Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kuvendit
E Premte, 29.03.2013
Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të së cilës e udhëhoqi Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit), deputetët zhvilluan debat parlamentar lidhur me gjendjen ekonomike në Kosovë. Ky debat u zhvillua sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së, me ç'rast për qëllimin e tij në emër të këtij Grupi Parlamentar, njoftoi deputetja, Hykmete Bajrami.
Lidhur me këtë, ajo tha: „Gjendja ekonomike në Kosovë sa vjen e keqësohet. Të dhënat për papunësisë tregojnë se 70% e të rinjve janë të papunë dhe varfëria është thelluar tej mase". Në vijim, ajo vlerësoi se edhe pesë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, institucionet e Kosovës karakterizohen me jo efikasitet, korrupsion dhe nepotizëm. Me këtë rast, Bajrami përkujtoi edhe premtimet elektorale, për të cilat tha se ato nuk janë mbajtur. Për planin Zhvillimor të Qeverisë, i cili kishte paraparë rritjen e ekonomike prej 7 %, ajo tha se nuk është realizuar, por, përkundrazi është shënuar rënie e zhvillimit ekonomik. Ajo në vijim paraqiti një analizë të bërë nga ky grup parlamentar, sipas së cilit rezultonte se në vitin 2008 rritja ekonomike ka qenë 6.9%, ndërsa, në vitin 2012, sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike është vetëm 2.7%. Ajo u shpreh kritike edhe për mosangazhimin e krijimit të vendeve të reja të punës, ku sipas saj, përqindja e të papunëve arrin në 45 %. Duke folur për shkaqet e moszhvillit ekonomik, Bajrami vuri në spikamë edhe numrin e madh të ministrive si dhe numrin po ashtu të stërmadhuar me zv. ministra në Kabinetin Qeveritar. Lidhur me investimet publike, Bajrami tha se ato janë strategjikisht të gabuara, ndërkaq për investimet në Autostradën Morinë- Merdar, tha se nuk janë duke dhënë asnjë efekt në ekonominë vendore. Në vijim të paraqitjes së saj, ajo drejtoi kritika edhe nga lëmi i bujqësisë, arsimit dhe shëndetësisë.
Pas kësaj, fjalën e mori kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi. Debatin e iniciuar nga Grupi Parlamentar LDK-së, ai vlerësoi të dobishëm për ballafaqim të ideve dhe koncepteve për zhvillim ekonomik. Është rast i mirë tha në vijim ai, që realitetet të prezantohen jo të motivuara politikisht, por ashtu siç janë. Në vijim, kryeministri, Thaçi u shpreh: " Gjatë kësaj periudhe pesë vjeçare, për aq sa jam përkushtuar për realizimin e prioriteteve strategjike në rrafshin politik për Republikën e Kosovës, jam përkushtuar edhe për realizimin e orientimeve strategjike në rrafshin ekonomik". Krahas lirisë dhe stabilitetit politik, tha në vijim ai, parakusht për ngritjen e mirëqenies sociale dhe materiale të qytetarëve, është edhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. Duke paraqitur punën e Qeverisë dhe realizimin e projekteve zhvillimore të saj, kryeministri tha:" Gjatë këtyre pesë viteve, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje mesatare ekonomike prej rreth 5%. Kjo mesatare e rritjes reale ekonomike, është gati dy herë më e lartë se mesatarja e rritjes reale ekonomike para shpalljes së Pavarësisë". Ky fakt, vazhdoi ai, tregon se politikat ekonomike kanë qenë të suksesshme në shënimin e progresit ekonomik. Të ardhurat për kokë banori, kanë shënuar rritje të vazhdueshme ekonomike deri në 70%, ndërkaq, përkundër krizës globale, Qeveria ka arritur të mirëmbajë qëndrueshmërinë makrofinanciare. Ai shtoi se Qeveria është e përkushtuar për realizimin e reformës të të bërit biznes, me qëllim të përforcimit të ekonomisë së lirë të tregut. Ai përmendi lehtësimet fiskale dhe projektet infrastrukturore të realizuara. Për investimet publike, kryeministri tha se ato janë bërë kryesisht në infrastrukturë, shëndetësi dhe shkollim, ndërkaq, investimin në auto rrugë e cilësoi si historik. Ai, po ashtu foli edhe për projektet në realizim, privatizimin, gjendjen dhe investimet që do të bëhen në lëmin e energjetikës, bujqësisë dhe shëndetësisë.
Pas kësaj, fjalën e morën përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Në emër të PDK-së foli Zenun Pajaziti, i cili tha se ky grup parlamentar e vlerëson të dobishëm debatin, duke shprehur bindjen se nga ai do të dalin ide që do të koontibuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Duke folur për të arriturat në ekonominë kosovare, ai vlerësoi se përkundër krizës globale, Kosova ka ruajtur stabilitetin makroekonomik, si dhe rritjen e bruto produktit vendor me mbi një miliard euro nga viti 2009. Ai çmoi përkushtimin e Qeverisë në përpjekjet e saj për krijimin e kushteve më të mira për sektorin privat si dhe përpjekjet e vazhdueshme për krijimin e vendeve të reja të punës. "Në kuadër të këtyre politikave, Qeveria ka arritur të ruaj borxhin publik në nivel të ulët. Po ashtu përmes politikave monetare fiskale, janë rritur të ardhurat doganore përmes rritjes së akcizës". Ai përmendi me këtë rast edhe lehtësimet që Qeveria ka krijuar për investitorët si dhe subvencionet në fusha të ndryshme nga lëmi i ekonomisë. Në emër të LDK-së, Ismet Beqiri tha se pajtohet me ekspozenë të cilin në emër të këtij Grupi Parlamentar e paraqiti deputetja Bajrami, ndërkaq, kërkoi nga kryeministri Thaçi, që të mos e orientoj debatin, për siç u shpreh ai, qeverisjen në Prishtinë. Ai kritikoi investimet e ulëta në bujqësi, dhe po ashtu vlerësoi se përfitimet nga investimet në disa projekte të infrastrukturës, janë minimale. Se ka stagnim ekonomik në Kosovë, Beqiri e ilustroi me faktin e gjendjes së rëndë të qytetarëve, me një papunësi të lartë dhe të ardhurat e ulëta të atyre që janë në marrëdhënie pune. Ai, po ashtu kritikoi kryeministrin për politizim të ndërmarrjeve publike.
Pas kësaj, kryeministri i vendit duke shprehur mospajtim me paraqitjen e deputetit Beqiri, insistoi të faktojë se në kryeqytet ka pasur ngecje, duke potencuar gjithashtu se investimet e Qeverisë që ai udhëheq janë disa herë në të larta se sa ato që ishin bërë gjatë kohës sa LDK-ja qeveriste me vendin. Këto deklarata, nxitën debat në mes të kryeministrit dhe Grupit Parlamenatr të LDK-së.
Qëndrim kritik për Qeverinë, paraqiti edhe përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri. Duke iu referuar temës së debatit, Ymeri ishte i mendimit se kur debatohet për ekonominë, së pari duhet të diskutojmë për modelin e ekonomisë. Ai me këtë rast vuri në spikamë praktikat e shteteve dhe popujve të ndryshëm se si ata e kanë trajtuar këtë çështje në rrethana dhe situata të ndryshme. Për sa i përket ekonomisë në Kosovë, ai vlerësoi se trendi i rritjes së ekonomisë në Kosovë ka mbetur i njëjtë sikurse në pesë vitet e shkuara. Konstatimin për qëndrueshmërinë ekonomike, për të cilën kryeministri Thaçi th se ekziston, Ymeri nuk vlerësoi të saktë. Nga modeli i ekonomisë të cilin e aplikon Qeveria e Kosovës, Ymeri tha se më së shumti përfitojnë bankat komerciale. Dukje iu referuar investimeve të huaja, ai tha se ato janë të koncentruara kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë, në prodhimtari në shkallën prej 18.8%, patundshmëri në16.9% dhe në sektorin financiar në masën prej 17.4%. As një nga këto investime, përpos atij në sektorin e prodhimtarisë, nuk garanton rritje të qëndrueshme ekonomike, tha Ymeri.
Se Kosova nuk ka shënuar rritje të kënaqshme ekonomike, ishte i mendimit edhe shefi i Grupit Parlamenatr të AAK-së, Ardian Gjini. Duke shprehur mospajtim me deklarimet e kryeministrit, se të hyrat vjetore në Kosovë kanë shënuar rritje me mbi 50%, ai iu referua statistikave ku rezultonte se në vitin 2007 ato kanë qenë 943 milion euro ndërsa në vitin 2012 ato arrinin në një miliardë e 128 milion euro. Sipas këtyre statistikave që ai iu referohej rritja e shënuar ishte 15 %.
Përfaqësuesja e KKR-së, Myzejen Selamani, ndërkaq, vlerësoi se zbatimi i Ligjit është sfidë e madhe për Qeverinë. Shikuar gjendjen ekonomike të qytetarëve, as ne si subjekt politik nuk jemi të kënaqur, ndonëse zhvillimi ekonomik ka shënuar rritje. Sipas saj, Kosova do të arrijë zhvillim të kënaqshëm ekonomik, duke forcuar sektorin prodhues të vendit dhe duke stimuluar bujqësinë .
Pas kësaj, në këtë debat u angazhuan edhe deputetët: Berat Buzhala, Sabri Hamiti, Sali Morina, Hashim Deshishku, Fadil Demaku e të tjerë, ku shfaqeshin mos pajtime në mes të pozitës dhe opozitës.
Për sa i përket zhvillimit ekonomik, sfidave dhe të arriturave në këtë fushë, foli edhe zv. kryeministrja dhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila. "Progres ka pasur, ky progres është i shënuar dhe i njohur", tha ajo. Për zhvillimin e ekonomik në Kosovë, i cili sipas saj është duke u vlerësuar dhe çmuar edhe nga faktorët relevant ndërkombëtar (Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar), tregon se Kosova është në rrugë të mirë të zhvillimit ekonomik.
Mos zhvillimin e duhur, ajo e arsyetoi me kapacitetet e limituara të Qeverisë së Kosovës. Ajo, po ashtu foli edhe për iniciativat dhe reformat që do të marri Qeveria për të realizuar investime të jashtme dhe zhvillimin e sektorit privat në Kosovë.
Pas kësaj fjalën e mori lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Sipas tij, rritja ekonomike në Kosovë, nuk është as e qëndrueshme e as gjithëpërfshirëse". Ajo bazohet në import, remitanca dhe shpenzime qeveritare", tha ai.
Duke iu drejtuar deputetëve, ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ndërkaq, tha: " Është periudhë e rëndë e krizave financiare në nivel botëror dhe Kosova nuk është e izoluar nga këto, por, është e rëndësishme të thuhet se Kosova në këtë periudhë, jo vetëm që ka ruajtur sistemin makroekonomik, por ka pasur edhe rritje të brudo produktit vendor. Kjo rritje është vlerësuar lartë nga institucionet financiare ndërkombëtare, siç janë Banka Botërore (BB) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN)". BB-ja dhe FMN-ja, tha tutje ai, kanë vlerësuar se Kosova, për sa i përket stabilitetit, disiplinës financiare dhe ruajtjes së orientimeve të veta zhvillimore, është model për rajonin. "Nëse iu referohemi ligjeve të Republikës së Kosovës, borxhi publik është i kufizuar në 40% nga GJDP-ija. Ky borxh publik nuk është më i madh se tetë për qind, për ç'gjë tregon se Kosova ka sistem të balancuar financiar, i cili mundëson realizimin e të gjitha projekteve zhvillimore", tha Beqaj.
Në vijim folën edhe deputetët: Kurtan Kajtazi, Afërdita Berisha- Shaqiri, Alma Lama, Kymete Bajraktari, Muhamet Mustafa, Ali Sadria, Safete Hadërgjonaj, Albulena Haxhiu, Sadri Ferati, Nijazi Idrizi, Afrim Kasolli, Teutë Haxhiu, Rita Hajzeraj-Beqa, Hydajet Hyseni, Ramiz Lladrovci, Naser Osmani, Halit Krasniqi, Vjosë Osmani, Arben Gashi, Sala Berisha-Shala e të tjerë. Me këtë rast, u vunë re dallime të shumta në mes të deputetëve. Përfaqësuesit opozitar vlerësonin se Qeveria nuk ia ka dalë të krijojë mundësi e as të hartojë plane të mirëfillta zhvillimore. Ata po ashtu vlerësuan se Qeveria ka lënë anash sektorë të rëndësishëm që do të ndikonin në zhvillim ekonomik (siç është bujqësia). Ndër faktorët tjerë që kanë ndikuar në stagnimin ekonomik, ata cilësuan korrupsionin dhe nepotizmin. Deputetët e pozitës ndërkaq, paraqitnin të arriturat (shtimin e bruto produktit), duke përkujtuar se Kosova ka vetëm pesë vite të shtetësisë së saj.
Për rolin e Ministrisë së Drejtësisë në zhvillimin ekonomik të vendit, foli edhe zv. kryeministri dhe ministri i kësaj Ministrie, Hajredin Kuçi. Lidhur me këtë, ai vlerësoi lart funksionalizimin e sistemit të noterisë dhe Ligjin për procedurën përmbarimore.
Pas përfundimit të diskutimeve, deputetja Hykmete Bajrami, në emër të iniciuesit të këtij debati, propozoi dy rekomandime për Qeverinë. Rekomandimet e paraqitura nga ajo, në mungesë kuorumi nuk u hodhën në votim.
Për të njëjtën arsye, nuk u hodh në votim as Raporti i Performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2011, të cilin e paraqiti deputeti, Ali Sadria.
Në munges koorumi, Kuvendi ndërpreu punimet, ndërkaq, për vazhdimin e saj, do të vendosë Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e saj që do të mbahet të marten.