Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Jashtme priti delegacionin parlamentar nga Zvicra
E Marte, 02.04.2013
Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme kanë pritur sot delegacionin parlamentar zviceran të kryesuar nga znj. Maya Graf, kryetare e Këshillit Nacional dhe e Kuvendit Federal të Zvicrës. Në takim është biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, si dhe për problemet e bashkëkombësve tanë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër.
Duke u uruar mirëseardhje në Kosovë dhe falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit zviceran për Kosovën, kryetari i Komisioni për Punë të Jashtme, Albin Kurti, ka folur për gjendjen e përgjithshme në Kosovë, me theks të veçantë për gjendjen ekonomike dhe për rolin që ka emigracioni në vendet perëndimore për mbijetesën e popullit të Kosovës. "Dhjetë për qind e qytetarëve të vendit tonë jetojnë në Zvicër, duke i kontribuuar zhvillimit të vendit tuaj, por edhe familjeve të tyre në Kosovë", ka theksuar Kurti. Prandaj ai i ka quajtur të pakuptimta problemet në lëmin e sigurimeve sociale dhe pensionale për qytetarët tanë në Zvicër, si dhe zvarritjen e arritjes së marrëveshjes së favorshme me Kosovën. Lidhur me akuzat e shpeshta të mediave zvicerane për deliktet e qytetarëve nga Kosova, Kurti ka theksuar: "Abuzimet individuale të bashkëkombësve tanë me ligjin zviceran nuk duhet të prodhojnë pasoja kolektive për qytetarët e Kosovës". Ai i ka lutur parlamentarët zviceranë që të ndikojnë pozitivisht tek qeveritarët e tyre për zgjidhjen problemit.
Kryetarja e Këshillit Nacional dhe e Kuvendit Federal të Zvicrës, Maya Graf, duke i vlerësuar shumë të mira marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ka pohuar problemet që ekzistojnë në lëmin e sigurimeve sociale dhe pensionale për qytetarët me origjinë nga Kosova që jetojnë dhe punojnë, ose kanë jetuar për një kohë në Zvicër. Ajo është shprehur se i kupton shqetësimet e qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për realizimin e të drejtave të qytetarëve të tyre për kontributet dhënë shtetit zviceran, duke i theksuar edhe pasojat e mosvazhdimit edhe për Kosovën të marrëveshjeve të arritura me Federatën Jugosllave në lëmin e sigurimeve sociale dhe pensionale.
Edhe zëvendëskryetari i Parë i Këshillit Nacional Zviceran, Ruedi Lustenberger, si dhe anëtarët e tjerë të delegacionit, drejtues komisionesh dhe grupesh parlamentare: Ueli Leuenberger , Hansjörg Hassler, Roland Fischer, Andy Tschümperlin dhe Adrian Amstutz, kanë shprehur interesimin e tyre për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve tanë në Zvicër dhe janë angazhuar për marrëdhënie sa më të mira me Kosovën dhe me qytetarët e saj. Ata gjithashtu janë interesuar për gjendjen e sigurisë në Kosovë, që paraqitet arsye për kërkimin e strehimit në Zvicër të shumë qytetarëve që vijnë nga Kosova.
Anëtarët e Komisionit kanë pohuar se arsyet e sigurisë për kërkim të strehimit jashtë vendit janë zbehur shumë, por janë forcuar arsyet ekonomike, për shkak të papunësisë së madhe në Kosovë.
Nënkryetari i Komisionit, Hydajet Hyseni , i cili ka përkujtuar se një pjesë të rinisë së tij e ka kaluar në Zvicër, ka theksuar rëndësinë që ka pasur strehimi i bashkëkombësve tanë atje, jo vetëm për mbijetesë të tyre, përfshirë familjen, por edhe për qytetërimin, për evropianizimin dhe emancipimin e popullit të Kosovës.
Emilia Rexhepi ka theksuar se Zvicra, si për popullsinë shumicë, shqiptarët, ka pasur të njëjtën rëndësi edhe për komunitetet pakicë në Kosovë. Ajo ndërkaq Kuvendin shumëgjuhësh të Kosovës e ka krahasuar me Parlamentin e Zvicrës, duke uruar edhe zhvillimin e ngjashëm ekonomik dhe demokratik të vendit tonë.
Sabri Hamiti, duke përkujtuar që Zvicra në këto 150 vjetët e fundit ka qenë strehë për revolucionarë të vendeve të ndryshme të Evropës, ka konstatuar se pa mërgatën tonë nuk do të arrihej liria. Ai ka folur për vështirësitë e kalimit të qytetarëve nga civil në luftëtar e pastaj nga ushtaraku në civil, e duke kërkuar mbështetjen e shtetit zviceran që të ndihmohen qytetarët e Kosovës që ta realizojnë jetën dhe të strukturohen në Kosovë.
Donika Kadaj-Bujupi ka theksuar se Kosovën dikur, si një vend ku zbatohej shtypja dhe diskriminimi, të cilit i nevojitej ndihma për mbijetesë, tani më duhet parë si një vend të mirë për të investuar.
Skender Hyseni, ndërkaq, ka ngritur shqetësimin e tij për mosnjohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, duke kërkuar nga parlamentarët dhe qeveritarët zviceranë të lobojnë tek këto vende për njohje sa më të shpejtë të shtetit të Kosovës.
Berat Buzhala ka kërkuar nga zviceranët që ta ndihmojnë Kosovën në lëmin e sportit, duke ndikuar tek FIFA që Kosova të marrë pjesë në kampionate futbolli dhe gara të tjera sportive.
Parlamentarët zviceranë kanë falënderuar mikpritësit për këtë bisedë shumë të hapur dhe janë zotuar se kërkesat e parlamentarëve të Kosovës do t'u bëhen të ditura institucioneve shtetërore të vendit të tyre.
Para fillimit të këtij takimi Komisioni ka shqyrtuar edhe çështje të punës dhe të veprimtarisë së Komisionit. Albin Kurti i ka njoftuar anëtarët e Komisionit, se në konsultim me nënkryetarët dhe anëtarët e tjerë të Komisionit është shtyrë për kohë të pacaktuar mbajtja e Tryezës së rrumbullakët rajonale të kryetarëve të komisioneve për punë të jashtme të vendeve të rajonit. Arsyeja ka qenë konfirmimi i pamjaftueshëm i të ftuarve (vetëm pesë, nga pesëmbëdhjetët të ftuar), si dhe përfaqësimi joadekuat, kryesisht për shkak të agjendave paraprake dhe situatave në disa nga vendet e rajonit (moskrijimi i qeverisë në Bullgari, zgjedhjet në Maqedoni, etj).