Lajmet e fundit

Vazhdimi i mbledhjes së 4 prillit të Kuvendit të Kosovës

E Mërkure, 10.04.2013




Në vazhdimin e mbledhjes së 4 prillit të Kuvendit të Kosovës, që u kryesua nga kryekuvendari Jakup Krasniqi, një pjesë të cilës e kryesoi Xhavit Haliti, pikë e parë e rendit të ditës ishte votimi i Rezolutës lidhur me tjetërsimin e Pronës publike dhe shoqërore gjatë periudhës 22 mars 1989 deri me 10 qershor 1999, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilën debati kishte përfunduar më 4 prill. Kuvendi nuk përkrahu Projektrezolutën e propozuar e këtij grupi parlamentar.

Në vazhdim të mbledhjes filloi debati parlamentar lidhur me ndryshimin e politikave fiskale në funksion të nxitjes, rritjes së prodhimtarisë vendore dhe zhvillimit ekonomik në tërësi, sipas kërkesës së deputetit Ramiz Kelmendi, i mbështetur nga deputetët nënshkrues. Në fjalën e tij Ramiz Kelmendi në fillim foli për TVSH-në e paguar në impute për prodhim agrar, përkatësisht të rimbursimit në vlerë prej 6 për qind për ato prodhime që qarkullojnë në mënyre legale. Lidhur me këtë ai u shpreh se agrari si ekonomi shfrytëzon resursin kryesor që është toka dhe rendimentet e saj që mund të jenë më shumë se një rendiment vjetor. Kjo ekonomi është elementare dhe punëson shumë njerëz, po ashtu është resurs i pashtershëm , por tek kjo prodhimtari, që në shumicën e rasteve është individuale për shkak të sipërfaqeve të vogla të punueshme për familje , për të punuar dhe përpunuar përdoren shumë imputo, të cilat kanë në përmbajtje, si: doganën, TVSH-në si dhe akcizën, siç është karburanti i paguar në hyrje të shtetit ( sipas përllogaritjes së ekspertëve të AAK së është 6% ) .E meqenëse është fjala për ekonomi individuale nuk mund të rimbursohen këto taksa të paguara , pra këtyre prodhuesve individual duhet t' iu pranohet si tvsh e rimbursushme, meqë është në vlerë përmbajtësore në produktin e gatshëm , dhe meqenëse këto produkte tregtohen në shumicën e rasteve në tregje të hapura, ku nuk ka fiskalizim , dhe këto produkte përdoren edhe për përpunim dhe paketim, siç është qumështi , dhe në këtë degë ka mbi 80 për qind informalitet , edhe kjo mund të rregullohet në këtë mënyrë: "Ne rimbursojmë 6 për qind dhe inkasojmë 16 për qind tvsh, pra duke e implementuar këtë, kemi një diferencë - mbushje të buxhetit mbi 10 për qind të prodhimtarisë agrare dhe njëkohësisht i mbrojmë këto prodhime nga importet të cilat këtyre produkteve iu rimbursohen vlerat edhe më të larta të taksave dhe subvencioneve nga shtetet e rajonit. Por, për ta kanalizuar dhe kontrolluar këtë, përdoret metoda e qarkullimit nëpërmjet pagesave bankare legale , dhe me këtë do kemi informatën e të hyrave të qytetarëve tanë nga kjo veprimtari që për momentin na mungon , pra do kemi rritje të bruto produktit .Me këtë eliminohet tërësisht tatimimi i dyfishtë i kësaj ekonomie e që për momentin vazhdon të jetë në fuqi në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe normat ekonomike", theksoi z. Kelmendi.

Në vazhdim ai i bëri një vështrim doganës prej 10 për qind që aplikohet në të gjitha repromaterialet , amballazhat e nevojshme për përpunim dhe prodhim si dhe pjesët rezervë të makinave prodhuese. Ai kërkoi që dogana 10 për qind të hiqet për repromaterialet që përdoren për prodhim dhe përpunim në të gjitha ekonomitë e në veçanti në industrinë e tekstilit, në atë të këpucëve, ushqimore etj.

Duke folur për TVSH-në në makineri prodhuese dhe makineritë tjera, në vlerë 16 për qind, ai tha se kjo TVSH paguhet në hyrje gjatë importit, që është së pari ngarkesë fillestare për të gjitha ekonomitë vijuese e në veçanti ato fillestare.

Këto tri pika shumë të rëndësishme në lëmin fiskal për zhvillimin ekonomik të Kosovës mundësojnë ndryshime radikale prodhuese dhe eksportuese, ndaj i nevojiten shumë Kosovës. Edhe njëherë vlen të ceket, theksoi deputeti Kelmendi, se implementimi i këtyre pikave i analizuar nga grupi i ekspertëve të AAK së , nuk e zvogëlon buxhetin e aprovuar të Kosovës dhe nuk bie ndesh me ligjet ekzistuese, por e bën buxhetin më stabil dhe më të qëndrueshëm, theksoi Ramiz Kelmendi.

Duke folur në emër të GP të PDK, Safete Hadërgjonaj tha se është mirë që po diskutohet për sistemin fiskal, i cili është gjithnjë duke u përsosur. Janë marrë vendime nga ana e Qeverisë për të lehtësuar bizneset drejt një ambienti sa më të favorshëm për prodhimtari dhe zhvillim ekonomik. Ajo foli edhe për ligjet e aprovuara dhe ato që janë në procedurë, të cilat rregullojnë këtë lëmë. Ajo shfaqi mendimin se këto masa të propozuara nga z. Kelmendi nuk janë zgjidhje, zgjidhjet duhet të kërkohen në fushën e ligjeve që kanë të bëjnë me ekonominë. Aprovimi i këtyre kërkesave tha ajo ka edhe kosto buxhetore për buxhetin e Kosovës.

Naser Osmani nga GP i LDK-ës tha se ekonomia e Kosovës duhet të sigurojë një zhvillim afatgjatë, mirëpo për këtë nuk ka ndonjë formulë të përgjithshme. Ai u angazhua për një rritje të investimeve në Kosovë, politika të mira ekonomike me qëllime të caktuara dhe ekonomi të tregut. Në këtë funksion, tha z. Osmani, është edhe politika fiskale që është qëllim edhe i kërkuesit të këtij debati. Në vazhdim ai kërkoi që Kosova të ketë një sistem tatimor evropian, duke theksuar se ngarkesat tatimore destimulojnë eksportin kosovar.

Në emër të GP Lëvizja Vetëvendosje foli Visar Ymeri, i cili në fillim tha se këto shkallë të propozuara nuk janë zgjidhje."Duhet të ndërmarrim masa për ekonomi të qëndrueshme, duke u angazhuar sidomos për shtimin e prodhimit e zhvillimin e eksportit. Ndërkaq,prodhimi është duke u ballafaquar me politika jo të favorshme tatimore. Ai foli edhe për masat që duhet të merren nga Qeveria për rritje të prodhimit në Kosovë.

Xhevdet Naziraj nga GP i AAK-ës theksoi se Kosova nuk ka politikë të veten monetare, ndaj zhvillimi ekonomik ndërlidhet vetëm me politikat fiskale. Pa politikë të favorshme tatimore vështirë është të ketë veprimtari të suksesshme prodhuese.

Myzejene Selmani nga GP i KKR-ës, tha se përkrah këtë debat për ndryshim të politikave tatimore në favor të zhvillimit ekonomik."Jam për atë që të aprovohen ligje të shumta në këtë lëmë. Theksoj faktin se ligji për investime të huaja ende nuk është aprovuar", u shpreh ajo duke shtuar se politika e drejtë fiskale favorizon prodhimtarinë vendore.

Aurora Bakalli nga Lëvizja për Bashkim kërkoi që masat duhet të merren në formë të moderuar dhe të balancuar, sepse në të kundërtën ato mund të jenë kundër produktive.

Kryekuvendari Krasniqi duke iu drejtuar deputetëve theksoi se Kosova që në fillim, kur ishte nën administrimin ndërkombëtar, ka pasur politika të gabuara ekonomike e fiskale. Kjo politike u vazhdua edhe më tutje,me të cilat nuk janë stimuluar prodhuesit vendorë. Nuk ka pasur planifikim dhe programim zhvillimor. Në vijim z. Krasniqi tha se në veri mallrat e Serbisë hyjnë pa doganë."Në veri kemi krim të organizuar, i cili është i lidhur edhe me krim në jug të vendit", u shpreh ai. Kreu i legjislativit të vendit në vijim shtroi pyetjen se si u krijuan kompanitë e mëdha. Ato janë të lidhura me politikat e larta dhe ky është krim i organizuar. Ka zyrtarë të lartë , tha ai, që kanë nga disa vende pune, madje nga 5 vende pune. "Kush janë ata supermenë që mund të mbajnë dhe kryejnë të gjitha detyrat në 5 vende pune. Ata përditë shkelin ligjin dhe askush nuk ua prish tymin e duhanit. Ata do të duhet të paguajnë edhe tatim më të lartë për paratë që marrin nga këto vende pune", u shpreh z. Krasniqi.

Në vijim kryekuvendari Krasniqi foli edhe për pengesat që iu bëhen investitorëve të huaj kur duan të investojnë në Kosovë. " Shtrohet çështja çfarë ligje kemi bërë për të pasur ata lehtësi gjatë investimeve. Në fakt, jo vetëm që nuk janë bërë ligje, por investitorëve të huaj po iu bëhen 1001 pengesa, po iu kërkohen para për këto investime, madje po u kërkohet që këta të kenë edhe hise në këto investime. Derisa praktikohen këso pengesa , atëherë kot presim investime. Një investitor ka kërkuar një hapësirë tokësore në komunën kryesore të Kosovës, ndërsa kundërvlera për atë tokë është nisur nga 10 mijë euro e pastaj ka arritur në 150 mijë euro.

Për të mënjanuar këto dukuri negative duhet të investohet më shumë mund e përpjekje për ligje dhe për këtë nevojitet vullnet politik, theksoi kryekuvendari Krasniqi.

Në kuadër të debatit të gjerë, pos problemeve me të cilat ballafaqohen aktualisht prodhuesit vendorë, u dhanë edhe shumë propozime për zgjidhje të tyre, sidomos në aspektin e gjetjes së rrugëve sa më të mira ligjore, pastaj çfarë janë kushtet për zhvillim të biznesit dhe si të arrihet ky, etj. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe implementimit të masave sa më të favorshme fiskale për prodhimtari, të cilat do të ndikonin edhe në shtimin eksportit kosovar. Pas përmbylljes së debatit, rekomandimet e propozuesit Ramiz Kelmendi nuk u përkrahën.
Kuvendi pastaj shqyrtoi Raportin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Arsyetimin e këtij Raporti para deputetëve e paraqiti kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadergjonaj. Ajo theksoi se Komisioni ka formuar Grupin punues ,i cili ka monitoruar zbatimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike. Ai ka vizituar 16 institucione të niveli qendror dhe lokal, për të parë nga afër zbatimin e ligjit. Në mbështetje të këtij monitorimi dhe Raportit të Grupit punues Komisioni për Buxhet dhe Financa ka bërë edhe rekomandimet përkatëse lidhur me zbatimin dhe sfidat që dalin gjatë zbatimit të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, theksoi z. Hadergjonaj. Shefat e grupeve paralamentare në diskutimet e tyre, pos në rast të ndonjë rekomandimi, përkrahën rekomandimet e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Në përfundim të debatit Kuvendi miratoi Raportin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Në vijim Kuvendi shqyrtoi Raportin vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2012,për të cilin gjithashtu arsyetimin e dha Safete Hadërgjonaj, kryetare e Komisonit për Buxhet dhe Financa, e cila gjerësisht foli për përmbajtjen e këtij Raporti. Raporti është i detajizuar dhe i përmbush kriteret përkatëse. Në këtë frymë ajo theksoi se ky Komision propozon që Kuvendi ta miratojë këtë Raport. Gjatë debatit u dha edhe ndonjë vërejtje se ai ka karakter përshkrues.

Kuvendi pastaj shqyrtoi Raportin vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2012. Në mënyrë shkoqitëse Raportin e paraqiti, kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa,Safete Hadërgjonaj. Ajo theksoi se Komisioni përkrah miratimin e këtij Raporti. Gjatë debatit u tha se janë evidencuar shumë dobësi në prokurim në operatorë ekonomik, madje edhe se nuk ruhen dokumentacionet e prokurimit nga ana e operatorëve.

Në mungesë të kouroumit Kuvendi nuk mundi të votojë për këto dy raporte, ndaj për to do të votohet në vazhdimin e nesërm të seancës. Për nesër kanë mbetur të shqyrtohen edhe dy pika të tjera.

Vazhdimi i mbledhjes së 4 prillit të Kuvendit të KosovësVazhdimi i mbledhjes së 4 prillit të Kuvendit të Kosovës