Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 28.03.2013
Në mbledhjen plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr, Jakup Krasniqi, (një pjesë u udhëhoq nga nënkryetari Xhavit Haliti), pas shterimit të pikave të përhershme: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, raportoi për takimin e tij të shtatë me kryeministrin e Serbisë, në Bruksel.
Me këtë rast kryeministri Thaçi duke raportuar para deputetëve të Kuvendit lidhur me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian( baroneshës Catherine Ashton), si dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha se tashmë janë në fazën më të ndjeshme, më substanciale dhe më të vështirë për Serbinë. "Jemi në fazën kur Serbia duhet pa kushte të shpërbëjë strukturat e sigurisë. Është e qartë se ky është një ballafaqim jo i lehtë për ta, sepse duhet të ballafaqohen me një problem që kanë krijuar dhe ushqyer vetë tani e 13 vite. Megjithatë, ka një pajtueshmëri edhe nga ana e Serbisë se këto struktura duhet të shpërbëhen shpejt dhe pa kushte", tha kryeministri Thaçi .
Tutje, ai shtoi se procesi i shpërbërjes së tyre do të mbikëqyrej nga një mekanizëm ndërkombëtarë, sipas të gjitha gjasave EULEX-it, KFOR-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Arsye kryesore pse edhe ky raund u përmbyll pa marrëveshje, ai tha, se janë mospajtimet lidhur me kompetencat e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
"Serbia insiston që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive. Serbia synon që të themelojë në Kosovë një nivel të tretë pushteti, duke rrënuar kështu tërë infrastrukturën ligjore dhe kushtetuese që me shumë mund e kemi ndërtuar ne bashkërisht.
Një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë. Nuk do të lejojmë diçka që do të cenonte rendin tonë kushtetues e ligjor. Nuk do të zgjidhet një problem duke krijuar një problem tjetër edhe më të madh. Nuk do të lejojmë që të riciklojë në Kosovë modelet e shkuara të rajonit, qoftë ajo e Republika Srbska, ndonjë ndarje e Kosovës, ndonjë autonomi, ndonjë status special, ndonjë status të veçantë apo të ndonjë Ahtisari plus", tha kryeministri i vendit, duke shtuar se nuk kanë asnjë lloj presioni nga askush, sidomos nga partnerët ndërkombëtarë që të pranojmë diçka të tillë.
Duke theksuar se presioni tani është në Beograd dhe se ata duhet të ndërrojnë qasjen e tyre ndaj Kosovës dhe të fillojnë të sillen në mënyrë evropiane në raport me Kosovën, sqaroi se takimi që zgjati për më shumë se 12 orë, u mbyll pa marrëveshje, pikërisht pse Serbia nuk ishte në gjendje që të pranonte ofertën që ishte në tavolinë. Ndërkaq, sqaroi se takimi i radhës është caktuar për datën 2 prill dhe Kosova shkon në Bruksel e gatshme për marrëveshje.
"Marrëveshja do të përfshinte jo vetëm çështjen e asociacionit dhe shpërbërjes pa kusht të strukturave paralele, por edhe çështje të tjera shumë të ndjeshme si ajo e personave të pagjetur, e komunikacionit, energjetikës dhe çështje të tjera. Pjesë integrale e marrëveshjes do të jetë edhe plani implementues, menaxhim të definuar qartë, për çka Kosova është e përgatitur.
Tutje, ai përmendi edhe takimin e delegacionit të Kosovës me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Rasmusen dhe sqaroi se nga ai kanë marrë zotimin se në rast marrëveshjeje, KFOR-i do të marrë rolin në kuadër të mandatit që ka për të siguruar dhe ndihmuar implementimin.
"Presim që në të ardhmen e afërt, pas normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, edhe KS e OKB-së të përgatisë dhe miratojë një rezolutë të re, e cila do të bëjë Kosovën anëtare të barabartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si një shtet paqedashës dhe i gatshëm të respektojë rendin dhe përgjegjësitë ndërkombëtare. Sot, shteti i Kosovës ka forcuar subjektivitetin ndërkombëtar. Është e qartë që 2 prilli do të jetë vendimtarë për marrëveshjen.
Ne jemi shumë komod në atë që është në tavolinë, sepse çdo gjë që është aty, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet dhe Pakon e presidentit Ahtisari dhe me standardet më të larta evropiane.
Ne shkojmë në Bruksel të gatshëm për të përmbyllur këtë kapitull dhe për të vendosur që të hapim një etapë të re për Kosovën dhe rajonin në paqe dhe bashkëpunim.
Për këtë kemi mbështetjen e pafund të mikut dhe partnerit tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I kuptoj edhe shqetësimet, por ju lus që të jemi të gjithë të përgjegjshëm. Mos të ndjellim panik e frikë, sepse nuk ka arsye për këto. Prandaj, besoni më shumë Uashingtonit, Berlinit e Londrës e më pak asaj që trumbetohet në mediumet e Beogradit.
Besoni në ne, besoni në vetvete. Marrëveshja përfundimtare vulën do ta marrë në këtë Parlament dhe ajo që ju garantoj, është se kjo marrëveshje do të jetë në dobi të Kosovës dhe të ardhmes së saj euroatlantike", theksoi kryeministri Thaçi.
Deputeti Arsim Bajrami duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se jemi gati në finalizimin e një procesi shumë të rëndësishëm të një procesi shtetëror të Republikës së Kosovës, që i hap rrugë normalizimit të raporteve me Serbinë dhe do t'i hap rrugë agjendës evropiane.
Duke e vlerësuar raportimin e kryeministrit si një praktikë të mirë kushtetuese dhe parlamentare tha se grupi parlamentar i PDK-së i jep mbështetje të plotë vazhdimit të procesit të bisedimeve dhe se janë të sigurtë se ky proces do të mbrojë interesat kombëtare dhe rendin unik kushtetues. Tutje, Bajrami shtoi se qeveria është duke vepruar konform Rezolutës së Kuvendit të Kosovës.
"Integrimi i veriut është një interes kombëtar i Republikës së Kosovës dhe se është pjesë e Kosovës. Fatkeqësisht këto 13 vite nuk kemi mundur as të shtrijmë sovranitetin tonë, as Kushtetutën dhe po i vjen fundi kësaj bllokade serbe. Jemi të sigurtë se po përfundon destruksioni i fundit serb për ta mbajtur peng veriun. Dhe, pas procesit të normalizimit do të kemi sovranitet të veriut, veprim dhe gjendje kushtetuese", tha Bajrami, duke shtuar se kjo do të jetë marrëveshje gjithëpërfshirëse me garancion ndërkombëtar dhe plan të implementimit.
Duke folur për marrëveshjen për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe jokushtetuese të sigurisë ai shtoi se tani këto struktura do të shpërbehen dhe atje do të vendosen autoritetet legjitime ndërkombëtare të sigurisë, të cilat kanë mandat të ushtrojnë funksionin e sigurisë në bazë të Kushtetutës së Kosovës.
Pasi theksoi se do të krijohet qeverisja lokale legjitime shtoi se është me rëndësi që në veri do të funksionalizohet edhe sistemi gjyqësor dhe do të kemi veprim të shtetit ligjor i cili ka munguar atje, ndërsa sa i përket asociacionit të komunave, ai tha se nuk do të kemi pushtet të tretë.
Më tej deputeti Bajrami duke dhënë disa sugjerime për delegacionin e Kosovës për çështjen e bisedimeve me Serbinë, tha se kërkojmë që plani implementimit të jetë i sofistikuar, që ky plan të jetë pjesë e pakos së marrëveshjes dhe që të jetë plotësisht i afatizuar me muaj, me ditë, si dhe të përfshihen obligimet dhe detyrimet e të gjithë partnerëve në implementimin e kësaj marrëveshje.
"Kërkojmë që BE-ja të ketë qasje shumë më afirmative ndaj Kosovës dhe të trasojë rrugën drejt integrimit evropian dhe të fillojë të implementojë një agjendë të qartë të integrimit të Kosovës në BE, si dhe të shpërbleje Kosovën me një status të privilegjuar sa i përket Integrimeve Evropiane.
Tutje, ai tha se duhet të kërkohet nga SHBA-të, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, që të fillojnë idetë e draftimit të një rezolute për Këshillin e Sigurimit, me të cilën do të shfuqizohej Rezoluta 1244 dhe kjo marrëveshje do të implementohej përmes një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit, e cila në një mënyrë edhe do ta fuqizonte këtë marrëveshje dhe përmes kësaj veç tjerash do të trasohej rruga për anëtarësimin e plotë të Kosovës në OKB.
Krejtësisht në fund, Bajrami, tha se ky proces nuk ka qenë aspak i lehtë por ka qenë detyrim shtetëror për ta zgjedhur problemin e veriut. "Urojmë që ky proces të finalizohet duke mbrojtur interesat kushtetuese të Kosovës dhe urojmë që Kuvend i Kosovës të ratifikojë këtë marrëveshje me një unitet politik", tha Bajrami.
Nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se mirëpret vlerësimet e kryeministrit për rezultate që ai i theksoi se janë arritur deri më sot në këtë dialog. Mirëpo, shtoi Hamiti puna e fjalëve dhe kontrata e fjalës ka mbaruar atëherë kur është bërë i pabesueshëm dhe ka kaluar në shkrim, ligje, dhe dokumente. Ai theksoi se puna e fjalës së shkruar është domosdoshmëri. "Prandaj, ajo që dua të theksoj, veçanërisht sot, është le të jetë kështu siç thotë z. Thaçi. Unë mendoj, gjykoj dhe kërkoj në bazë të një, të vetmit dokument, që ka Kuvendi për këtë dialog, e kjo është rezoluta. Pra, bazuar në këtë, të gjitha këto qëndrime që janë fiksuar nga delegacioni i Kosovës të bëhen në tekst dhe të vijnë në Parlament. Dhe, ky është detyrim, sepse ne po themi që po shkojmë kah fundi i bisedimeve, ne po themi që 2 prilli është dita kur vendoset, dita D për Kosovën.
Mendoj që nuk është dita D për Kosovën, por jam njeri që respektoj detyrimin institucional", theksoi nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti.
Më tej, ai shtoi se nuk ka kurrfarë urgjence historike, politike, nacionale, qytetare..që të marrim hov që këto domosdoshmërisht të ndodhin më 2 prill." Aq më tepër më inkurajon kryeministri i cili zotohet se nuk ka kurrfarë presioni prej askujt, as prej miqve të deklaruar, as prej atyre të padeklaruar dhe armiqve, që të pranohet diçka që nuk është në interes të Kosovës. Pra, presion nuk kemi prej askujt, presion kohor për Kosovën nuk kemi, atëherë unë 2 prillin në këtë dialog nuk është shoh ditë D.
Neve na duhen tekste, qoftë edhe kur ne shkëlqejmë nga dëshira ose vullneti që të mbërrijmë atë që kemi, që edhe motivimin e pranoj, në komunikim publik dhe institucional.
Duke përmendur dokumentin 8 pikësh i cili është prezantuar nga mediat, Hamiti tha se le t'i sillet Kuvendit ky tekst, në mënyrë që të dihet se është ofertë zyrtare në këtë dialog. Nëse qeveria ka aprovuar dje një dokument që lidhet me dy ligjet bazike rreth këtij problemi, që është Ligji për Vetëqeverisjen lokale, dhe Ligji për bashkëpunimin ndërkomunal, të shohim a është ai dokument përtej këtyre dy ligjeve, të kemi kushtetutën dhe Parlamenti atëherë i thotë kryenegociatorit tonë jemi paraprakisht të informuar dhe të mbështesim ose jo për këtë. Dhe, kjo është logjika e komunikimit institucional, të Parlamentit të Kosovës, me grupin negociues për të qenë të gatshëm, pastaj nesër të rimarrim në përgjegjësi ato që mund të jenë marrëveshje me shkrim,me datë implementimi nga këto dialoge.
Ato që thuhen duhet të bëhen më letra, të shikohen, të lexohen, në bazë të detyrave që i ka,", tha nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti.
Deputeti Liburn Aliu, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se thuhet që kompetencat e komunave do t'i barten asociacionit dhe nëse këto kompetenca të komunave i barten asociacionit, kjo i bie që po krijohet një nivel i tretë, tha ai. "Kjo nuk është gjë tjetër, përveç se më tej se autonomia. Fillimisht i keni dhënë financat, përmes të ashtuquajturit fond për zhvillimin e veriut e që nënkuptonte burime të definuara të ndara të financave si dhe nivel të ndërmjetëm të menaxhimit e që është në kundërshtim më Kushtetutën. Pra, ky asociacion do të ketë burim të veçantë të financave, menaxhim të veçantë, pra ky është niveli i tretë. Dhe kjo për një territor që parashihej të definohej e që kishte të bënte me serbët. Pra i ndarë në vija etnike", tha Aliu.
Mes tjerash ai shtoi se kur bëhet fjalë për dhënie të kompetencave këtij asociacioni përmes komunave ku pastaj ky asociacion mund të ndërtojë marrëdhënie edhe me ndërkombëtarët e edhe me Serbinë drejtpërdrejt duke qenë i pavarur nga Prishtina. "Realisht i bie përtej autonomisë së vitit 1974 që e kishte Kosova nën Jugosllavi. Kosova pra po ndahet ne dy pjesë, pjesën serbe dhe në atë multietnike, ku njëra pjesë ka më shumë pavarësi sesa tjetra. Pjesës serbe nuk mund t'i imponojë askush asgjë, e as autoriteti qendror në Prishtinë, ndërsa pjesa tjetër multietnike mbetet e varur nga vetoja edhe për çështjet e brendshme nga pjesa serbe.
Këtu lere që nuk po kemi reciprocitet me Serbinë por as me pjesën serbe brenda Kosovës", theksoi Aliu, duke përfunduar se nga i tërë ky proces rrjedh normalizimi në mes të Serbisë dhe BE-së dhe abnormalizimi i Kosovës nga brenda dhe se rrjedh normalizim në mes të Thaçit e Daçiçit dhe abnormalizim i marrëdhënieve në mes të shqiptarëve dhe serbëve.
"Kështu në mënyrë ciklike me këtë mendësi, në negociatë pas negociate e pa kushte duke mos na njohur Serbia dhe ne duke zbatuar kompromiset njëanshëm do të vazhdojmë deri në momentin kur në Bëhemi plotësisht si Bosnja. Atëherë edhe Serbia mund të na njohë pasi edhe Bosnjën e njohu pasi e krijoi Republikën Serbe atje", tha deputeti Aliu.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se çfarëdo marrëveshje që arrihet është obligative që t'i ofrohet Kuvendit të Kosovës. Kurse, shefja e Grupit Parlamentar të KKR-së, Myzejene Selmani, duke përgëzuar kryeministrin për raportimin në Kuvend tha se kjo është në vijë me rezolutën e Kuvendit, tha se tashmë bisedimet me Serbinë janë në fazën më të ndjeshme, megjithatë shtoi ajo çështja e bisedimeve është për stabilizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve të pavarura. Ndërkaq, kërkoi shfuqizimin e rezolutës 1244 në mënyrë që t'i hapet rruga Kosovës për në OKB.
Pas një debati të gjerë të deputetëve lidhur me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohet në Bruksel, me ç‘rast u paraqitën vërejtje, shqetësime dhe sugjerime të shumta nga ta, fjalën e mori sërish kryeministri Thaçi. Me këtë rast ai tha se dokumenti përfundimtar do të sillet për aprovim në Kuvendin e Kosovës. Ai siguroi se asnjë dokument i cili është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës nuk do të jetë në Kuvend. Krejtësisht në fund ai tha se shqetësimet që u ngritën nga deputetët gjatë këtij debati do të trajtohen në mënyrë të përgjegjshme.
Më tej deputetët shqyrtuan dhe miratuan në parim Projektligjin për transplatimin e indeve dhe qelizave (të cilin e paraqiti dhe e arsyetoi ministri i Shëndetësisë Ferid Agani).
Ndërkaq, pas miratimit të Projektligjit për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve "Shota" dhe për Ansamblet e tjera, deputetët shqyrtuan edhe Projektligjin për veprimtari kërkimore, shkencore, inovacione dhe teknologji. Deputetët paraqitën shqetësime të shumta rreth këtij projektligji duke theksuar se ka ndryshime të mëdha procedurale dhe se ky ligj nuk do të jetë i implementueshëm, si dhe është në kundërshtim me rregulloren e punës së Kuvendit.
Edhe Kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, paraqiti disa nga shqetësimet e tij lidhur me këtë projektligj. Duke dhënë disa arsyetime pse nuk duhet të miratohet ky ligj, tha mes tjerash se duhet të bëhet një studim i vërtetë nëse mund të ketë ose jo kapacitete që të ketë agjension, si dhe cilat mund të jenë mundësitë e financimit. Andaj, shtoi Krasniqi nëse duhet një agjension i tillë le të bëhet një studim dhe të kemi një raport. Pastaj, mbi bazën e raportit të bëjmë një ligj të ri, tha ai.
Më pas deputetët miratuan këto projektligje: Projektligjin për veprimtari kërkimore, shkencore, inovacione dhe teknologji, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurinë e përgjithshme të produkteve, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet.
Më tej Kuvendi formoi edhe Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Po ashtu u formua edhe Komisioni Hetimor Parlamentar, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së, mbështetur edhe nga deputetë të tjerë. Kryetar i këtij komisioni u zgjedh Muhamet Mustafa, zv/ kryesuese Teuta Sahatqija, si dhe anëtarë: Ramiz Lladrovci, Behar Selimi, Fadil Demaku, Ali Sadriu, Visar Ymeri, Donika Kadaj, Suzan Novobrdali, Goran Marinkoviq dhe Albert Kinolli.
Ndërkaq, Kuvendi nuk arriti të sigurojë votat për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radha e komuniteteve joshumicë. Votimi do të bëhet në një seancë tjetër.