Lajmet e fundit
Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme pritën delegacionin hungarez
E Mërkure, 10.04.2013
Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës kanë pritur sot delegacionin nga Kuvendi Kombëtar i Hungarisë, i kryesuar nga Tibor Mihaly Balla, kryetar i Komisionit të Jashtëm, më të cilin kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Kryetari i Komisioni për Punë të Jashtme, Albin Kurti, duk u uruar mysafirëve hungarezë mirëseardhje në Kosovë, ka falënderuar Hungarinë për mbështetjen e Kosovës dhe njohjen e shpejtë të vendit tonë. Pasi ka përkujtuar lidhjet e gjata shekullore ndërmjet dy popujve, ka folur për gjendjen e përgjithshme në Kosovë, me theks të veçantë për gjendjen ekonomike, për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, për synimet e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për integrime evropiane, si dhe për obstruksionet serbe ndaj Kosovës, përfshirë edhe fazën e dialogut ndërmjet dy vendeve.
Duke përkujtuar gjendjen e rëndë ekonomike në vend dhe papunësinë e madhe në Kosovë, Kurti ka kërkuar mbështetjen e Hungarisë në planin e zhvillimit ekonomik, si dhe ndikimin e saj në pesë vendet anëtare të BE-së që ta njohin Kosovën.
Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin e Hungarisë, Tibor Mihaly Balla, duke falënderuar për ftesën që i është bërë dhe për mikpritjen që i ishte rezervuar delegacionit parlamentar, të cilin e udhëheq, e ka përgëzuar vendin tonë për të arriturat në pesë vjetët e pavarësisë së saj, duke pohuar se Prishtinën e sheh dhe e përjeton si çdo kryeqytet tjetër të vendeve evropiane. Ai ka pohuar se i njeh mirë synimet e shqiptarëve për integrime evropiane dhe ka premtuar mbështetjen e vendit të tij të rrugës evropiane të Kosovës. Ai ka theksuar se për njohjen e Kosovës ka folur me përfaqësues të vendeve fqinje: Rumaninë dhe Sllovakinë, duke shtuar:"Ne do t'ju mbështesim, por hapin e parë duhet ta bëni vet", duke aluduar në marrëdhëniet me vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Duke përkujtuar marrëdhëniet e mira historike ndërmjet dy popujve tanë dhe përvojat e tij më se njëzetvjeçare me parlamentarë dhe qeveritarë hungarez, Sabri Hamiti, ka theksuar se vendi ynë ka kaluar vite të vështira dhe të pandalshme në rrugën e pavarësisë. Ai , duke folur për nevojën forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ka spikatur kontributin që po e jep Parlamenti Hungarez, në kuadër të binjakëzimit dhe ka lavdëruar punën e ekspertëve hungarezë për profesionalizimin e administratës së Kuvendit të Kosovës.
Skender Hyseni, ndërkaq, ka tërhequr vëmendjen se mosnjohja nga pesë vendet e BE-së po shndërrohet në bllokadë diplomatike për Kosovën, duke i shkaktuar pengesa të mëdha vendit tonë.
Donika Kadaj-Bujupi ka theksuar nevojën urgjente për liberalizimin e vizave, në mënyrë që mos të vazhdojë izolimi i të rinjve të Kosovës. Ndërkaq ka pohuar se Hungaria dhe vendet e tjera të BE-së Kosovën duhet parë si vend të mirë për të investime të haja.
"Ka ardhur koha që marrëdhënie shumë të mira historike, t'i shndërrojmë në marrëdhënie bashkëpunimi gjithëpërfshirës të ndërsjellë, për të ndërtuar një vend të ri, demokratik dhe prosperues", është shprehur i bindur nënkryetari i Komisionit, Hydajet Hyseni.
Emilia Rexhepi, ndërkaq, ka theksuar se Kosova ka Kushtetutë moderne dhe ligje të mira që garantojnë të drejtat e njeriut dhe të bashkësive etnike, por ka pohuar se duhet siguruar zbatimi i mirë i tyre.
Parlamentarët hungarezë kanë pohuar përkushtimin e Parlamentit dhe të institucioneve të tjera hungareze për mbështetjen e Kosovës në rrugën integrimeve evropiane dhe në procesin e liberalizimit të vizave me vendet e BE-së, duke u shprehur të bindur se firmat hungareze do të gjejnë partnerë të mirë bashkëpunimi me biznese të ndryshme në Kosovë.