Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Hënë, 08.04.2013




Plani për zhvillimin e Brezovicës, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor. Për t'u njohur nga afër me ecurinë e këtij plani, në këtë mbledhje të cilën e kryesoi Nait Hasani, kryetar i Komisionit, ishte e pranishme edhe zv. kryeministrja dhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila.

Në fillim të paraqitjes së saj, ministrja Lila njoftoi për bazën mbi të cilën është duke u zhvilluar projekti për zhvillimin e Brezovicës. Lidhur me këtë, ajo nënvizoi se projekti që aktualisht është duke u zhvilluar, ka nisur në mbështetje të një plani tjetër ("Brezovica 2"), përkatësisht, mbi vendimin e vitit të kaluar që kishte marrë Qeveria. Ajo njoftoi se vendimi i Qeverisë, i marrë më 22 shkurt të vitit të kaluar, parasheh që Plani për zhvillimin e Brezovicës të mos zhvillohet sipas planit të paraparë përmes Agjencionit të Privatizimit, por, të zhvillohet si proces i zhvillimit në partneritet publiko-privat. Për të realizuar këtë plan zhvillimor, ajo në vijim njoftoi se Qeveria ka themeluar Komitetin Ndërqeveritarë. Ky Komitet, tha ajo, përbëhet nga ministrat e ministrive përkatëse, nga kryetari i Komunës së Shtërpcës dhe nga anëtarë të tjerë të institucioneve të rëndësishme të kësaj fushe, me të drejtë të plotë të votës. Ky Komitet, vazhdoi ajo, aktualisht është duke punuar në promovimin e shprehjes së interesit, i cili tashmë është publik nga 31 janari i këtij viti, dhe mbetet i hapur deri më 23 prill.

Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, duke shprehur interesimin e tyre lidhur me këtë, ngritën një varg çështjesh. Ata me këtë rast kërkuan që Plani për zhvillimin e Brezovicës të mos bie ndesh me ligjet aktuale në fuqi. Lidhur me këtë, ministrja Lila, u shpreh:" Plani për zhvillimin e Brezovicës, nuk mund të zhvillohet ndryshe, pos në përputhje të plotë me të gjitha ligjet". Duke vënë në pah objektivat që synohet të arrihen me këtë plan zhvillimor, ajo vuri në dukje zhvillimin e Qendrës së Brezovicës në një qendër turistike të klasit botëror, duke ofruar koleksion të gjerë të shërbimeve dhe objekteve me përdorim të ndryshëm. Ajo po ashtu tha se ky plan do të ketë ndikim maksimal në ekonomi, ndërsa ndikim të minimizuar në mjedis.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...