Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek

E Mërkure, 20.03.2013




Kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim delegacionin parlamentar nga Turqia, i kryesuar nga kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek, i cili po qëndron në një vizitë në Kosovë, me ftesë të kryekuvendarit Krasniqi. Para se të fillojë takimi, delegacionit iu organizua një ceremoni mirëseardhjeje, ndërsa pastaj z. Cemil Çiçek u nënshkrua në librin e përshtypjeve.

Duke i uruar mirëseardhje homologut të tij, z. Cemil Çiçek, kryekuvendari Krasniqi shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, duke u shprehur se këto marrëdhënie në të ardhmen mund të avancohen në të gjithë lëmenjtë. Këtë po e dëshmojnë edhe këmbimet e shpeshta ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të të dyja shteteve. Të njëjtin vlerësim të këtyre marrëdhënieve e kishte edhe kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek, i cili theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Kosovës janë më shumë se zyrtare, ato janë marrëdhënie shpirtërore ndërmjet dy popujve. "Çdo përparim në Kosovë e mirëpresim. Këtu kanë ndodhur përparime të mëdha, që neve na bëjnë të lumtur. Kosovën tashmë e kanë njohur rreth 100 shtete,ndërsa ne do të angazhohemi që numri i njohjeve të pavarësisë së Kosovës të jetë edhe më i madh. Jemi në dijeni të vështirësive në shtetndërtim, ndaj do të jemi afër për të ndihmuar institucionet e Kosovës", theksoi z. Cemil Çiçek. Duke folur për rrjedhat aktuale në fushën e bashkëpunimit rajonal, z. Çiçek tha se Rajoni i Ballkanit ka vuajtur shumë, ndaj duhet t' i kthehemi të ardhmes, prosperitetit. Në këtë frymë ai theksoi se ruajtja e stabilitetit dhe pavarësisë së Kosovës është detyrë parësore."Të gjithë duhet të pajtohemi me realitetin e ri në Kosovë", u shpreh ai. Duke folur për çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai tha se me dialog mund të zgjidhen të gjitha problemet. Z. Cemil Çiçek i bëri një vështrim edhe angazhimit të Turqisë në shtimin e njohjeve të pavarësisë nga sa më shumë shtete të botës.

Duke u ndërlidhur me këtë temë kryekuvendari Krasniqi vlerësoi lart kontributin që Turqia jep për shtimin e njohjeve nga shtetet e ndryshme të botës, posaçërisht nga vendet islamike. Në vijim kreu i legjislativit të vendit foli për proceset aktuale shoqërore e politike në Kosovë. Kur është fjala për respektimin e të drejtave dhe lirive të komuniteteve, krahasuar me shtetet e rajonit, komunitetet në Kosovë kanë një status të avancuar. Ato gëzojnë të drejta edhe në jetën institucionale, duke aplikuar parimin e diskriminimit pozitiv. Duke folur për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryekuvendari Krasniqi tha se pritet që të arrihet një marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve."Është në interes të të dy popujve që bisedimet të përmbyllen dhe të krijohen raporte të reja. Kjo është edhe në interesin e serbëve në Kosovë dhe të shqiptarëve në Serbi. Kësaj rruge do të shkëputeshim nga e kaluara konfliktuoze. Në këto rrethana do të krijoheshin kushte për liberalizim të vizave dhe të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare deri në anëtarësimin në OKB. Kur është fjala për njohjet, ai tha se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e 5 shteteve të BE-së është një pengesë drejt integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Bashkëbiseduesit ishin unik në konstatimin se në kuadër të marrëdhënieve të gjithmbarshme ndërmjet dy vendeve, një vend të rëndësishëm kanë edhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike, si një parakusht i mirëqenies së qytetarëve

 

Kryekuvendari Krasniqi priti kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil ÇiçekKryekuvendari Krasniqi priti kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek