Lajmet e fundit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
E Hënë, 08.04.2013
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka vendosur që këtë të mërkurë të vazhdojë seanca e 4 prillit. Pritet të votohet Rezoluta lidhur me tjetërsimin e pronës publike dhe shoqërore gjatë periudhës 2 mars 1989 deri me 10 qershor 1999, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe të zhvillohet debat parlamentar lidhur me ndryshimin e politikave fiskale në funksion të nxitjes, rritjes së prodhimtarisë vendore dhe zhvillimit ekonomik në tërësi, sipas kërkesës së deputetit Ramiz Kelmendi, i mbështetur nga deputetët nënshkrues, si dhe të procedohet me pikat e tjera të rendit të ditës.
Të enjten, më 11 prill, mbahet seanca e re e Kuvendit të Kosovës. Pas shterimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të dytë: Projektligjin për turizmin dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për inspektoratin dhe mbikëqyrjen e tregut. Në vazhdim është paraparë të zhvillohet debat parlamentar lidhur me statusin e pazgjidhur të punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti 1990/1 deri në vitin shkollor 1998/9, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së.
Kryesia në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar gjithashtu Rekomandimin e Komisionit për Arsim dhe të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për njohjen e stazhit të punës të mësimdhënësve për periudhën e vitit shkollor 1990/1 deri më 1998/9, dhe është pajtuar se çështja duhet rregulluar me ligj të veçantë, por për këtë duhet të vendosë mbledhja plenare e Kuvendit.