Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 04.04.2013
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti, filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës. Me këtë rast deputetët ngritën çështje të ndryshme nga jeta shoqërore, ekonomike e politike. Ndërkaq, në pyetjet e deputetëve u përgjigjën: Ibrahim Makolli, ministër i Diasporës, Agim Çeku, ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ramë Buja,ministër i Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ferid Agani, ministër i Shëndetësisë.
Në vazhdim u bë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për sistemin e pagesave, për të cilin rekomandimet i paraqiti, kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa,Safete Hadërgjonaj. Kuvendi pastaj me shumicë votash aprovoi Projektligjin për sistemin e pagesave. Pastaj u vazhdua me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për kontrollin e duhanit, për të cilin rekomandimet e Komisionit për Punë dhe Mirëqenie Sociale i paraqiti Time Kadrijaj,zëvendëskryetare e parë e këtij Komisioni. Me shumicë votash u aprovua edhe ky Projektligj.
Pikë vijuese e seancës ishte interpelanca e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me dyshimet për keqpërdorimet në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përfshirë Kontratën e pasaportave biometrike me kompaninë austriake (OESD).
Në emër të parashtruesit të interpelancës,foli deputeti Rexhep Selimi, i cili theksoi se ky grup parlamentar ka thirrur në interpelancë ministrin Bajram Rexhepi lidhur me keqpërdorimet që kanë ndodhur në këtë ministri, e cila , si u shpreh ai, është më e korruptuara në kuadër të Qeverisë së Kosovës. Ryshfetin prej 1,4 milionë euro e ka konfirmuar Natalija Velijaj, ndërsa skandali me pasaportat biometrike ka dëmtuar procesin e liberalizimit, tha Selimi.
Në fjalën e tij, mjaft të gjerë, ministri i Punëve të Brendshme , Bajram Rexhepi, paraqiti para deputetëve një historik shumë të hollësishëm lidhur me të gjitha tenderët e kësaj ministrie që kishin të bëjnë me rastin e prodhimit të pasaportave biometrike, por edhe të tenderëve tjerë për blerjen e pajisjeve të ndryshme. Ai informoi deputetët edhe për çështjen e 1,4 milionë eurove , për të cilën tha se janë duke u zhvilluar hetimet."Mirëpo, derisa të përfundojnë hetimet nuk mund të flasim me hamendje", theksoi Rexhepi. Ai në vazhdim foli edhe për vjedhjen në Dhomën e Dëshmive që ngjau më 25 prill të vitit 2009. Pasi përshkroi se si dukej objekti pas vjedhjes, ai tha se me këtë rast janë vjedhur 47 kilogramë heroinë , 3800 euro, një sasi parash në valuta të tjera , por nuk ka pasure vjedhje të asnjë dosjeje. Prokuroria Speciale kishte marrë vendim që çështja të kalojë në kompetencë të EULEX-it. Në përfundim të paraqitjes së tij rreth kësaj vjedhjeje, ministri Rexhepi tha se kjo është njollë, por në atë kohë pohoi se nuk ka qenë në ministri , por ka qenë kryetar i Komunës së Mitrovicës.
Një vështrim të gjerë ministri Rexhepi i bëri edhe aktiviteteve që zhvillohen në performancën e gjithmbarshme të MPB-së. Në këtë aspekt tha se edhe në Dhomën e Dëshmive, falë një donacioni amerikan janë bërë përmirësime që kanë avancuar shumë sistemin e sigurisë së kësaj dhome.Në përfundim të fjalës së tij ai tha se të gjitha punët dhe veprimet e ndërmarra në MPB janë bërë në baza ligjore.
Në emër të GP të PDK-ës , Ganimete Musliu theksoi se debatet janë të mirëseardhura, por ato nuk duhet të bëhen në funksion të fushatave. Ministri Rexhepi, tha ajo, sqaroi me korrektësi se çfarë po bëhet në këtë ministri në aspektin e forcimit të përgjegjësisë dhe të përformancës, duke ditur se sundimi i ligjit nuk ka alternativë.
Duke folur në emër të GP të LDK-ës, Anton Çuni tha se në Kosovë ka rritje të krimit, të plaçkitjeve, kultura e trafikut është kaotike, po zhvillohet tregu i zi, po përdoret dhuna ndaj policisë, ka krime ekonomike e kufizime të lëvizjes. Të gjitha këto, tha ai, sjellin demotivim në policinë e Kosovës, ndaj për këtë duhet të jepet përgjegjësi nga ministri, sepse ai është përgjegjës për këto dobësi, theksoi z. Çuni.
Visar Ymeri nga GP të Lëvizjes Vetëvendosje tha se kërkimi i përgjegjësisë nuk mund të shpjegohet si ndërhyrje, fjalë kjo që nga qarqe ndërkombëtare po përdoret dendur, sa herë që flitet për qëndrimet kritike ndaj dobësive të ndryshme në institucione. Ai shtroi pyetjen se pse kompanisë OESD iu vazhdua afati dhe njëkohësisht iu bartën mjetet në xhirollogarinë e saj, megjithëse ajo nuk kishte plotësuar kushtet.
Burim Ramadani në emër të GP AAK-ës theksoi se ky mocion është një formë e shprehjes së pakënaqësisë ndaj gjendjes në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Edhe Kuvendi duhet ta thotë fjalën e vet për këtë ministri dhe për dorëheqjen e ministrit të saj. "Me vite kemi dhënë vërejtje e propozime për nevojën e performancës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nuk mund të mbyllim sytë para degradimit dhe dobësive të kësaj ministrie. Ka pasur ndërhyrje politike në këtë ministri, nuk është punuar sa duhet për sundimin e ligjit. "Lista e gjatë e dështimeve shtron domosdonë për ndryshime në këtë ministri. Ne do të votojmë për dorëheqje të ministrit Rexhepi, theksoi Burim Ramadani.
Myzejene Selmani në emër të KKR-ës tha se ky grup ka përkrahur interpelancën lidhur me keqpërdorimet që janë bërë me rastin e pasaportave. Në këtë vështrim ajo propozoi që organet përkatëse të hetuesisë të hetojnë çështjen e pasaportave biometrike.
Gjatë debatit të gjerë deputetet e opozitës drejtuan tone kritike edhe për dobësi të tjera në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke e bërë përgjegjës për këtë ministrin Rexhepi, ndërsa njëkohësisht kërkuan dorëheqjen e tij. Kjo kërkesë u bë edhe nga parashtruesi i kërkesës për interpelancë, por gjatë votimit kjo nuk u përkrah.
Mbledhja vazhdon punën me pikat e mbetura nga rendi i ditës.