Lajmet e fundit

Nga tryeza e punës së Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Mërkure, 27.03.2013




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, në bashkëpunim me Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), organizoi sot tryezë pune me temën: Rëndësia e Politikave të Investimeve në Kosovë.

Tryeza u mbajt në hotel" Sirius", ndërkaq, përpos anëtarëve të Komisionit, në të merrnin pjesë edhe zv. ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Joe Preston, zv. kryeministrja dhe ministre e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane dhe asaj gjermane, Asociacioni i Bizneseve në Kosovë, përfaqësues të GAP-it dhe shoqata e OJQ-ve, fushëveprimtaria e të cilave ka të bëjë me këtë fushë.

Kryetari i Komisionit, Zenun Pajaziti, fillimisht falënderoi Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe INDEP-in për iniciativën e kësaj tryeze, ndërkaq, bashkëpunimin me këtë organizatë e vlerësoi si model edhe për organizata dhe shoqatat me fushëveprimtari të ngjashme. Duke iu referuar temës së debatit, Pajaziti me këtë rast vuri në dukje raportin" Të bërit biznes 2013", të Bankës Botërore, Raport ky i cili Kosovën e vlerëson si vend reformator dhe dinamik të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Sipas këtij Raporti, tha në vijim Pajaziti, mbrojtja e investitorëve në Kosovë ka shënuar ngritjen më të madhe në botë, duke e renditur për 76 pozita më lart. Për sa i përket legjislacionit, ai vlerësoi se nuk është në harmoni me rrethanat ekonomike në Kosovë dhe me legjislacionin e shteteve të BE-së.

Pas kësaj, fjalën e mori zv. ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Joe Preston, i cili vuri në pah rëndësinë e investimeve të jashtme për zhvillim të mirëfillt në Kosovë. Për sa i përket politikave të shtetit që përfaqëson , ai me këtë rast tha:" Anglia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit ekonomik. Integrimi në BE, është kyç për zhvillimin e ekonomik në Kosovë". Duke folur për faktorët që ndikojnë në stagnimin e zhvillimit ekonomik, Preston vuri në dukje gatishmërinë për luftë të pakompromis ndaj dukurive negative.

Për rëndësinë e politikave të investimeve në Kosovë, foli edhe ministrja e Ministrisë së Tregëtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila u fokusua në fushën e legjislacionit. Kosova, tha ajo, ka legjislacion që siguron investitorët e brendshëm dhe të jashtëm. Ligjet tha ajo, janë të shkruara shumë mirë, por ato nuk gjejnë zbatim të mjaftueshëm në praktikë. Këtë tha në vijim ajo, më së miri e vëren komuniteti i biznesit. Duke iu referuar Ligjit për investime të huaja, i cili i është kthyer Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për riamendamentim, ajo vlerësoi: " Nuk e konsideroj sukses kthimin e Ligjit", dhe shtoi se Ligji aktual me Ligjin e propozuar dallon në tri fusha. Ligji i propozuar tha në vijim ajo, është në interes të përmirësimit të ambientit biznesor dhe në interes të qytetarëve.

Përfaqësuesja e INDEP-it, Dita Dobranja, ndërkaq, prezantoi një analizë të bërë prej tyre. Kjo analizë kishte të bënte me legjislacionin ekzistues, përparësitë, mungesat dhe përmirësimet e mundshme. Këtë analizë, INDEP-i e ka bërë duke krahasuar me gjendjen e shteteve të rajonit, tha Dobranja. Konkluzionet e kësaj analize, të cilat i propozohen Ministrisë që të marrë masa kishin të bënin me këta faktorë: trajtimi korrekt i diasporës, trajtimi i barabartë i investitorëve, garancitë shtetërore dhe faktorë të tjerë që kanë ndikim në zhvillimin ekonomik.

Ndërkaq, kritik ndaj mundësive aktuale për zhvillimi të biznesit u shpreh Agim Shahini, nga Asociacioni i Bizneseve në Kosovë. Sipas tij, taksa doganore për lëndë të parë paraqet pengesë të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit, sikurse korrupsioni dhe burokracia administrative.

Opinionet e tyre lidhur me këtë, i paraqitën edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike Amerikane, Ardian Zeka dhe ai i Odës Ekonomike të Gjermanisë, Bardhyl Meta. " Nuk kemi vizion të qartë për zhvillimin ekonomik. Këtë e vërejmë tek çdo iniciativë, qoftë për privatizim ose ndërtim, e cila bëhet publike dhe ndërron pastaj", tha përfaqësuesi i Odës Ekonomike Amerikane, Ardian Zeka. Për moszbatim të legjislacionit, dhe pengesat që sjell kjo dukuri, foli Bardhyl Meta, nga Oda Ekonomike Gjermane, i cili, këtë realitet e ilustroi me fakte nga përvoja e tij.

Në vijim folën deputetët: Hashim Deshishku, Visar Ymeri dhe Teuta Sahatqija, të cilët përpos që kritikuan mundësitë jo të favorshme e të bërit biznes, u angazhuan në përmirësimin e kësaj situate. Sipas deputetit, Hashim Deshishku dhe deputetes Teuta Sahatqija, duhet ndërruar baza ligjore dhe duhet hequr tatimin doganor për lëndën e parë, ndërkaq, deputeti Visar Ymeri vlerësoi se Qeveria duhet të identifikojë fushën me prioritet të investimeve, duke krijuar mundësi më të favorshme për investitorët e brendshëm.

Për shkaqet e mos investimit të jashtëm, foli edhe Agron Demi nga GAP-i. Sipas tij, Kosova nuk është atraktive për investitorët e jashtëm për arsye se nuk ka kuadër të kualifikuar dhe treg të sigurt.

 

Nga tryeza e punës së Komisionit për Zhvillim Ekonomik...