Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik... vizitoi ZRRE-në
E Enjte, 21.03.2013
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga kryetari, Zenun Pajaziti, vizitoi sot Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Komisioni u prit, nga Bordi i ZRRE-së, në krye me Enver Halimi, kryesues i Bordit, bashkëpunëtorët e tij, Përparim Kabashi, Blerim Koci, Merita Kostari dhe Krenar Bujupi, anëtarë të Bordit.
Temë qendrore e bisedës në këtë takim ishte pakënaqësia e qytetarëve lidhur me faturimin e energjisë për muajin janar, nga ana e KEK-ut.
Lidhur me këtë, përfaqësuesit e ZRRE-së sqaruan se pasojë e gjendjes së krijuar, është sistemi i " bllok tarifave", të cilin ZRRE-ja kohë më parë e ka miratuar si metodë të faturimit të energjisë së konsumuar. Ky sistem, sqaruan tutje ata, nënkupton tri nivele të faturimit: niveli i parë i cili është i limituar deri në 200 kilovatë (kw) të energjisë, niveli i dytë deri në 400 kw dhe niveli i tretë mbi 600kw të energjisë së konsumuar. Sipas përfaqësuesve të kësaj Zyreje, konsumatori është i obliguar të paguaj faturën në harmoni me nivelin e " bllok tarifave" sipas çmimit të përcaktuar nga ZRRE-ja për secilën kategori. Ky kategorizim, sipas ZRRE-së, është bërë me qëllim të lehtësimit të konsumatorëve, përkatësisht shtresës së varfër. Shkas tjetër i kësaj gjendje, ata thanë se është edhe leximi jo korrekt i njehsorëve nga ana e KEK-ut. " KEK-u, ka bërë lëshime gjatë faturimit të konsumatorëve", u shpreh Përparim Kabashi, anëtar i Bordit të ZRRE-së.
Në vijim të këtij takimi, u fol edhe për atë se në çmasë ZRRE-ja është e pavarur në ushtrimin e funksioneve të veta. Kjo temë u ngrit nga anëtarët e Komisionit, të cilët iu referuan deklaratës së ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Deklarimin e Beqajt se nuk do të ketë ngritje të çmimit të energjisë, anëtarët e Komisionit e konsideruan si ndërhyrje në kompetencat e ZRRE-së. Ndërkaq, lidhur me këtë, përfaqësuesit e ZRRE-së, siguruan Komisionin se janë plotësisht të pavarur në ushtrimin e funksioneve të veta në harmoni me Ligjin për rregullatorin e energjisë.
Përfaqësuesit e ZRRE-së, folën edhe për sfidat që i përcjellin, duke theksuar se paqëndrueshmëria financiare në sektorin energjetikë është ndër çështjet më të rënda, ndërkaq, po ashtu humbjet në këtë sektor i paraqitën se janë shumë të larta. "Humbjet e përgjithshme arrijnë në kuotën prej 38% (17% janë në nivelin e shpërndarjes dhe 18% humbje komerciale)".
Duke folur për planet e ZRRE-së në të ardhmen, përfaqësuesit e ZRRE-së thanë se do të vazhdojë të japin autorizime preliminare për prodhimin e energjisë së ripërtritshme, ndërkaq, do të përpiqen që të ulin humbjet e energjisë elektrike. Përfaqësuesit e ZRRE-së, me këtë rast iu përgjigjigjën edhe pyetjeve që shtruan anëtarë t e Komisionit.
Anëtarët e komisionit nga ana e tyre, i siguruan ata se do të kenë mbështetje të pakursyer në mënyrë që ZRRE-ja, të ushtrojë funksionin e saj në mënyrë të pavarur