Lajmet e fundit

Vazhdimi i mbledhjes së 4 prillit të Kuvendit të Kosovës

E Enjte, 11.04.2013




Vazhdimi i sotëm i mbledhjes së 4 prillit të Kuvendit të Kosovës, që u kryesua nga kryekuvendari, Jakup Krasniqi, filloi me procesin e votimit të Raportit vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2012 dhe të Raportit vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2012, pasi debatet për këto raporte kishin përfunduar në vazhdimin e djeshëm të seancës. Me shumicë votash këto dy raporte u miratuan nga Kuvendi.

Në vijim të rendit të ditës ishte shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me vendimin e presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjin nr. 04-L- 163 për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor. Duke folur për këtë çështje, kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj tha se vendimi i presidentes është shqyrtuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa dhe është bërë një amendament nga Komisioni, por në ndërkohë ka ardhur edhe një amendament nga GP i LDK-ës, ndaj si Komision, ndihet nevoja që sërish të bëhen konsultime për nenin që presidentja e ka kthyer, ndaj ajo kërkoi që deputetët të përkrahin rekomandimin e Komisionit që edhe njëhërë ky ligj të kthehet për shqyrtim në Komisionin për Buxhet dhe Financa, për t' u shqyrtuar më mirë ky vendim. Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, theksoi se amendamenti i propozuar strukturalisht ka një problem, pasi thekson se në raste të veçanta Qeveria e Kosovës në konsultim me Komisionin për Buxhet dhe Financa mund të ndryshojë aneksin e këtij ligji. Problemi është në koncept, pasi një akt ligjor i fuqisë më të lartë nuk mund të ndryshohet me një akt të fuqisë më të ulët. Vendimi i Qeverisë së Kosovës është më i ulët se i Kuvendit të Kosovës, që është ligj, u shpreh Gashi. Në këtë vështrim ai propozoi gjithashtu që ky ligj të kthehet për shqyrtim në Komisionin për Legjislacion dhe në Komisionin për Buxhet dhe Financa për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Propozimet e kryetarëve u përkrahën nga Kuvendi, ndaj kyë Ligj do të kthehet sërish në shqyrtim në këto dy komisione.

Në vazhdim, në rendin e ditës ishte miratimi i Marrëveshjes së deputetëve nga radha e komuniteteve tjera joshumicë për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga këto komunitete. Kryetari i Kuvendit, Krasniqi, i njoftoi deputetet me marrëveshjen e arritur nga ky grup parlamentar , sipas së cilës do të zgjedhen me rotacion nënkryetarët nga ky grup, në tri periudha gjashtëmujore . Sipas radhës ishte propozuar që në periudhën e parë prej 1 prillit 2013 të zgjedhet Arsim Demiri. Mirëpo, gjatë votimit ky deputet nuk fitoi shumicën e votave për t' u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

 

 

 

Vazhdimi i mbledhjes së 4 prillit të Kuvendit të KosovësVazhdimi i mbledhjes së 4 prillit të Kuvendit të Kosovës