezantoi Sekretari i Përgjithshëm, Ismet Krasniqi. Duke e arsyetuar përmbajtjen e Kornizës, sekretari Krasniqi paraqiti hollësi dhe iu përgjigj interesimit të deputetëve për segmente të caktuara të saj.
Komisioni përkrahu Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit dhe i rekomandoi Kryesisë miratimin e saj.