Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 27.03.2013
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi Safete Hadërgjonaj, kryetare, ka shqyrtuar disa projektligje dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e tij.
Në fillim, komisioni shqyrtoi vendimin e presidentes së Kosovës për kthimin e Ligjit për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, sipas të cilit, kërkohet riformulimi i nenit 4 të projektligjit, që ka të bëjë me përbërjen e aneksit të projektligjit.
Komisioni bëri ndryshimin e këtij neni dhe projektligjin e procedoi për miratim në seancë plenare.
Me një ndryshim, u përkrah edhe raporti me rekomandime për Projektligjin për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë.
Në vazhdim, komisioni përkrahu Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin dhe mbikëqyren e tregut, me amendamentet e komisionit funksional dhe i rekomandoi seancës plenare miratimin e tij.
U shqyrtua, ndërkaq, raporti me rekomandime i grupit punues për projektligjin për odat e profesionistëve shëndetësorë dhe amendamentet e komisionit funksional, ndërsa për shkak të paqartësive që bart ligji në aspektin financiar, komisioni u pajtua që kjo çështje të shqyrtohet serish nga grupi punues.