Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Mërkure, 03.04.2013
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim,Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, në fillim u shqyrtuan raportet e komisioneve të përhershme lidhur me Projektligjin për Organet qeveritare për shoqërinë e informacionit dhe Projektligjin për administrimin e punës në zyrë. Me këtë rast u tha se nga komisionet e përhershme të Kuvendit kanë arritur raportet, të cilat u përkrahën nga Komisioni. Në këtë mënyrë ky komision njëkohësisht procedoi më tutje këtë Projektligj në Kuvend.
Në vijim Komisioni shqyrtoi Raportin e Grupit Punues për monitorimin e Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Para anëtarëve të Komisionit këtë Raport e prezantoi kryetarja e grupit punues , Xhevahire Izmaku, e cila theksoi se qëllim i monitorimit të Ligjit është vlerësimi i zbatimit të tij në praktikë. Në këtë frymë ky grup punues në periudhën nëntor -dhjetor 2012 ka realizuar një takim në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, një takim në OSBE; ka pasur një punëtori ditore, si dhe 6 takime në terren, përkatësisht në: Ministrinë e Administratës Publike, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, institucionin e Avokatit të Popullit, Kuvendin Komunal në Prishtinë, Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, si dhe në Zyrën Administrative në pjesën veriore të Mitrovicës. Mbi bazën e këtyre vizitave është bërë Raporti i prezantuar para Komisionit, që përmbyllet me disa rekomandime. Në vijim u zhvillua një debat i gjerë, në kuadër të të cilit u theksuan disa nga shkeljet ligjore, sidomos në lëmin e themelimit të marrëdhënies së punës. Vëmendja e diskutuesve u përqendrua posaçërisht në përcaktimin më të mirë ligjor të kompetencave dhe përgjegjësive të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Duhet të parashihen dispozita ligjore që vendimet e këtij Këshilli të jenë më obligative, përkatësisht të zbatohen me përpikëri nga institucionet që bëjnë shkelje ligjore,veçanërisht në rastet e përjashtimit pa të drejtë të punëtorëve nga puna. Për të vënë një rregull në këtë fushë, u propozua që të amendamentohet Ligji që rregullon veprimtarinë e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Mbi bazën e diskutimeve të zhvilluara Raporti do të pasurohet me plotësimet e vërejtjet e dhëna, dhe do të shqyrtohet edhe njëherë në këtë Komision.