Lajmet e fundit
Vazhdimi i seancës së Kuvendit
E Premte, 05.04.2013
Në vazhdimin e seancës së 4 prillit, të kryesuar nga kryekuvendari Jakup Krasniqi, një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari Sabri Hamiti,gjatë ditës së sotme u vijua me pikën e rendit të ditës:Debat parlamentar lidhur me tjetërsimin e pronës publike dhe shoqërore gjatë periudhës 22 mars 1989 deri me 10 qershor 1999, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Në emër të parashtruesit të kërkesës për debat, fjalën e mbajti deputeti Liburn Aliu. Ai në fillim theksoi se tjetërsimi i pronës publike nga ana e sistemit të Millosheviqit në këtë periudhë ishte në kundërshtim me vullnetin e popullit ndaj është krim ndaj këtij vendi dhe popullit të tij. Deklarimi në këtë pikë është i domosdoshëm nga deputetët pa dallime politike e etnike. Lënia mënjanë dhe qëndrimi i heshtur vetëm sa ndikon në fuqizim të vendimeve diskriminuese të pushtetit të Millosheviqit.
Duke folur për masat që ndërmori regjimi i Millosheviqit kundër punëtorëve e pronarëve shqiptarë ai tha se ndërmarrjet shoqërore u zbrazën nga punëtorët shqiptarë në baza etnike. Kjo gjë tregon mjaft qartë praktiken e qasjes politike ndaj popullit të Kosovës nga ana e regjimit të Millosheviqit. Pjesë e aplikimit të kësaj politike nacionaliste supremaciste kundrejt shqiptarëve ishin edhe të ashtuquajturat "Kontrata të dhurimit", nëpërmjet të cilave ndodhi tjetërsimi i pronës shoqërore në atë private. Forcimi i pozicioneve të shovinizmit serb kundrejt shqiptarëve, qoftë i kishës ortodokse si instrument në duar të këtij shovinizmi, qoftë i strukturave që e jetësonin atë, bëhej përmes këtij tjetërsimi pronash.
"Rasti më eklatant që e kemi në praktikë, që tregon qartë qëllimin kolonizator të Serbisë përmes instalimit të strukturës shtetërore dhe masave të dhunshme, është edhe rasti i Deçanit. Në vitin 1992 dhe 1997 ndërmarrjet shoqërore që udhëhiqeshin nga struktura e masave te dhunshme, përmes kontratës së dhurimit i falën Manastirit te Deçanit paluajtshmërinë që ishte në pronën e ndërmarrjeve "Apiko" dhe "Iliria".
Transferimi i paluajtshmërive që ishin në pronësi publike, rezultonte me humbjen e çfarëdo gjase për perspektivë pune e jete për shqiptarët në Kosovë dhe rrjedhimisht nuk mbetej rrugë tjetër përpos largimit nga Kosova. Në shtetin e Kosovës, sot vazhdojnë të konsiderohen valide të gjitha ato vendime nga periudha e Millosheviqit në lidhje me pronat.
Lëvizja VETEVENDOSJE! përmes inicimit të këtij debati parlamentar për çështjen e shpronësimit politik të pasurisë kombëtare të popullit të Kosovës, synon që Kuvendi i Kosovës të shprehë vullnetin e tij ligjvënës lidhur me shpalljen e pavlefshmërisë së të gjitha kontratave me të cilat është tjetërsuar prona publike dhe shoqërore.
"Ne mendojmë se Kuvendi i Republikës së Kosovës në cilësinë e organit më të lartë legjislativ në vend, duhet që të nxjerrë një rezolutë me të cilën do të kishte shpallur pavlefshmërinë juridike të të gjitha kontratave dhe marrëveshjeve, përmes të cilave është bërë tjetërsimi i pronës publike dhe shoqërore, në përjashtim të transaksioneve pronësore që janë bërë me personat fizikë, gjegjësisht qytetarët e Republikës së Kosovës", theksoi Liburn Aliu.
Deputetja Justina Pula (PDK) theksoi se prona është e garantuar me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane. Keqpërdorimet i krijoi vetë sistemi, madje Serbia mori edhe regjistrin kadastral të Kosovës, ndaj kjo e vështirësoi edhe më shumë çështjen e pronave, përkatësisht kthimin e tyre pronarëve legjitim.
Duke folur në emër të GP të LDK-ës, Armend Zemaj tha se marrja e tokave ishte ide e vjetër e Serbisë për spastrim etnik. Ky grup parlamentar, theksoi Zemaj, kërkon që kërkesat për kthim të pronave t' iu drejtohen Qeverisë së Kosovës. Deputeti Zemaj tha se procesi i dekolonizimit nuk u krye më 1999 për t' iu kthyer pronat pronarëve legjitim. Ai na vazhdim përmendi se si u uzurpuan pronat nga pushtuesi serb, siç ishte rasti me pronën Brenda kompleksit të Qendrës Universitare në Prishtinë, me "Trepçën", tokat rreth Manastirit të Deçanit etj.
Deputetja Time Kadrijaj (GP i AAK) përshkroi hollësisht se si u morën padrejtësisht pronat e kompanive "Iliria" dhe "Apiko" nga ana e Manastiri i Deçanit.
Në emër të GP të SLS-ës Sasha Mihajlloviq tha:"Ne kundërshtojmë kthimin e tokave nga ana e Manastirit të Deçanit, sepse ato iu kanë dhënë me vendim nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës. E konsiderojmë kundërkushtetues këtë debat, ndërsa Rezoluta e paraqitur është e drejtuar kundër kishës serbe. Kjo tregon se e drejta kushtetuese iu mohohet serbëve", theksoi ai. Deputeti Shaip Muja tha se Rezoluta e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje duhet të jetë më e kompletuar.
Në diskutimin e tij nënkryetari i Kuvendit Sabri Hamiti tha se ekziston një vendim i Kuvendit të Kosovës i vitit 2003, me të cilin kërkohet që të vlerësohen si antikushtetuese dhe të anulohen të gjitha vendimet që janë marrë më 1989, por qeveritë e Kosovës nuk e zbatuan. Ai pastaj foli edhe për blerjen e tokave publike nga individë të ndryshëm me çmime qesharake. Deputeti Hydajet Hyseni tha se çështja e pronave të Manastirit të Deçanit është çështje e drejtësisë, ndaj zgjidhja duhet të jetë juridike, e jo parlamentare e politike.
Deputetëve iu drejtua me një fjalë edhe Jakup Krasniqi, i cili shprehu habinë me qasjen ndaj kësaj teme se kjo qenka antikushtetuese, ndërsa për këtë nuk pati reagime të duhura."Nuk kërkojmë t'i merret asgjë asnjë kishe e asnjë xhamie. Ky kthim i pronave duhet të bëhet në mënyrë ligjore", tha ai.
Shtrohet pyetja në bazë të cilit ligj u eksproprijuan pronat në Kodrën e Diellit. Kjo duhet të bëhej në mbështetje të ligjit, por jo në mënyrë selektive, u shpreh ai. Në vijim ai tha se nuk duhet ta shikojmë çështjen se pse iu ka kthyer prona kishës, por duhet të shihet baza ligjore se si u bë ajo. Në këtë seancë nuk janë komisionet, nuk janë ministrat e resorëve përkatës. Kjo tregon nivelin e ulët të kulturës demokratike. "Nuk jemi në nivelin e përgjegjësisë që e kemi marrë nga qytetarët. Dikush ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme në këtë kohë. Për pasurim të paligjshëm kanë faj edhe prokurorët edhe gjykatësit. Korrupsioni ka marrë shtrirje të gjerë", theksoi kryekuvendari Krasniqi.
Në mungesë të kuorumit mbledhja e Kuvendit ndërpreu punimet.