Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Hënë, 25.03.2013




Në seancën e së enjtes, më 28 mars, kryeministri Thaçi do ta informojë Kuvendin e Kosovës për takimin e tij të shtatë me kryeministrin e Serbisë, në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Unionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshën Ashton. Kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, duke iu përgjigjur kështu pozitivisht gatishmërisë së kryeministrit për të raportuar lidhur me bisedimet me Serbinë.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për transplatimin e indeve dhe qelizave, kurse për herë të dytë do të shqyrtohen: Projektligji për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve "Shota" dhe për Ansamblet e tjera, Projektligji për veprimtari kërkimore, shkencore, inovacione dhe teknologji, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurinë e përgjithshme të produkteve, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet.

Në këtë seancë pritet të formohen: Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe Komisioni Hetimor Parlamentar (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së, mbështetur edhe nga deputetë të tjerë), lidhur me faturimin e energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës për muajin janar.

Në përfundim të seancës do të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radha e komuniteteve joshumicë. Si rëndom, ndërkaq, në fillim të kësaj seance të rregullt deputetët do të bëjnë deklarime jashtë rendit të ditës dhe do të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Në seancën e së premtes, më 29 mars, do të zhvillohet debat parlamentar për gjendjen ekonomike në Kosovë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vazhdim do të shqyrtohet Raporti i performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2011, kurse në përfundim të seancës do të zgjidhet një anëtar i Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media.

Kryesia në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar edhe një varg rekomandimesh dhe kërkesash. Kështu propozimin e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës për emërimin e një anëtari në Komisionin për Kërkesa Pronësore, Kryesia ia ka deleguar Komisionit për Legjislacion, duke e ngarkuar që të përgatisë për Kuvendin raportin me rekomandime.

Kryesia ka vlerësuar se kërkesa e deputetit Ramiz Kelmendi, i mbështetur nga deputetët nënshkrues, për debat parlamentar lidhur me ndryshimin e politikave fiskale në funksion të nxitjes, rritjes së prodhimtarisë vendore dhe zhvillimit ekonomik në tërësi, i plotëson kushtet për ta radhitur në seancën vijuese të Kuvendit.

Pasi është njoftuar me përfundimin e Komisionit për Legjislacion se kërkesa e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për debat parlamentar, lidhur me tjetërsimin e pronës publike dhe shoqërore gjatë periudhës 22 mars 1989 deri me 10 qershor 1999, dhe deklarimin për bazën ligjore të Propozim-rezolutës, është në pajtim me Rregulloren e Kuvendit, Kryesia ka mbajtur qëndrim që në mbledhjen e saj të radhës të vendoset se kur do të radhitet çështja për seancë plenare.

Anëtarët e Kryesisë, ndërkaq, kanë marrë njoftimin e deputetit Enis Kervan për lirimin e pozitës të nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit