Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

E Hënë, 25.03.2013




Përmbushja e rekomandimeve që dalin nga Raporti i Avokatit të Popullit (AP) për Ministrinë e Administratës Publike dhe asaj të Ministrisë së Administratës së Pushtetit Lokal, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, të kryesuar nga Suzan Novobërdali, kryetare e Komsionit. Raporti i AP-së për vitin 2011, ka të bëjë me implementimin e Ligjit për gjuhët dhe Ligjit për qasje në dokumente publike. Ndërsa, ministritë përkatëse përfaqësoheshin nga Sllobodan Petroviq, zv. kryeministër dhe ministër i Ministrisë së Administratës së Pushtetit Lokal dhe Fitim Sadiku, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Administratës Publike (MAP).

Për sa i përket implementimit të Ligjit për gjuhët dhe rekomandimeve që dalin nga Raporti i AP-së për Ministrinë e Administratës së Pushtetit Lokal, ministri Petroviq tha se rekomandimet janë duke u zbatuar në masën më të madhe, ndërkaq, me instalimin e" Softwerëve" të rinj ato do të gjejnë zbatim të plotë. Ai foli edhe për përkushtimin e Qeverisë dhe angazhimet e saj në dobi të zbatimit të Ligjit. Me këtë rast ai njoftoi se Qeveria ka formuar Zyrën për gjuhët, në kuadër të së cilës është formuar Këshilli me staf adekuat. Ky Këshill, tha i, në bashkëpunim edhe me komunat, është duke kryer me sukses edhe detyrat që dalin në Raportin e KE-së për Kosovën. "Qeveria është e përkushtuar për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve, në mënyrë që të kemi integrim sa më të shpejtë", tha Petroviq.

Duke iu referuar të njëjtës temë, në vijim foli Fitim Sadiku, sekretar i përgjithshëm në MAP. Ai tha se MAP-i, është ndër të parat që ka marrë të gjitha masat për të plotësuar obligimet që dalin nga Ligji për qasje në dokumente publike. Në kuadër të Zyrës për komunikim, njoftoi tutje Sadiku, është emëruar një zyrtar i cili merret vetëm me këtë çështje. "Deri më tani, kësaj Zyreje i janë drejtuar 33 kërkesa për qasje në dokumente publike dhe përgjigjja u është kthyer në afat ligjor", tha sekretari i MAP-it, Sadiku. Për t'ia lehtësuar secilit qytetarë qasjen më të lehtë në dokumente publike, tha në vijim Sadiku, kjo Ministri, me ndihmën e Departamentit të IT-së, ka hapur "linkun" e posaçëm për qasje në dokumente publike. "nëpërmjet këtij "linku", dokumentetet publike mund të kërkohen në të gjitha institucionet që janë pjesë e këtij Portali", tha Sadiku.

Në fund të debatit, anëtarët e Komisionit, u shprehën për bashkëpunim edhe më të mirë në të ardhmen.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...