Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Mërkure, 03.04.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Ali Sadriu, u diskutua rreth sistemit te menaxhimit te pasurisë.
Të ftuar në këtë takim ishin Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, Drejtori i Thesarit, Fatmir Plakiqi, si dhe zv/auditori i përgjithshëm, Artan Venhari. Ndërsa, mosprezenca e zv.ministrit të Financave, Ramadan Avdiu, në mbledhjen e komisionit për të diskutuar lidhur me çështjen e sistemit të menaxhimit të pasurisë, u kritikua nga kryetari i komisionit.
Fillimisht kryetari i komisionit Ali Sadriu, theksoi se bazuar në raportet e ZAP-it që ka shqyrtuar komisioni, pothuajse në të gjitha rastet sistemi i pasurisë nuk ka qenë në rregull. Andaj, shtoi ai, është momenti i duhur që të ndërmerret diçka në këtë drejtim dhe të ketë vetëm një sistem të tillë.
U tha po ashtu se sistemi aktual ka mangësi, meqë operohet me dy sisteme, gjë e cila ngërthen probleme.
"Të kemi një sistem i cili do të funksionojë në tërë institucionet vetëqeverisëse", u tha gjatë këtij takimi.
Rreth kësaj çështje foli edhe zv/auditori i përgjithshëm, Artan Venhari, i cili vlerësoi se ZAP mund të ofrojë përkrahje që të tejkalohen këto probleme, që të ketë një sistem unik. "Mos të këtë dyfishim ose trefishim të informatave hyrëse, por të ketë një sistem të përbashkët. Në ofrojmë përkrahjen tonë për të tejkaluar këtë problem dhe për të ndihmuar", tha Venhari.
Ndërkaq, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar tha mes tjerash tha se sistemi i pasurisë është shtrirë në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe se përjashtim bëjnë institucionet të cilat akoma nuk kanë resurse të mjaftueshme. Ai tha se sistemi ofron menaxhimin e pasurive kapitale dhe atyre jokapitale dhe se në sistem kanë qasje auditor të brendshëm të institucioneve e ata të jashtëm.
Duke përmendur pengesat dhe vështirësitë të cilat janë cekur në raportet e auditorit ai u pajtua se ka mungesë të stafit të mjaftueshëm në institucione, zyrtarë të pasurisë, së logjistikës dhe depove. "Një zyrtar kryen më shumë se një funksion", tha ai duke shtuar se në të ardhmen duhet të bëhet një trajnim më i madh i zyrtarëve të kësaj fushë nëpër të gjitha institucionet e Kosovës.
"Të krijojmë një sistem edhe më të përdorueshëm dhe më të implementueshëm. Duhet të evidentojmë problemet dhe te gjeturat", tha ministri Yagcilar.
Ndërsa, Drejtori i Thesarit Fatmir Plakiqi, tha se thesari punon me sistem informativ të menaxhimit financiar dhe ky sistem ka hyrë në funksion në vitin 1999-2000, por që nga nëntori i vitit 2006 e ka të integruar modulin e menaxhimit të sistemit të pasurisë. "Të gjitha organizatat buxhetore kanë qasje në këtë modul. Aktualisht janë 136 përdorues aktiv. Sistemi bënë në mënyrë automatike amortizimin vjetor' tha ai duke shtuar se ata janë të gatshëm për të bashkëpunuar në këtë aspekt në mënyrë që të shohim një rrugëzgjidhje për këtë çështje.
Gjatë këtij takimi unanimisht u theksua se duhet të te ketë një sistem me të avancuar dhe unik.
Me këtë rast Komisioni rekomandoi që këto subjekte (Ministria e Administratës Publike, Thesari dhe ZAP-i) të formojnë një ekip të përbashkët në mënyrë që të trajtojnë këtë çështje dhe në një afat prej një muaji në komision të sillet një raport dhe të prezantohet, në mënyrë që fundi i vitit të gjitha organizatat buxhetore t'i gjejë me një sistem unik. U theksua se duhet të ngritet niveli i kontrollit tek secila organizatë buxhetore.
Pas këtij diskutimi, anëtarja e komisionit Valbona Dibra, propozoi që të kërkohet nga ZAP-i raport me shkrim lidhur me keq-menaxhimin e stafit që po bëhet nga ZAP-i, tha Dibra. Mirëpo, pas një diskutimi të gjerë lidhur me këtë çështje, ata u dakorduan që kjo çështje të diskutohet në mbledhjen e radhës.