Lajmet e fundit
Mbledhje e Kuvendit në shënim të 14-vjetorit të Betejës së Koshares
E Hënë, 08.04.2013
Në kuadër të shënimit të 14-vjetorit të Betejës së Koshares, Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar, është mbledhur sot në seancë, duke nderuar dhe përkujtuar luftën heroike të ushtarëve të UÇK-së, të rënë në këtë betejë.
Në cilësi të përfaqësuesit të iniciuesit të kësaj mbledhjeje, deputeti Anton Çuni shpalosi kujtime nga organizimi dhe beteja në Koshare, më 8 dhe 9 prill 1999. Ai përshkroi të gjithë ecurinë e organizimit të këtij aksioni luftarak, i cili u kurorëzua me sulmin mbi forcat serbe.
"Me rrezet e para të diellit, në komandën ‘zjarr' shpërthen e tërë energjia e mbledhur me dekada, e dhimbjeve, lotëve, poshtërimit, ndarjeve dhe okupimit. Detonimet, plasjet, predhat, breshëritë, flaka, bien mbi pozicionet e forcave të armikut. Hapen kalimet në fushat e minuara, rrjetat me gjemba, krijohen krateret, shemben transhetë, rrafshohen bunkerët, eliminohen pozicionet e armikut. Luftëtarët tanë kapin objektet një nga një: Koken, Maja Kokes, Shkozen, Rrasa e Koshares, Gomuret, Mriqen, Gushen, piramidat e kufirit bien njëra pas tjetrës. Në ditën e dytë, batalioni 54 kufitar i ushtrisë jugosllave prej 350 ushtarakëve ishte në rrethimin e hekurt brenda karaullës. Ata po kërkonin ndihmë nga njësitë operative në thellësi", theksoi deputeti Çuni.
Shumë shpejt, në regjionin e gjerë të Koshares, në bjeshkët e Junikut, në anën jugore të Alpeve Shqiptare dhe nga Rrafshi i Dukagjinit, shtoi më tutje Çuni, do të vërsulet e tërë makineria ushtarake dhe policore e armikut, e cila, pas pompozitetit të fillimit, kthehej prapa e përgjysmuar.
"Për 70 ditë radhazi, në luftimet e përditshme, Brigada 138 ‘Agim Ramadani', nga radhët e veta kishte humbur 114 luftëtarë, por tani numëronte 2500 luftëtarë të përhershëm, të përgatitur dhe të pajisur mirë, me përvojë të madhe dhe me besim të palëkundur në stafin komandues. Vija e frontit, në gjatësi 20-22 km ishte stabile, në hapësirën dominonte dhe mund të godisnim deri në 20 km largësi, forca e zjarrit ishte e fuqishme. Tani ishim në gjendje t'i ndanim në dysh forcat serbe në Rrafshin e Dukagjinit", theksoi deputeti Çuni, ndërsa shtoi se këtë tashmë e dinin edhe analistët ushtarakë të Serbisë dhe ushtarakët rusë, të dërguar si ekspertë në ndihmë të forcave serbe.
Ai kujtoi edhe bisedën e një oficeri të NATO-s me ushtarakët serbë, i cili iu propozon atyre të nënshkruajnë marrëveshjen me NATO-n për tërheqje nga Kosova ose të kapitullojnë para UÇK-së.
Në shenjë respekti për të gjithë veteranët, invalidët, dëshmorët, heronjtë dhe të gjitha ata që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, deputeti Anton Çuni propozoi që të përshëndeten me një duartrokitje.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij para deputetëve, tha se Beteja e Koshares u zhvillua në kuadër të një ndërmarrjeje të gjerë ushtarake, të organizuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e njohur si Operacioni "Shigjeta". Kjo betejë, shtoi më tej Krasniqi, kishte rëndësinë e saj strategjike, sepse shënonte thyerjen e bllokadës ushtarake të Serbisë në kufi me Shqipërinë, e cila përgjatë gjithë kësaj vije kufitare kishte përqendruar forca të mëdha ushtarake, policore e paramilitare, si dhe makineri të shumtë luftarake.
"Thyerja e kufirit, e cila, në fakt ishte pjesë e programit politik të çdo organizimi klandestin të pas Luftës së Dytë Botërore, krijonte korridorin aq shumë të nevojshëm për futjen e luftëtarëve e të armatimit në Kosovë, në kohën kur brenda saj, lufta kishte arritur kulminacionin dhe popullata civile shqiptare po i nënshtrohej shpërnguljes dhe gjenocidit të paparë në historinë e re të njerëzimit", theksoi kreu i Kuvendit.
Krasniqi tha se përgatitja morale dhe profesionale e ushtarëve të UÇK-së ishte në nivel të lartë, kurse dashuria për lirinë dhe atdheun, si dhe urrejtja për armikun, ishte e pakufishme. Mijëra djem e vajza, gra e burra nga të gjitha viset shqiptare e nga diaspora, shtoi më tutje kryeparlamentari Krasniqi, po ecnin rrugës së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
"Sot, duke u përkulur para kujtimit të dëshmorëve të Koshares, krenaria jonë e ligjshme për madhështinë që ata i dhanë atdheut të vet, na bën më të fortë dhe më të vendosur për të mbrojtur dhe përparuar lirinë e fituar me gjak e sakrifica", theksoi kreu i legjislativit të vendit.
Në vazhdim, Krasniqi tha se lufta e Koshares zë vendin e merituar dhe rolin e veçantë në historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të popullit shqiptar, ndërsa lufta e UÇK-së përbën kulmin e vlerave të popullit të Kosovës për liri e pavarësi dhe shquhet për drejtësinë e pastërtinë e saj, për karakterin çlirimtar, human e demokratik. Si të tillë, shtoi Krasniqi, askush nuk mund ta njollosë apo nëpërkëmbë atë.
Duke pasur parasysh që kjo seancë u organizua në vigjilje të ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës., kryetari Krasniqi, në fjalën e tij, u uroi deputetëve dhe qytetarëve 5-vjetorin e miratimit të saj.