Lajmet e fundit
Komisioni për Integrime Evropiane dhe ai për Punë të Jashtme takuan Komisionerin Fule
E Marte, 19.03.2013
Anëtarët e të Komisionit për Integrime Evropiane dhe të Komisionit për Punë të Jashtme kanë pritur sot Komisionin për Integrime Evropiane dhe Komisionerin për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë z. Stefan Fule, me të cilin kanë biseduar për agjendën evropiane të Kosovës dhe për dialogun me Serbinë.
Duke i uruar mirëseardhje në Kosovës dhe falënderuar për gjithë angazhimet e tij të deritanishme në mbështetje të Kosovës, kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane , Lutfi Haziri, ka theksuar vullnetin e institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës për integrime evropiane dhe anëtarësim sa më të shpejtë në BE. Ai në këtë mes ka kërkuar të punohet ngushtësisht dhe me besim të plotë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për qartësimin e rrugës evropiane të Kosovës , e sidomos për përmbushjen e kushteve të Kosovës në për fillimin e procesit të asocim -stabilizimit dhe nevojën e ngutshme për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Albin Kurti, ndërkaq, është përqendruar në bisedimet me Serbinë duke theksuar se Kosova po kushtëzohet pa të drejtë, në rrugën e saj evropiane, me dialogun me Serbinë, të cilin e ka quajtur asimetrik dhe që ka të bëjë jo me marrëdhënie ndërmjet dy vendeve të barabarta, por me çështje të brendshme të Kosovës. Ai është shprehur i bindur se lëshimet që po i bëhen Beogradit , nuk do ta shpijnë Serbinë në rrugën e paqes, përkundrazi do t'ia shtojnë orekset për hegjemoni në rajon, e sidomos në raport me shqiptarët. Ai madje e ka quajtur të pabesueshme për qytetarët e Kosovës rehabilitimin me lehtësi të liderëve serbë: Nikoliq dhe Daçiq, të cilët, siç është shprehur ai, janë të një familje me Karaxhiqi, Sheshelin dhe Millisheviqin.
Kmisioneri për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë z. Stefan Fule, duke dashur të jetë sa më i hapur me parlamentarët e Kosovës, nuk e ka lexuar para tyre letrën përgatitur për takim ( atë ua ka dorëzuar në përfundim të tij), por ka bashkëbiseduar me nikoqirët për marrëdhëniet Kosovë- BE dhe për dialogun me Serbinë. "Ne nuk i zgjedhim përfaqësuesit e partnerëve tanë , por këtë e bëjnë qytetarëve e vendeve përkatëse" është shprehur Fule, duke marrë shkas nga fjala e Kurtit. Ai ka pohuar se nuk ka rezerva për dialoguesit në Bruksel, derisa të respektojnë rregullat e lojës, ndërkaq është shprehur i bindur për rezultatin e dobishëm të marrëveshjeve që priten, për qytetarët e të dy vendeve.
Duke folur për marrëdhëniet në zhvillim ndërmjet Kosovës dhe BE-së, Fule ka theksuar se do të zvogëlohen deri në shuarje të plotë kapacitetet e EULEX-it, ndërkohë që do të ndihmohen të ndihmohen institucionet demokratike të Kosovës, sidomos në planin e sundimit të ligjit. Ai ndërkaq ka theksuar se edhe në Beograd ekziston ajo ndjenja se po bisedohet për çështje të tyre të brendshme. "Alternativë e dialogut ka qenë injorimi i mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të ishte shumë e dëmshme", ka theksuar komisionari për zgjerim, i cili ka pohuar gjithashtu se bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të zgjasin për shumë kohë.
Petar Miletiq duke e vlerësuar shumë të rëndësishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, ka kërkuar që vendet e rezervuara për deputetët e komuniteteve pakicë të vazhdojnë edhe për dy mandate, në mënyrë që ato të integrohen në mirë në shoqërinë e Kosovës, kurse ka shfaqur pakënaqësi me mosardhjen nga policia e Kosovës , siç është shprehur ai, të asnjë rasti të krimit, ka pala viktimë janë serbët. Vendet e rezervuara kanë qenë kërkesë edhe e Emilia Rexhepit.
Donika Kadaj Bujupi ka ngritur shqetësimin për vonimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ku më së shumti po pësojnë të rinjtë dhe studentët tanë, kurse Sabri Hamiti madje i ka bërë thirrje BE-së me fjalët:
" Mos i vini në karantinë njerëzit e rinj të Kosovës!", e duke pohuar se më së shumti në këtë mes humbin studentët, artistët dhe njerëzit e tjerë kreativët Kosovës. Hydajtet Hyseni, ndërkaq ka apeluar që të mos bosnjezohet Kosova, duke tërhequr vëmendjen se rezultatet e dialogut mund të bëhen "casus beli" për konflikte permanente në rajon.
Ismet Beqiri ka kërkuar ndihmë më të madhe të BE-së për sa i përket sundimit të ligjit, duke ngritur shqetësimin për politizimin e institucioneve të pavarura, si BQK, AKM, etj, si dhe ndikimet politike mbi mediat.
Alma Lama dhe Suzana Novobërdali kanë theksuar se shumë vende të BE-së, tanimë janë të shqetësuara për privilegjet e pazakonta që u jepen në Kosovë komuniteteve pakicë, e duke kërkuar që të ndihmohet Beogradi zyrtar të lirohet nga hipokrizia, për gjoja cenim i të drejtave të pakicave në vendin tonë.
Berat Buzhala ka pohuar se nuk shkatërrohet shteti nga të drejtat me bollëk për pakicat por nga mossundimi i rendit dhe ligjit, si dhe nga prapambetja ekonomike e vendit, duke shtuar se ministrat duke u marrë vetëm me dialog, e kanë lënë anash qytetarin e Kosovës.
Duke shprehur kënaqësinë për këtë bashkëbisedim të hapur dhe miqësor, Komesioneri Fule ka premtuar vizita të tjera në Kosovë, të cilës i ka uruar mbarësi.