Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
E Enjte, 04.04.2013
Mbledhja e rregullt plenare (e nisur në javën e kaluar), vazhdoi sot nën kryesimin e dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Në këtë mbledhje (një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti), fillimisht u hodhën në votim rekomandimet e Grupit Parlamentar të LDK-së. Rekomandimet e këtij grupi parlamentar, të bazuara edhe në debatin e zhvilluar nga mbledhja e kaluar, i paraqiti deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami. Votimi për rekomandimet e propozuara ndërkaq, rezultoi të jetë me vota të barabarta 38 me 38. Sipas këtij rezultati, bazuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit, rekomandimet e propozuara nuk morën votat e mjaftueshme për miratim.
Pas kësaj, deputetët me shumicë votash miratuan Raportin e performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2011, shqyrtimi i të cilit ishte bërë në mbledhjen e kaluar.
Në vijim, deputetët proceduan me zgjedhjen e një anëtari në Këshillin e Komisionit të Pavarur për Media. Propozimet e Komisionit Ad hoc, i paraqiti deputetja Xhevahire Izmaku, e cila njoftoi se të propozuarit e këtij Komisioni janë dy kandidat: Lumturie Blakaj dhe Driton Çeriqi.
Asnjëri nga kandidatët për anëtar të KPM-së, nuk siguroi votat e mjaftueshme.