Lajmet e fundit
Komisioni për Buxhet dhe Financa priti një delegacion të GIZ-it
E Marte, 26.03.2013
Komisioni për Buxhet dhe Financa ka pritur sot një delegacion të Organizatës për Zhvillim Ndërkombëtar (GIZ), i cili kryesohej nga Hans Joachim Preuss, drejtor i përgjithshëm menaxherial i organizatës, ndërkaq atë e shoqëronte edhe James Macbeth Forbes, drejtor i GIZ-it për Kosovë.
Kryetarja e komisionit, Safete Hadergjonaj, vlerësoi lart kontributin e shtetit gjerman për Kosovën, në veçanti mbështetjen që Projekti GIZ i ka dhënë dhe po i jep Komisionit për Buxhet dhe Financa, por edhe komisioneve të tjera parlamentare, nëpërmjet ofrimit të ekspertizës dhe mundësisë së shkëmbimit të përvojave përmes realizimit të vizitave studimore në shtetet rajonale dhe evropiane, zhvillimit të takimeve me komisionet homologe etj. Kryetarja Hadërgjonaj tha se këto kanë ndikuar në fuqizimin e punës së komisionit në shqyrtimin e legjislacionit dhe mbikëqyrjes së punës së ekzekutivit, në veçanti në fushën e sistemit të financave publike.
Preuss, nga ana e tij, shprehu admirimin e tij për të arriturat që ka bërë Kosova dhe për ndihmën që po ofron GIZ në fuqizimin e rolit të Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe të Kuvendit në përgjithësi.
Në takim ishte i pranishëm edhe Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti, i cili shprehu vlerësimin për ndihmën që ka ofruar Projekti i GIZ, nëpërmjet trajnimeve dhe ofrimit të ekspertizës, në ngritjen e kapaciteteve kadrovike të ATK-së, të cilat kanë ndikuar në rritjen e profesionalizmit të punës, ofrimin e shërbimeve për tatimpaguesit dhe në efikasitetin e ATK-së në inkasimin e të hyrave të brendshme buxhetore.
Ishte konstatim i përbashkët se bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duhet thelluar edhe më tej, nëpërmjet realizimit më të shpeshtë të takimeve të kësaj natyre.