Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 20.03.2013




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi Safete Hadërgjonaj, kryetare, ka shqyrtuar pesë projektligje, dy raporte vjetore të institucioneve të pavarura dhe një raport monitorimi.

Kështu, komisioni shqyrtoi Projektligjin për provimin e jurisprudencës, Projektligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë, Projektligjin për turizmin, me amendamente të komisioneve funksionale, si dhe Projektligjin për administrimin e punës në zyrë. Pasi konstatoi se amendamentet nuk përmbajnë kosto shtesë buxhetore, komisioni i përkrahu projektligjet dhe i procedoi tutje në Kuvend.

U përkrah, gjithashtu, edhe raporti me rekomandime për Projektligjin për sistemin e pagesave, pasi kishte kaluar të gjitha procedurat e shqyrtimit në komisionet e tjera parlamentare.

Në këtë mbledhje, u shqyrtuan edhe dy raporte të institucioneve të pavarura për vitin 2012: Raporti vjetor i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) dhe ai i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Raportet u prezantuan nga Safet Hoxha, kryetar i KRPP-së dhe Hysni Hoxha, kryetar i OSHP-së. Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, shtruan pyetje dhe ngritën një varg çështjesh lidhur me përmbajtjen e tyre.

Pas diskutimeve, komisioni përkrahu raportet dhe i rekomandoi seancës miratimin e tyre.

Gjatë kësaj mbledhjeje komisioni përkrahu edhe raportin e grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimi të Ligjit Nr.03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 03/L-221 dhe Ligjin Nr. 04/L-116.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa