Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

E Premte, 12.04.2013




Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari Ahmet Isufi, u diskutua lidhur me situatën aktuale të sigurisë në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast, Ahmet Isufi, tha se siguria në Kosovë është e brishtë, për shkak të mospranimit të marrëveshjes së dialogut Kosovë-Serbi. Mospranimi i marrëveshjes i obligon institucionet tona të sigurisë që të jenë në nivel të detyrës së dhe marrje përgjegjësish rreth situatës së sigurisë, sepse sa herë kemi pasur obstrektuvitet në çështjet politike që kanë pasur të bëjnë me Serbinë, për Kosovën ka pasur tendenca destabilizimi. "Konsideroj se obligim i delegacionit të Kosovës është që të mbajë qëndrimin ne bazë të ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Delegacioni i Kosovës duhet të jetë këmbëngulës që Serbia të heqë dorë nga territori i Kosovës, në mënyrë që jeta e qytetarëve të Kosovës të zhvillohet normalisht", tha Isufi.

Gjatë këtij takimi u theksua se mekanizmat e sigurisë duhet të ndërmarrin masa në ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe mbajtjen e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Nënkryetari i Komisionit, Rexhep Selimi, tha se për fat të keq nuk është më risi që situata e sigurisë në vend është e keqe dhe tensionuar. Duke theksuar disa nga faktorët kryesorë që e përkeqësojnë situatën e sigurisë në Kosovë, tha se brenda kufirit të Kosovës vazhdon të mbetet Serbia dhe jo vetëm në pjesën që tashmë e kontrollon qeveria, por edhe në pjesët tjera të kufirit, duke e ilustruar këtë me arrestimin e dy shqiptarëve nga xhandarmëria serbe. "Strukturat ilegale të sigurisë se Serbisë në Kosovë vazhdojnë të mbajnë situatën të ndërlikuar e të tensionuar.

Krimi i organizuar vazhdon të përkeqësojë situatën e sigurisë në Kosovë. Këtë e mundëson keq-menaxhimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme", tha Selimi duke theksuar faktin se njëri ndër hapat drejt përmirësimit të situatës së sigurisë do të ishte shkarkimi i ministrit Rexhepi.

Anëtari i komisionit, Anton Çuni, tha se komisioni duhet t'ia rikujtojë delegacionit të Kosovës Marrëveshjen e Kumanovës së vitit 1999, e cila parasheh që Serbia t'i largojë të gjitha strukturat e saj nga Kosova. Ndërsa, anëtari i komisionit Fatmir Xhelili, vlerësoi se situata në vend nuk është e rrezikshme, por është stabile. Duke përmendur se ka pasur incidente të kohëpaskohshme ai tha se këto kanë qenë të parashikueshme për këtë periudhë kohore të zhvillimit të negociatave.

Xhelili theksoi se komisioni fillimisht duhet të marrë raport prej organeve zyrtare për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe të pritet edhe një kohë, meqë janë duke u zhvilluar negociatat.
Ndërsa, Goran Marinkoviq, duke folur për procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi tha se bisedimet duhet të zhvillohen dhe se kompromisi është i nevojshëm.

Ahmet Isufi tha se institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme në zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës. "Kërkesa jonë është që pala kosovare t'i referohet ligjit dhe zbatimit të Kushtetutës së Kosovës", tha Isufi.

Më tej anëtarët e Komisionit diskutuan edhe lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit Nr. 03/L-036 për Inspektoratin Policor të Kosovës. Me këtë rast u theksua se brenda muajit prill duhet të përfundojë ky proces.

Po ashtu, kryetari i komisionit Ahmet Isufi, njoftoi anëtarët e komisionit lidhur me vizitën e tij në Bruksel në bazën e NATO-së. Me këtë rast ai theksoi se ka pasur biseda për misionin e FSK-ë dhe vlerësime të mira për FSK-në.

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së