Lajmet e fundit
Komisioni për Integrime Evropiane priti sot në takim delegacionin nga Kuvendi Kombëtar i Hungarisë
E Mërkure, 10.04.2013
Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, priti sot në takim delegacionin nga Kuvendi Kombëtar i Hungarisë në Kosovë, i kryesuar nga kryetari i Komisionit të Jashtëm, Tibor Mihaly Balla, nënkryetarin e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, Tamas Gabor Nagy, anëtarin e komisionit, Vilmos Szabo, si dhe këshilltaren e komisionit Noemi Koranyi.
Thellimi i mëtejmë i marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe zhvillimet aktuale në Kosovë, ishin temë diskutimi në këtë takim.
Kryesuesi i komisionit, nënkryetari Sasha Milosavljeviq, tha se bashkëpunimi me shtetet e rajonit është i domosdoshëm, andaj theksoi ai, kemi nevojë për një bashkëpunim edhe më të ngushtë me shtetin hungarez.
Edhe, anëtarët e tjerë të komisionit: Vjosa Osmani, Blerta Deliu, Alma Lama, Suzan Novobërdali, Ismet Beqiri e Albert Kinolli, pasi përmendën mes tjerash edhe Projektin e Binjakëzimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit Kombëtar të Hungarisë që ka Kosova, kërkuan thellim të mëtejmë të bashkëpunimit mes këtyre dy shteteve, me theks të veçantë në rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në BE. Ata theksuan se Kosova në këtë aspekt duhet të përfitojë nga përvoja e shtetit hungarez.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës ngritën edhe çështjen e liberalizimit të vizave, duke konsideruar se Kosova në këtë aspekt është shteti më i diskriminuar.
Ndërsa, sa i përket dialogut Kosovë - Serbi, anëtarët e komisionit theksuan se ky është një shembull me të cilin Kosova ka treguar gatishmëri për fqinjësi të mirë. Megjithatë, u tha se dialogu është përkrahur me të vetmin kusht, që të mos rrezikohet integriteti, sovraniteti dhe Kushtetuta e Kosovës.
Delegacioni hungarez shprehu gatishmërinë e Hungarisë për të rritur më tej bashkëpunimin mes këtyre dy vendeve. "Hungaria do të mbështesë hapat që Kosova do të ndërmarrë në të ardhmen në rrugën drejt anëtarësimit në BE. ", theksoi mes tjerash delegacioni hungarez.