Lajmet e fundit
Fjalë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajtur në manifestimin Java e Gruas 2013, mbajtur në Prishtinë
E Mërkure, 27.03.2013
Sot, në ambientet e hotelit "Emerald" në Prishtinë, u mbajt manifestimi "Java e Gruas 2013", organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës ( NDI ), me temë ‘Udhëheqja e fushatave të suksesshme".
Me këtë rast të pranishmëve iu drejtua kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr.Jakup Krasniqi.
Në fjalën e tij ai theksoi:
"Çështja e angazhimit të gruas në jetën politike, konsideroj se tani nuk është një temë e vështirë. Konsideroj se vështirësitë kryesore kanë kaluar dhe gruaja duhet të jetë edhe më prezente në shoqërinë tonë dhe në të gjitha sferat e jetës.
Kosova e lirë dhe demokratike i ka krijuar këto mundësi që vërtetë gruaja ta ndiejë veten jo vetëm të lirë, por edhe të barabartë dhe përgjegjëse për të ndihmuar avancimin e shoqërisë në Kosovë, në zhvillimin e demokracisë së Kosovës.
Kosova ka shumë sfida përpara të cilat sigurisht se nuk mund t'i kapërcejë gjysma e popullsisë, sfida tejkalohet kur angazhohen të gjitha grupet shoqërore në shoqëri dhe vetëm angazhimi i të gjitha grupeve shoqërore avancon shoqërinë në të gjitha drejtimet. Avancimi i gruas sot ka të bëjë me interesin e gjithë shoqërisë dhe vendit. Jo më kot populli ynë edhe pse ka pasur një fat të rëndë, të jetë shumë kohë i robëruar, rolin e femrës fillimisht në familje e ka vlerësuar drejt kur thotë se femra është shtylla kryesore e shtëpisë, familjes. Kjo ndoshta në ndonjë rast mund të interpretohet se është shtylla e vetme e familjes dhe duhet të jetë aty, por unë konsideroj se gruan tani duhet ta shohim si shtyllë të shoqërisë.
Gruaja shqiptare e ka dhënë kontributin e vet për të qenë e lirë, e pavarur, ndaj ajo duhet ta ruajë pozicionin e vet. Gruaja sot duhet ta ngritë zërin më shumë për emancipimin dhe lirinë tradicionale shqiptare duke synuar përtej saj.
Roli i gruas në vendimmarrje duhet rritur, por as kjo nuk bëhet duke ta falur dikush. Ajo duhet fituar edhe me vendosmëri. Nuk mund të konsiderohet e emancipuar një shoqëri, nëse nuk është e emancipuar gjysma e popullsisë, gjinia femërore.
Ne mund të ecim përpara mbi bazën që kemi krijuar gjatë shekujve. Ne me gjithë respektin që mund ta kemi për çdo etapë të historisë, sot e gjithmonë, një gjë duhet ta kuptojmë që gjatë këtyre 20 viteve të fundit ka avancuar shoqëria njerëzore.
Teknologjia e re e informimit ka krijuar aq mundësi sa gati fundi i vitit nuk mund të jetohet në atë mënyrën që është jetuar në fillimin e tij.
Roli i gruas në vendimmarrje duhet rritur, por as kjo nuk arrihet duke ta falur dikush, se njerëzit falin por ajo që falet është tepër pak. Ne si shoqëri dhe gruaja në veçanti duhet të marrë më shumë të drejta dhe ato merren me angazhim dhe vendosmëri. Ashtu siç e kemi fituar lirinë si komb dhe si shoqëri mendoj se duhet të ketë edhe gruaja një këmbëngulësi më të madhe në kërkesat e saj më të mëdha, pasi lirinë nuk e dhuron askush dhe nuk e falë askush.
Ne, edhe ju motra e zonja të nderuara, duhet të krijojmë kushte për të pasur një rol më ndikues në zhvillimin ekonomik të vendit. Baza e gjithë shoqërisë varet shumë nga zhvillimi ekonomik. Këtë nuk mund ta bëjë askush, sa e bën përfaqësimi më dinjitoz i gruas sot. Shoqëria jonë sot ka nevojë, nëse e përcjellim me vëmendje për një përfaqësim më dinjitoz të rolit të gruas, por ka nevojë edhe për një përfaqësim më dinjitoz edhe të burrit. Edhe gruaja, edhe burri duhet ta dinë se pa një përfaqësim më dinjitoz të tyre shoqëria nuk mund të ecë përpara.
Angazhimi në shoqërinë tonë demokratike, duhet të bëhet sipas vlerave politike, intelektuale, profesionale të kontributeve, por edhe potencialeve premtuese për sot e nesër.
Duke dëshiruar që për çdo organizim të këtij niveli gruaja, jo vetëm në Kosovë, po në gjithë rajonin tonë, të ketë të arritura me të avancuara dhe suksese të reja. Uroj gjithë të mirat për ju dhe familjet tuaja", u shpreh kryekuvendari Krasniqi.