Lajmet e fundit
Seancë solemne e Kuvendit, me rastin e vizitës së kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek
E Mërkure, 20.03.2013
Me rastin e vizitës në Kosovë të kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot seancë solemne, në të cilën kryeparlamentari turk ka mbajtur një fjalë rasti.
Fillimisht, kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, duke i uruar kryeparlamentarit Çiçek mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, tha se ardhja e tij në vendin tonë dhe këmbimet e vizitave të personaliteteve të larta të Kosovës dhe të Turqisë, është shprehje e qartë e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.
Kryetari Krasniqi tha se Republika e Turqisë është partner strategjik dhe mbështetëse e madhe e Republikës së re të Kosovës. Duke shprehur vlerësimin e lartë dhe mirënjohjen e thellë për këtë vend mik, kryetari i Kuvendit të Kosovës vlerësoi se kontributi i Turqisë në bilancin e rezultateve tona është shumë i madh.
"Ne angazhohemi për thellimin e zgjerimin e gjithanshëm të marrëdhënieve, me interes të përbashkët dhe presim të vazhdojnë ndihma diplomatike e Turqisë për njohjen e gjerë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, për aderimin e saj në organizata ndërkombëtare, për bashkëpunimin rajonal e fuqizimin e subjektiviteti ndërkombëtar të vendit tonë. Komuniteti shqiptar në Turqi dhe komuniteti turk në Kosovë, përbëjnë faktorë nxitës dhe ura afrimi midis dy vendeve tona", tha në fjalën e tij kryeparlamentari Krasniqi.
Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Çiçek, ndërkaq, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, tha se ndjehet i lumtur që po i drejtohet Kuvendit, i cili, sipas tij, është reflektimi më i mirë i përbërjes shumetnike dhe shumëkulturore të Kosovës.
Duke i uruar deputetët për 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Çiçek tha se sjell përshëndetjet e popullit dhe të qeverisë turke. Ai tha se që nga momenti i arritjes në Kosovë, është ndjerë si në shtëpinë e tij, ndërsa shprehu falënderimet për mikpritjen.
Duke bërë një përshkrim të të arriturave të Kosovës, kryeparlamentari turk tha se në përvjetorin e pestë të shpalljes së pavarësisë, Kosova ka arritur të ndërtojë institucionet e saj thelbësore shtetërore dhe ka bërë hapa të mëdhenj drejt integrimit në botën e moderuar.
"Padyshim që në këtë periudhë pesëvjeçare, suksesi më i madh që i ka konkretizuar sukseset e gjithmbarshme të Kosovës, është përfundimi i periudhës së pavarësisë së mbikëqyrur", theksoi kryetari Çiçek.
Duke u ndalur në marrëdhëniet ndërmjet dy popujve dhe shteteve, Çiçek tha se ekziston një bashkëjetesë e bazuar në shekuj, në një të kaluar dhe histori të përbashkët, e cila, siç u shpreh ai, është edhe arsyeja kryesore pse Turqia e çmon në këtë masë Kosovën. Në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shtoi Çiçek, gëzimi që është përjetuar në Kosovë, është përjetuar edhe në Turqi.
Në vazhdim të fjalës së tij, mysafiri nga Turqia tha se Kosova, si një partnere te besueshme e komunitetit ndërkombëtar dhe si një faktor paqeje e stabiliteti të qëndrueshëm në Ballkan, ka një rëndësi tejet të çmueshme. Prezencën e komunitet turk në Kosovë dhe atë të qytetarëve me origjinë nga Kosova në Turqi, ai e konsideroi një urë të madhe lidhëse ndërmjet dy popujve.
"Ju lutem, kujtojeni që Mehmet Akif Ersoy, autor i himnit kombëtar turk, i cili është simboli i pavarësisë së Republikës turke, është nga një fshat i Pejës. Ky është një shembull tipik i bashkëjetesës tonë", theksoi Çiçek, ndërsa konfirmoi përkrahjen e shtetit të tij për Kosovën edhe në të ardhmen, në të gjitha fushat.
Kur bëhet fjalë për ruajtjen e integritetit territorial, pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, kryetari i të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë me një sensibilitet të jashtëzakonshëm, meqë, siç tha ai, kjo është kyçe për të gjithë Ballkanin dhe më gjerë.
"Ruajtja e paqes dhe stabilitetit të përgjithshëm e të qëndrueshëm në mbarë Ballkanin, është ndër prioritetet e politikës së jashtme turke. Në këtë aspekt, rëndësia e Kosovës është e padiskutueshme", shtoi tutje Cemil Çiçek.
Duke u ndalur në gjendjen në veri të Kosovës, ai shfaqi besimin se zgjidhje e vetme e problemeve të tilla është dialogu dhe mbajtja hapur e kanaleve të komunikimit. Në këtë aspekt, ai përkrahu dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të cilin e konsideroi një mjet i mirë për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore e ndërshtetërore, midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe për integrimin e të dyjave vendeve në BE. Ai ofroi përkrahjen edhe për marrëveshjet e arritura gjatë periudhës së dialogut, duke shfaqur shpresën se ato të do të përmbushën në formën më të plotë.
Funksionari i lartë turk ofroi mbështetjen e shtetit të tij edhe në rrafshin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës e të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Në këtë drejtim, ai tha se Turqia po bën përpjekje aktive ndërkombëtare që Kosova te njihet nga sa me shume shtete të botes, duke besuar që numri i tyre së shpejti do ta kalojë 100-shin.
Duke u kthyer edhe njëherë në marrëdhëniet ndërmjet vendit të tij dhe Kosovës, Çiçek vlerësoi lart bashkëpunimin që parlamentet e të dyjave po e kultivojnë, nëpërmjet vizitave të ndërsjella të komisioneve, grupeve të miqësisë e të deputetëve. Në këtë rast, ai kujtoi dhe çmoi lart dy vizitat e kryeparlamentarit Krasniqi në Ankara, të cilat e konsideroi mjaft të frytshme.
Gjatë fjalës së tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryetari Çiçek u ndal edhe çështjet ekonomike, me ç'rast vlerësoi rritjen e bashkëpunimin ekonomik e tregtar ndërmjet dy vendeve. Duke folur për investimet turke në Kosovë, ai tha se shteti turk përkrah dhe stimulon çdo iniciativë të bizneseve të tij për investime në Kosovë.