Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Enjte, 21.03.2013
Ligji për shëndetësinë, çështja e kryeinspektores shëndetësore dhe problematika të tjera më të cilat përballet aktualisht sektori shëndetësor në Kosovë, ishin tema për të cilat ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka raportuar sot në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, të cilin e udhëhoqi kryetari Fikrim Damka.
Bazuar në një informatë e cila kishte ardhur në komision lidhur me problemet në Inspektoratin Shëndetësor, anëtarët e komisionit kërkuan sqarime shtesë nga ministri Agani dhe ndërmarrjen e masave për tejkalimin e tyre.
Duke u përgjigjur në çështjet e ngritura nga deputetët dhe shqetësimet e tyre rreth posedimit, njëkohësisht, të dy kontratave nga ana e kryeinspektores shëndetësore, Ardita Baraku, pra, si udhëheqëse e Inspektoratit të Shëndetësisë dhe specializante në shëndetësi publike, ministri Agani tha se kjo nuk përbën shkelje të ligjit dhe se Ministria e Shëndetësisë i ka respektuar dispozitat ligjore. Ai tha se organet përgjegjëse po merren me këtë çështje dhe në rast të lëshimeve eventuale, secili do ta marrë përgjegjësinë që i takon.
Shqetësim tjetër, sikurse i deputetëve, ashtu edhe i ministrit Agani, ishte raporti ndërkolegial ndërmjet kryeinspektores dhe inspektorëve.
Në vazhdim, ministri Agani dha informacione edhe sa i përket Ligjit për Shëndetësinë, i cili gjendet në Gjykatë Kushtetuese. Ai tha se në seancën dëgjimore ka dhënë të gjitha sqarimet e nevojshme dhe se shumë shpejt pritet që Gjykata të dalë me vendimin e saj.
Në vazhdim, u trajtuan edhe probleme të tjera me të cilat përballet sektori i shëndetësisë.
Në këtë mbledhje,komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për kontrollin e duhanit, pas kalimit të të gjitha procedurave të shqyrtimit në komisionet kryesore, duke tërhequr një amendament, bazuar në rekomandimin e Komisionit për Integrime Evropiane.
Projektligji me amendamente u procedua për shqyrtim të dytë në seancë plenare.