Lajmet e fundit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
E Marte, 02.04.2013
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, vendosi që vazhdimi i mbledhjes së 29 marsit, të mbahet më 4 prill të këtij viti, në rendin e ditës të së së cilës do të jenë: votimi i rekomandimeve të Debatit parlamentar për gjendjen ekonomike në Kosovë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, votimi i Raportit të performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2011 dhe zgjedhja e një anëtari të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media.
Më 4 prill do të mbahet edhe seanca e rregullt, në të cilën pas pikave të rëndomta të rendit të ditës: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, do të shqyrtohen për herë të dytë dy projektligje, përkatësisht Projektligji për sistemin e pagesave dhe Projektligji për kontrollin e duhanit.
Në vijim të rendit të ditës do të jenë interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, sipas kërkesë së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me dyshimet për keqpërdorimet në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përfshirë Kontratën e pasaportave biometrike me kompaninë austriake (OESD), debati parlamentar lidhur me Raportet e institucioneve ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, debati parlamentar lidhur me tjetërsimin e pronës publike dhe shoqërore gjatë periudhës 22 mars 1989 deri me 10 qershor 1999, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, debati parlamentar lidhur me ndryshimin e politikave fiskale në funksion të nxitjes,rritjes së prodhimtarisë vendore dhe zhvillimit ekonomik në tërësi, sipas kërkesës së
deputetit Ramiz Kelmendi, i mbështetur nga deputetët nënshkrues, shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me vendimin e presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjin nr. 04-L-163 për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Buxhet dhe Financa për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, shqyrtimi i Raportit vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2012, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2012, miratimi i Marrëveshjes së deputetëve nga radha e komuniteteve tjera joshumicë dhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga këto komunitete.
Në vijim Kryesia shqyrtoi disa rekomandime e kërkesa. Përkitazi me kërkesën e Grupit Parlamentar të LDK-së, për debat parlamentar lidhur me statusin e pazgjidhur të punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990/1 deri në vitin shkollor 1998/9,u tha se kjo kërkesë plotëson kushtet për procedim në Kuvend, ashtu si edhe kërkesa e të njëjtit grup parlamentar për debat parlamentar për ndërmarrjen "Trepça".
Lidhur me kërkesën e Grupit Parlamentar të SLS-së për formimin e Komisionit për Standardizim të gjuhëve në Kuvendin e Kosovës u tha se në zyrat përkatëse për standardizim gjuhësor të Qeverisë dhe të Kuvendit duhet të kalojë secili projektligj dhe material tjetër që vihet në procedurë në Kuvend, në gjuhën shqipe,serbe dhe angleze, ndërsa nuk shihej nevoja për formimin e komisionit për standardizim. Ndërkaq,u përkrah kërkesa e deputetes Alma Lama për procedimin e Projektligjit për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë. Kryesia u njoh me njoftimin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me përzgjedhjen e auditorit të jashtëm për auditimin e pasqyrave financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2012, si dhe me njoftimin e Komisionit për Integrime Evropiane për vizitën e realizuar në Sarajevë.
Kryesia në vazhdim shqyrtoi edhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit me rotacion nga radhët e Grupit Parlamentar 6+. Myfera Shinik, kryetare e këtij grupi parlamentar, e njoftoi Kryesinë se është arritur marrëveshja e këtij grupi për ndërrimin me rotacion të nënkryetarit të Kuvendit në çdo gjashtë muaj. Kryesia vendosi që në Kuvend të procedohet për votim marrëveshja e arritur.
Në vijim shefi i Grupit parlamentar të LDK-ës Ismet Beqiri paraqiti kërkesën e këtij grupi që të mbahet një mbledhje solemne kushtuar Betejës së Koshares. Kryesia mori vendim që mbledhja kushtuar kësaj beteje të mbahet më 8 prill të këtij viti.