Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme të Hungarisë, Tibor Mihaly Balla

E Mërkure, 10.04.2013




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim një delegacion të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, të kryesuar nga Tibor Mihaly Balla, kryetar i komisionit.

Gjatë takimit u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe për marrëdhëniet që parlamentet e të dyja vendeve kultivojnë ndërmjet tyre.

Në këtë frymë, u çmua lart bashkëpunimi në kuadër të Projektit të Binjakëzimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe atij të Hungarisë.

Punën e ekspertëve hungarezë, kryetari Krasniqi e konsideroi shumë të rëndësishme për Kuvendin e Kosovës, nga e cila, siç u shpreh ai, rezultatet tashmë janë të dukshme.

Duke folur për aspiratën e Kosovës dhe të qytetarëve të saj për integrime euro-atlantike, kreu i legjislativit të vendit e konsideroi atë një proces jo të lehtë, për të cilin tha se nevojitet ndihma e parlamenteve të shteteve mike.

Sa i përket bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeparlamentari Krasniqi tha se Kosova i sheh bisedimet si mjetin e vetëm për zgjidhjen e problemeve që historia i ka grumbulluar ndërmjet dy vendeve, ndërsa kujtoi qëndrimin që Serbia ka mbajtur në çdo proces negociator me Kosovën, duke refuzuar çdo marrëveshje të ofruar nga bashkësia ndërkombëtare.

Marrëdhëniet me vendet e tjera fqinje, ndërkaq, Krasniqi i konsideroi të shkëlqyeshme.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Hungarisë, Tibor Mihaly Balla, duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, tha se qëllimi i saj është njohja nga afër me zhvillimet në vend dhe përpjekja për thellimin e bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve. Projektin e Binjakëzimit, z. Balla, gjithashtu, e vlerësoi të një rëndësie të veçantë.

Bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve, kreu i komisionit të jashtëm hungarez e konsideroi si një mjet të mirë për forcimin e perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në funksion të të cilit, në fund të këtij viti pritet të organizohet një konferencë.

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme të Hungarisë, Tibor Mihaly Balla