Lajmet e fundit

U përmbyll “Java e Gruas”

E Premte, 29.03.2013




Është përbyllur sot në Prishtinë konferenca pesëditore "Java e Gruas", e organizuar nga Grupi i Grave Deputete (GGD) të Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me NDI-në dhe USAID-in, e përkrahur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasada norvegjeze, finlandeze dhe ajo britanike.

Në ditën përmbyllëse, të pranishmëve iu drejtua kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija e cila tha se "Javës se Gruas 2012", zgjoi interesim të madh të grave e të mediave, ndërsa bëri jehonë në Kosovë dhe jashtë saj. Ajo tha se gratë, çdo vit po bëhen edhe më të fuqishme, ndërsa "Java e Gruas" po i afrohet gjithnjë e më shumë realizimit të misionit të saj.

"Sivjet është vit zgjedhor dhe ne të gjitha duam ndryshime në përfaqësim të gruas. E dimë se skena politike pas zgjedhjeve do të duket ndryshe, por ndryshimi pozitiv për gruan nuk vjen vetvetiu. Për ketë duhet punuar e luftuar. Nga ne varet se a dëshirojmë të jemi dekor i kësaj skene apo dëshirojmë te jemi partnerë aktivë në modelimin e kësaj skene", theksoi deputetja Sahatqija. Duke ju drejtuar të pranishmeve, ajo tha se "suksesi juaj nuk do të matet vetëm me pozitën tuaj sot, por do të matet me suksesin e grave dhe vajzave të tjera nesër, të cilat ju i keni ndihmuar të kenë sukses".

"Pyetni veten ku ishit dje dhe ku jeni sot, pyeteni veten çdo mëngjes çka dëshironi të bëheni nesër, të arrini sukses me punë e me nder. Pyeteni veten sa vajza i keni ndihmuar në rrugën e suksesit dhe gëzohuni me suksesin e secilës, pasi çdo sukses i tyre do te jete suksesi juaj, do të jetë sukses imi, sukses i të gjitha grave, do të jete sukses për familjet tona, për shoqërinë tonë, për shtetin tonë të ri, të cilin duhet ta ndihmojmë me punë të përbashkët. Mirë u pafshim vitin e ardhshëm, edhe më të shumta në numër, edhe më të fuqishme. Mirë u pafshim ju këshilltare të ardhme komunale, ju deputet të ardhme të Kuvendit, ju ministre apo zëvendësministre te ardhme, ju kryetare komunash, Presidente shteti e Kryetare të Kuvendit", theksoi ndër të tjera Sahatqija.

Kurse deputetja Suzan Novobërdali, duke folur për rëndësinë e këtij organizimi, tha se me që ky vit është vit zgjedhor, duhet të dilet me sa më shumë të zgjedhura në pozita dhe sa më të fuqishme, ku mund të bëjmë ndryshime për gruan, mirëqenien e qytetarit, fëmijët dhe të gjithë shoqërisë.

Për vajtjen e punimeve folën edhe Susan Markham nga NDI dhe Cristopher Edëards nga USAID.

Me këtë rast nga NDI-ja u certifikuan 100 gra. Në emër të certifikuarave falënderuan: Ermira Alushi, Diana Simjanoviq, Mimoza Gavron dhe Ilirjana Gafurri.

U përmbyll “Java e Gruas”