Lajmet e fundit

Deklaratë e kryekuvendarit Krasniqi me rastin e Ditës së Kushtetutës

E Hënë, 08.04.2013




Me  rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 Prillit, kryetari i Kuvendit  të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dha një deklaratë, në të cilën thuhet: 

"Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Miratimi i Kushtetutës ishte akt madhor dhe shumë i rëndësishëm, por vetëm zbatimi i saj konsekuent dhe i plotë, i jep asaj vlerën e vërtetë. Që nga dita e miratimit të Kushtetutës, vazhdojmë ta kemi sfidë zbatimin e saj në të gjithë territorin e Republikës. Hartimi dhe miratimi i Kushtetutës, sikurse edhe shpallja e Pavarësisë, ka qenë në partneritet të Kosovës me Bashkësinë Ndërkombëtare dhe e kontraktuar midis tyre. Kjo kontratë përmban kompromisin e Kosovës, në emër të së ardhmes dhe për hir të paqes e të stabilitetit. Ky fakt, na jep lirinë dhe të drejtën që nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe misionet e saj në Kosovë, të kërkojmë angazhimin maksimal për garantimin e sovranitetit e të integritetit territorial të Kosovës dhe zbatimin e Kushtetutës në çdo pjesë të saj.
Në këtë përvjetor të Kushtetutës, u bëj thirrje institucioneve përgjegjëse dhe gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim, të respektojnë e të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, sepse kjo është mënyra e vetme për ndërtimin e shoqërisë sonë demokratike", theksohet në deklaratën e kryekuvendarit Krasniqi

Deklaratë e kryekuvendarit Krasniqi me rastin e Ditës së Kushtetutës