Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 11.04.2013




Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, (një pjesë u udhëhoq nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit) pas përfundimit të pikave të përhershme të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, deputetët përkrahën Projektligjin për turizmin, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për inspektoratin dhe mbikëqyrjen e tregut.

Në debatin parlamentar lidhur me statusin e pazgjidhur të punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në vitin shkollor 1999, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së dhe rekomandimeve të komisioneve parlamentare, Ismet Beqiri, duke folur në cilësinë e propozuesit të çështjes, tha se është nder i veçantë që sot në Kuvendin e Kosovës po zhvillohet debat parlamentar për arsimin shqip të viteve 90-ta, debat për punën e madhe, kolosale, të armatës së tërë të arsimtarëve tanë, prindërve, nxënësve të atyre viteve të vuajtjes, dhimbjes, sakrificës.

"Organizimi dhe veprimi aktiv për rezistencë kolektive dhe institucionale kundër pushtetit okupues të Serbisë dhe për të bërë shtet Kosovën në harmoni me dëshirën e popullit që nga viti 1990 - 1999 ka qenë veprimtaria dhe puna e mësimdhënësve dhe e të punësuarve tjerë në lëmin e arsimit dhe të edukimit, me të cilin organizim ruajtën kontinuitetin e shkollës shqipe dhe krijuan sistemin e pavarur arsimor.

Qysh në vitin 1990, mësimdhënësit dhe veprimtarët tjerë të arsimit, organeve të instaluara të Serbisë në Kosovë me deklarata gojore dhe të shkruara u thanë JO!, "nuk do të punojmë me ligje dhe plan-programe mësimore të shtetit serb, por do të punojmë me ligje dhe plan-programe mësimore të Republikës së Kosovës". Dhe, për të thyer këtë vendosmëri, policia dhe shërbimi sekret serb, mori me orë dhe me ditë tëra në të ashtuquajtura biseda informative mbi 90 për qind të mësimdhënësve, burgosi dhe rrahu shumë prej tyre e që sot e ato ditë kanë mbetur invalid. Nxjerrja e mësueseve me dhunë nga ora mësimore dhe dërgimi i tyre në stacionet policore nën përcjelljen e personave të armatosur dhe kërcënimin me likuidim fizik të tyre dhe të familjeve e ata nuk nënshkruanin deklarata të tilla nënçmuese. Për veprimtarinë e tyre në arsimin e pavarur shqiptarë shumë mësimdhënës dhe veprimtarë të arsimit ishin dënuar për kundërvajtje më të holla, që në vitin shkollor 1990/91", tha Beqiri duke përmendur faktin se policia, përveç mësimdhënësve rrahte, burgoste, por edhe vriste edhe nxënës, studentë dhe prind të tyre.

Ai më tej tha se gjendja e krijuar në arsimin shqip, mobilizoi qytetarët e Kosovës, mësimdhënësit, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Institucionet e Republikës së Kosovës, të dala nga zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale të vitit 1992.

Më tej Beqiri shtoi se organizimi dhe puna institucionale e shkollave shqipe është bërë në harmoni me Deklaratën Kushtetuese, përkatësisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 shtatorit 1990, në bazë të të cilave akte juridike ishin nxjerrë dekretligjet për arsimin fillor e të mesëm dhe për arsimin e lartë, me të cilat ishte krijuar baza ligjore për nxjerrjen e akteve tjera nënligjore si të plan-programeve mësimore dhe të rregullatives tjetër për punën institucionale të shkollave në kushte të okupimit klasik. Rregullativa e përpiluar dhe e zbatuar në sistemin e pavarur arsimor shqiptar ka qenë shumë funksionale dhe zbatohej nga institucionet arsimore më përpikëri.

Puna e shkollave shqipe ishte nxitëse për internacionalizimin, përkatësisht interesimin e shteteve të mëdha për zgjidhjen e statusit juridik të Kosovës.

Bisedat e para shqiptaro-serbe nën ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve janë zhvilluar pikërisht për arsimin, tha Beqiri, duke shtuar se në shtator të vitit 1991 sistemi arsimor shqiptar është pezulluar, duke përmendur shtëpitë private të cilat ishin shëndruar në shkolla. Ndërsa, sqaroi se asokohe në burg gjendeshin 50 arsimtarë e nxënës. "Përkundër vështirësive të mëdha në Kosovë ka më se 320 mijë nxënës shqiptarë në arsimin fillor, 65 mijë në arsimin e mesëm dhe 25 mijë studentë që mësojnë të përjashtuar nga sistemi financiar shtetëror dhe jashtë objekteve shkollore, përkundër 9 mijë serbëve që janë në sistemin e financimit shtetëror dhe punojnë në objekte shkollore. Mësimdhënësit rreth dy vite punuan pa paga, kurse nga 1 prilli 1992 morën pagë nga 20 DM në muaj, e cila pagë në vitin 1998 arriti shumën 150 DM, , por për çudi sot nuk iu pranohet stazhi i punës, krahasuar me atë të para viteve 1990. Kështu me rastin e pensionimit stazhi po u pranohet vetëm atyre që kanë punuar së paku 15 vite në organizatat e ish Jugosllavisë ose Serbisë, prandaj me rastin e pensionimit shumica e mësimdhënësve marrin vetëm pensionin e pleqërisë nga 50 euro në muaj në vend që të marrin pensionin nacional, të cilin e meritojnë.

Ai tha se shkollat shqipe ishin të vetmet institucione, të cilat me punën e tyre i konkretizuan kërkesat për të drejtën e qytetarëve tanë për shtet të pavarur. "Veprimtaria e arsimit krijoi edhe terren të volitshëm për krijimin dhe veprimin e UÇK-së, në radhët e të cilës u rreshtuan shumë nxënës, studentë dhe mësimdhënës e që me qindra ranë edhe në fushat e betejave. Pjesë e sistemit arsimor të viteve 1990 kanë qenë edhe shume deputetë të këtij Parlamenti si nxënës, student, mësimdhënës ose veprimtarë tjerë. Kështu për shembull kryetari i Kuvendit z. Jakup Krasniqi ka qenë mësimdhënës, zëvendësdrejtor shkolle, kryetar i Këshillit komunal të Financimit, përkatësisht të Arsimit për komunën e Gllogovcit dhe deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës 1992-1998, , Akademik Sabri Hamiti ka qenë profesor Universiteti, përpilues plan-programesh e tekstesh të përbashkëta Kosovë- Shqipëri dhe deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës që nga viti 1992, Po ashtu edhe të tjerët besoj se ishin pjesë e atij sistemi, prandaj është për t'u habitur se si institucionet komunale dhe gjyqësore që kryejnë shërbime të noterisë që nga viti 2000 e deri më tash nuk e kryejnë noterimin e dokumenteve; dëftesave dhe diplomave të viteve 1992-1999, me preambulë të Republikës së Kosovës, të cilat në sfond kishin shqiponjën dykrenore", tha deputeti Beqiri.

Ai më tej shtoi se tek mësimdhënësit e asaj periudhe (1990-1999) ka lindur dyshimi se organet legjislative të Republikës së Kosovës nuk e pranojnë validitetin e sistemit arsimor të asaj kohe (1990-1999), sepse po ta kishin pranuar do ta kishin njohur stazhin e punës dhe punën e atyre arsimtarëve do ta shpërblenin në mënyrë të dinjitetshme e nuk do t'i lënin me pensione prej 50, përkatësisht 112 eurove.

Krejtësisht në fund, ai paraqiti tri rekomandime të grupit parlamentar të LDK-së. "1. Të nxirret ligji i veçantë për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99,në bazë të të cilit ligj,statusi i tyre barazohet me statusin e personave të merituar në formimin dhe ndërtimin e shtetit të Republikës së Kosovës. 2. Ky ligj të përfshijë në mes tjerash,rregullimin e statusit të: mësimdhënësve; personelit udhëheqës dhe personelit tjetër të punësuar në shkolla-universitet; të punësuarve në sekretariatet, këshilla komunale të arsimit,entet pedagogjike komunale dhe republikane, si dhe në Ministri të Arsimit të Republikës së Kosovës; të punësuarve në këshillat e financimit; të pronarëve shtëpi-shkolla. 3. Qeveria e Republikës së Kosovës,të jetë bartës i hartimit të këtij ligji,në afatin kohor prej 3 muajsh dhe të sjellë për miratim këtë ligj në Kuvendin e Republikës së Kosovës", tha Beqiri duke lutur deputetët që të votojnë këto rekomandime.

Më tej edhe kryetari i komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Idriz Vehapi, paraqiti rekomandimin e komisionit me ç‘rast u kërkua që të njihet përvoja e punës e mësimdhënësve dhe personelit të punësuar në arsim nga viti shkollor 1990-1999.

Ndërsa, deputeti Arsim Bajrami, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se ky debat shënon një respekt për periudhën e ndritur të historisë sonë dhe në këtë mënyrë i bëhet respekt armatës së arsimtarëve, nxënësve, studentëve, popullit që mbijetuan një periudhë kur Kosovës i përgatitej gjenocidi.

"Nuk ka dilema që në periudhën 90-98 populli ishte gjunjëzuar përmes shkollës, përmes arsimit dhe arsimi tregoi vitalitetin e mbijetesës në kushtet kur popullit të Kosovës i kanosej një shfarosje".

Ai duke falënderuar armatën e popullit që ndihmoi arsimin, në mënyrë të veçantë për një armatë të mësimdhënësve, profesorëve, studentëve, nxënësve, që mbijetuan në kushte duke organizuar shkollat dhe duke e quajtur atë kohë periudhë të arsimit legjitim të persekutuar nga objektet shkollore, tha se organizimi i arsimit në atë kohë, ka qenë arsim legjitim. Ndërsa, duke kujtuar faktin se mbijetesa e Universitetit të Prishtinës, duke qenë edhe vet protagonist i kësaj mbijetese në këtë periudhë, tha se ka qenë jo vetëm një mbijetesë e një universiteti, por ka qenë edhe një trampoline mbi të cilën është ndërtuar ideja e një rezistence aktive, të armatosur, ideja e përfundimit të këtij gjenocidit dhe nga kjo ka dalë lëvizja çlirimtare, UÇK-ja, pikërisht nga gjenerata e studentëve të asaj periudhe.

Bajrami po ashtu tha se përpjekjet titanike që ka bërë ish-rektori Statovci duke implementuar idenë e Republikës së Kosovës përmes legjislacionin të Republikës së Kosovës është shembulli më i mirë i sakrificës intelektuale për kauzën kombëtare.

Mes tjerash ai tha se më shumë ka pasur përgjegjësi dhe rregullsi atë kohë kur është punuar nëpër shkolla pa drita dhe me qirinj, se sa sot. Ai tha se asokohe ka pasur vetëpërmbajtje dhe moral tek profesorët.

Ndërsa, shtoi se Lëvizja Studentore e viteve 90-ta ishte lëvizje historike e cila mund të krahasohet me të gjitha lëvizjet që kanë ndërtuar historinë politike të vendit.

Duke vlerësuar se është në përkrahje të rekomandimeve të gurpit parlamentar të LDK-së, theksoi se e rëndësishme është që Kuvendi i Kosovës përmes një ligji të veçantë të njoh kontributin e punëtorëve të arsimit shqiptar.

"Është një armatë e njerëzve, merita me e madhe i shkon popullit, atyre që lëshuan shtëpitë për shkolla dhe atyre që nuk janë në mesin tonë. Në kapacitetin personal rekomandoj për presidenten e vendit që në kuadër të autorizimeve të saj kushtetuese për kontributin për mbijetesën e arsimit shqip të dekorojë në mënyrë të veçantë këto personalitete: akademik Gazmend Zajmi, rektorin Ejup Statovcin, akademik Fehmi Agani, akademik Eshref Ademaj, profesor Ukshin Hoti, profesorin Bardhyl Qaushi, akademikun Ali Podrimaj. Po ashtu për kontributin në arsimin fillor dhe të mesëm, pishtarin e arsimit në zonën e Drenicës, Shaban Jashari, mësuesin Halit Geci, dhe z. Xhavit Ahmeti, i cili e ka mbajtur gjallë organizimin e edukimit shqip. T'i dekorojmë këta njerëz për kontribut, se kontributi për atë kohë në kohën e mbijetesës, ka qenë po aq sa kontribut i atyre njerëzve që ndërtuan historinë e vet dhe ne nuk guxojmë ta shlyejmë kujtesën. Këto figura të marrin mirënjohje shtetërore morale për tëre sakrificën që ata kanë bërë", tha Bajrami.

Deputetja Vjollca Krasniqi duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se zhvillimi i arsimit në Kosovë deri në ditët e sotme ka kaluar nëpër kohë të ndryshme, të rënda, të cilat karakterizohen me specifika të natyrës politike, ekonomike, historike, sociale etj. Ndër periudhat e ndryshme më të veçanta është ajo e viteve 89-99. Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989 Serbia në forma të ndryshme juridike, policore filloi të rrënojë totalisht sistemin arsimor në të gjitha nivelet, prej nivelit parashkollor deri te ai universitar. "Po atë vit administrata e shtetërore e Serbisë hoqi drejtorët shqiptar nëpër shkolla dhe i zëvendësoi ata me të dhunshmit, futi masat e dhunshme në institucionet edukativo-arsimore dhe filloi dëbimin e nxënësve nga objektet shkollore. Krahas kësaj filloi vrasja , burgosja, ndjekje penale, arrestimet, kërcënimet dhe presionet më të rënda si dhe ndërprerja e financimit në të gjitha nivelet", theksoi Krasniqi duke shtuar se sakrificën që e kanë dhënë punëtorët e arsimit nuk e ka bërë askush në Kosovë përveç luftëtarëve që falë gjakut të tyre ne jemi të lirë.

"Vezët e gështenjat në prushin e tangarit, të parët, ia kanë fut pushtuesit serb arsimtarët shqiptarë, pra pushkën e parë kundër pushtuesve serb e kanë bërë mësuesit tanë,"tha deputetja Krasniqi duke shtuar se këtë fushë të rëndësishme të zhvillimit, ndër më të rëndësishmet po e përcjellin defekte të shumta.

Deputeti Afrim Kasolli duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, tha se është e ditur se tani edhe 14 vjet pas luftës mësimdhënësit e pensionuar marrin vetëm pensionin bazë ose ndihmë sociale nga institucionet, e nuk u llogariten si vite pune ato vite të vështira, kur nën shtypjen më të egër mbërritën të mbajnë gjallë arsimin shqip. "Edhe pse ekziston një vendim i Qeverisë së Kosovës për njohjen e këtyre viteve si stazh pune, vendimi i majit të vitit 2008, ai nuk po gjen ende zbatim. Pra ashtu si shumë vendime të kësaj qeverie qe lidhen me këtë sfere, edhe ky vendim ka mbetur vetëm në vazhdën e deklaratave mediale e për konsum historik.

Ndërkaq është e ditur në anën tjetër se Draft-ligji për pensionet nuk e specifikon njohjen e viteve të punës gjatë '90-'99. Neni 8, pika 1.2 thotë se të drejtën në pension kontribut-pagues të moshës e realizojnë të gjithë personat që kanë së paku pesëmbëdhjetë vite stazh pensional para datës 01.01.1999, prej të cilave 7 vite e 7 muaj duhet të kenë stazh pune në Kosovë, por këtu nuk thuhet që hyjnë edhe vitet e punës në vitet 90. Pos tjerash në bazë të këtij përkufizimi, të drejtë pensioni do të mund të kenë njësoj edhe policët serb që kanë rrahur shqiptar", tha Kasolli.

Ai tha se gjatë kësaj përpjekjeje për ta mbajtur gjallë shkollën shqipe edhe gjatë atyre viteve të vështira shumë mësues, arsimtarë e profesorë shqiptarë janë përndjekur, rrahur e torturuar nga pushtuesi serb për këtë veprimtari. "Me shumë mund, vullnet dhe sakrificë ata mësimdhënës dhanë shumëçka për t'i rezistuar intelektualisht pushtuesit, duke luftuar analfabetizmin, duke e ruajtur dhe përcjellë gjuhën shqipe tek brezat e rinj", theksoi Kasolli duke shtuar se padyshim mbetet më se e qartë se Serbia donte ta përdorte presionin mbi shkollën shqipe, për të çrregulluar, shkollimin e shqiptarëve, për të krijuar situatë të pashpresë për shqiptarët në Kosovë, dhe për demotivuar qëndrimin e tyre të mëtutjeshëm në Kosovë. Por mbi të gjitha, shtoi ai, Serbia donte të bënte presion përmes shkollës, që të pranojmë Serbinë dhe pushtimin e saj.

Mes tjerash Kasolli tha se Lëvizja Vetëvendosje do t'i votojë rekomandimet, ngase shtoi ai, në këtë mënyrë ne njohim karakterin legal të institucioneve tona dhe denoncojmë karakterin ilegal të shtetit të Serbisë.

Deputetja Teuta Haxhiu, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, theksoi se do të ishte mirë që të mbahej seancë solemne për të gjithë ata që kontribuuan për të mbajtur arsimin gjallë. Duke theksuar se AAK-ja përkrahë rekomandimet e grupit parlamentar të LDK-së për këtë çështje, theksoi se historia më e re e Kosovës nuk mund të shkruhet pa këtë angazhim mbinjerëzor, pa këtë sakrificë të gjithë arsimtarëve që në mënyrë të drejtpërdrejtë po sfidonin regjimin e dhunshëm të Millosheviqit.

Duke përmendur kushtet në të cilat është zhvilluar asokohe arsimi , Haxhiu tha se përkundër rrethanave të vështira falë vullnetit të arsimtarëve edhe cilësia e arsimit ishte në nivelin e duhur. Ajo shtoi se interesi financiar nuk u diskutua gjatë atyre viteve, sepse interesat kombëtare ishin para atyre financiare. "Si është e mundur që gjithë kjo sakrificë të neglizhohet në këtë masë?! Edhe sot e kësaj dite ekziston vendimi i qeverisë ku është njohur stazhi i punës për këto vite, por obligimet nga Ministria e Arsimit nuk u përmbushën asnjëherë", tha Haxhiu duke shtuar se është momenti i fundit që qeveria të marrë hapa konkret drejt zgjidhjes së kësaj çështje.

Ndërsa, kryetarja e Grupit Parlamentar të Koalicionit Kosova e Re, Myzejene Selmani, tha se çështja e punëtorëve të arsimit dhe nxënësve është për një lëvdatë. Megjithatë shtoi ajo në bazë të infrastrukturës ligjore qeveria duhet të marrë për bazë rekomandimet që dalin nga ky debat, në mënyrë që të kemi një ligj që rregullon këtë çështje. Ajo po ashtu ka falënderuar qytetarët dhe diasporën drejt ndihmës për arsimin, ndërsa shtoi se Koalicioni Kosova e Re përkrahë rekomandimet grupit parlamentar të LDK-së dhe komisioneve parlamentare.

Më tej, foli edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. "Ndjehem mirë si kryeministër që sot të diskutojmë për këtë çështje, më në fund të pranueshme edhe nga LDK-ja, diçka që qeveria ka filluar herët të punojë dhe ka marrë edhe vendime. Dhe, jemi në fazën përfundimtare", theksoi kryeministri Thaçi duke sqaruar se qeveria më 15 maj 2008 ka marrë vendim për aplikimin e të gjithë mësimdhënësve që të respektohet stazhi i punës për të gjithë mësimdhënësit universitarë, shkollave të mesme, si dhe të kategorive tjera. Pas lexoi vendimin e qeverisë për këtë kategori tha se kjo problematikë do të rregullohet me ligj dhe jo me rekomandime. "Kërkoj t'i jepni mbështetje zgjidhjes së kësaj problematike përmes ligjit dhe përkraheni qeverinë në këtë çështje. Jemi duke punuar që stazhin e punës ta rregullojmë edhe për punëtorët e shëndetësisë nga vitet 90 deri 99 dhe të gjithë shërbyesve civil, policëve, minatorëve dhe kategorive tjera që kanë qenë të përjashtuar nga Serbia asokohe"., theksoi kryeministri Thaçi. Ndërsa, deputeti Ismet Beqiri tha se kryeministri po bënë fushatë dhe lojë me vendimet e veta. "Nëse e ke marrë vendimin nuk e ke zbatuar. Kjo është kërkesë e punëtorëve të arsimit dhe ne e kemi proceduar një kërkesë të tyre. Rekomandimi ynë është që kjo çështje të rregullohet me ligj dhe kjo nuk është bërë", tha Beqiri.

Ndërsa ministri i MASHT-it Ramë Buja, duke përshëndetur debatin shtoi se projektligji për këtë kategori pothuajse është gati dhe do të procedohet në qeveri. Ai tha se projektligji së shpejti do të jetë në qeveri dhe kjo gjë do të rregullohet me ligj. "Studentët tanë që kanë mbaruar fakultetet bodrumeve sot kanë rezultate të jashtëzakonshme në universitete të botës. Duhet ta realizojmë këtë gjë, se jemi borxh ndaj tyre", tha ministri Buja.

Me këtë rast foli edhe kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi. "Për çka gjatë gjithë një shekulli populli ynë ka luftuar?! Për të vendosur një shtet ligjor të drejtë dhe të barabartë, apo një shtet për të privilegjuarit!?. Ne kemi obligim për të gjithë qytetarët e Kosovës që të kenë një jetë të dinjitetshme. Pa vendos rend dhe ligj për zhvillimin e vendit, për politika ekonomike dhe për politika fiskale dhe të gjithë njerëzit që fitojnë pa i kryer obligimet e veta, për ta bërë një buxhet të dinjiteshëm, ne mund të flasim për t'ia plotësuar dëshirën çdo arsimtari, çdo ushtaraku, çdo administratori e çdo qytetari tjetër... Për t'i shpërblyer në mënyrën më të dinjitetshme duhet vërtetë të kemi ku t'i marrim ato mjete. Ne duhet ta formësojmë një buxhet të dinjitetshëm për ta ndarë atë pastaj në mënyrë të drejtë dhe të dinjitetshme për qytetarët e Republikës së Kosovës", theksoi kryekuvendari Krasniqi.

Më tej ai tha se si deputet e kemi për obligim vërtetë ta ruajmë dinjitetin e kësaj ndërtesë, të shtëpisë së demokracisë, përfaqësuesve të qytetarëve të Kosovës dhe në vend se të diskutojmë e debatojmë, të vijmë e të nxjerrim përfundime e vendime për qytetarët e vendit. "Ne këtë ndërtesë po e bëjmë pazar dhe me këtë nuk nderojmë as ata që i përfaqësojmë dhe as vetveten, për angazhimin që kemi pasur për të ndryshuar jetën për së miri", tha Krasniqi .

Krejtësisht në fund, pas një diskutimi të gjerë të deputetëve, propozuesi i çështjes, Ismet Beqiri, duke falënderuar deputetët për kontributin e tyre paraqiti sërish tri rekomandimet e grupit parlamentar të LDK-së.

Meqë nuk kishte kuorum, Beqiri kërkoi që në seancën e radhës të votohen këto rekomandime.

 

Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit