Lajmet e fundit
Vazhdim i mbledhjes së 14 marsit të Kuvendit
E Marte, 19.03.2013
Vazhdimi i sotëm mbledhjes së Kuvendit , i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti, vijoi me pikat e mbetura nga mbledhja e 14 marsit të këtij viti. Në rendin e ditës në fillim ishte shqyrtimi i Projektligjit për Agjencinë për krahasim dhe verifikim të pronës, mirëpo pasi për këtë pikë kishte përfunduar debati në mbledhjen e kaluar, u kalua menjëherë në votim, ndërsa me shumicë votash u përkrah në parim ky Projektligj. Seanca vazhdoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për produkte medicinale dhe pajisje medicinale, të cilin para deputetëve e prezantoi, ministri i Shëndetësisë, Farid Agani, i cili theksoi se ndryshimet dhe plotësimet që do të bëhen me këtë projektligj do të sjellin efekte pozitive në lëmin e kontrollit të plotë të produkteve medicinale. Me këtë Projektligj, theksoi ai, përcaktohen edhe kushtet e licencimit, ndërsa do të ketë edhe efekte pozitive në buxhetin e Kosovës. Një vend i posaçëm në këtë Projektligj i kushtohet edhe funksionalizimit të eksportit dhe importit të produkteve medicinave, u shpreh ai.
Në emër të Komisionit për Shëndetësi , Punë dhe Mirëqenie Sociale,foli Fikrim Damka, kryetar,i cili tha se ky komision vlerëson se Projektligji plotëson kushtet për miratim në parim, ndaj edhe rekomandon miratimin e tij. Në emër të GP të PDK-ës, Salie Mustafa përkrahu në parim këtë projektligj, duke e vlerësuar si ligj të një rëndësie të veçantë. Ajo bëri edhe disa vërejtje në disa nene të Projektligjit. Bahri Thaçi , në emër të GP të LDK-ës theksoi se Projektligji ndikon në rregullimin e sektorit farmaceutik dhe furnizimin me brana, duke e përkrahur njëkohësisht procedimin e mëtejmë të tij. Projektligjin në parim e përkrahu edhe Liburn Aliu në emër të GP Lëvizja Vetëvendosje. Në emër të GP të KKR-ës, Gëzim Kelmendi mbështeti miratimin në parim të Projektligjit. Në këtë frymë ai tha se ky Projektligj është me prioritet në aspektin e mbrojtjes shëndetësore, duke ditur se ka produkte të dyshimta në treg. Projektligji do të jetë një bazë që të bëhet pamundësimi i qarkullimit të produkteve të dëmshme. Edhe Myfera Shinik nga GP 6+, si dhe Aurora Bakalli nga Lëvizja për Bashkim përkrahën miratimin në parim të Projektligjit. Duke marrë pjesë në diskutim nënkryetari i Kuvendit , Xhavit Haliti tha se në tregun kosovar po lulëzon kontrabanda dhe evazioni fiskal, pastaj falsifikimi ilaçeve etj. Ai kërkoi që të shmanget qarkullimi i produkteve medicinale, të cilat nuk u përmbahen standardeve evropiane, të cilat rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Gjatë debatit, në kuadër të të cilit morën pjesë edhe Lutfi Zharku,Rita Hajzeraj dhe Shaip Muja u dhanë edhe vërejtje konkrete në disa nene të Projektligjit, duke theksuar se mangësitë do të evitohen gjatë shqyrtimit të Projektligjit në komisione.
Në përfundim të debatit Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për produkte medicinale dhe pajisje medicinale.
Shqyrtimin e parë të Projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, para deputetëve e prezantoi Dardan Gashi, ministër i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, i cili i bëri një vështrim të gjerë problematikës që ngërthen ky Projektligj, duke u ndalur sidomos në kushtet e procedurat e legalizimit të objekteve pa leje. Ndërkaq, rekomandimet e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, i paraqiti kryetari i këtij Komisioni Nait Hasani. Ai theksoi se pas shqyrtimit ky Komision ka përkrahur procedimin e këtij Projektligji për miratim në parim në Kuvend. Në emër të GP të PDK-ës për rëndësinë e këtij Projektligji foli, deputeti Nijazi Idrizi, duke theksuar se ky Projektligj ndërtimet e egra i trajton me kritere të buta, ndërsa pagesat për legalizim do të jenë të përballueshme. Në emër të GP të LDK-ës për Projektligjin foli Salih Morina, i cili duke i dhënë përkrahje kërkoi që të qartësohet çështja e ndërtimeve pa leje. Po kështu, ai kërkoi që të ndalet ndërtimi i objekteve pa leje në pronat publike, si dhe në tokat e klasit të parë dhe të dytë, në zonat arkeologjike etj. Liburn Ali duke folur në emër të GP Lëvizja Vetëvendosje theksoi se ky grup parlamentar do të votojë kundër këtij Projektligji, sepse ka shumë vërejtje parimore. Në këtë vështrim ai tha se duhet të vendosen kritere për ndërtime,pastaj në Projektligj nuk ka dallime ndërmjet ndërtimeve të mëdha e të vogla, si dhe ka nevojë që të definohen qartas kriteret e ndërtimit dhe çështja e posedimit të pronave. Në emër të GP të KKR-ës, Sevdije Lama e përkrahu në parim Projektligjin, ndërsa Jasmina Zhivkoviq, në emër të GP të SLS-ës paraqiti një vërejtje sa i përket mospërputhjes ndërmjet versioneve në gjuhën shqipe dhe në atë serbe. Ajo theksoi se nuk është këtu fjala për nuanca gjuhësore nga njëra gjuhë në tjetrën , por ka mospërputhje, të cilat po të mbeten ashtu vështirësojnë zbatimin e ligjit. Rasim Demiri, në emër të GP 6+ përkrahu në parim Projektligjin. Në debat morën pjesë edhe Bekim Haxhiu e Sadri Frati. Pas debatit Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Prezantimin e Projektligjit për blegtorinë në shqyrtim të parë, e bëri Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ndër synimet e këtij Projektligji, tha Stavileci, është ruajtja e cilësive gjenetike të racave të ndryshme të blegtorisë në Kosovë, cilësia e prodhimeve blegtorale, implementimi I standardeve mjedisore etj. Në diskutimin e tij, në emër të GP të PDK-ës, Nijazi Idrizi, theksoi se ligji ekzistues nuk ka qenë kompatibil me standardet evropiane. Me këtë Projektligji janë qartësuar kushtet e mbarështimit të kafshëve, ndaj ky Projektligj edhe mbështetet nga ky grup parlamentar, theksoi ai. Këtij Projektligji i dhanë përkrahje edhe Liburn Aliu, në emër të GP Lëvizja Vetëvendosje, Time Kadrijaj, në emër të AAK-ës dhe Rasim Demiri në emër të GP 6+. Sevdije Lama nga GP I KKR-ës pasi theksoi se ky sektor ballafaqohet me probleme të rënda, theksoi se e përkrah në parim këtë Projektligj. Nënkryetari Xhavit Haliti theksoi se me këtë Projektligj duhet të rregullohet çështja e kullosave , të cilat janë të gjithëkujt dhe të askujt, ndaj propozoi që në këtë vështrim Projektligji të parashohë zgjidhje adekuate. Pas debatit u miratua në parim Projektligji për blegtorinë.
Në vijim të seancës në rendin e ditës ishin dy projektligje në shqyrtim të dytë: Projektligji për transportin tokësor të mallrave të rrezikshme dhe Projektligji për ujërat e Kosovës. Rekomandimet për këto dy projektligje në emër të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, i paraqiti kryetari i Komisionit, Nait Hasani. U kalua pastaj në procesin e votimit, gjatë të cilit një pas një u aprovuan këto dy projektligje.