Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane

E Marte, 19.03.2013




Sot, në Prishtinë, u mbajt takimi i katërt i Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, në të cilën morën pjesë përfaqësuesit më të lartë shtetëror, nisur nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, zv. kryeministrat, Hajredin Kuçi, Sllobodan Petroviq e Behxhet Pacolli, ministra e zv. ministra të Kabinetit Qeveritar, lider të partive politike, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj.

Përfaqësues të politikës ndërkombëtare në këtë takim, ndërkaq, ishin komisioneri për Zgjerim i Komisionit Evropian, Stefan Fule dhe përfaqësuesi i BE-së për Kosovën, Samuel Zhbogar.

Këtë takim e kryesoi presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Duke folur për përparimin e reformave në kuadër të agjendës evropiane të Republikës së Kosovës, ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi me këtë rast, tha:" Jemi të vetëdijshëm se rruga e integrimeve drejt Bashkimit Evropian nuk është e lehtë. Gjithashtu, jemi të vetëdijshëm se Kosova në rrugën e saj ka bërë shumë dhe ka ecur në shumë drejtime, por, po ashtu jemi të vetëdijshëm se duhet më shumë punë". Në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj, tha në vijim Krasniqi, duhet një mbështetje dhe një mirëkuptim më i madh nga Bashkimi Evropian dhe institucionet e tjera evropiane. Duke folur për punën në Kuvendin e Kosovës dhe obligimeve që dalin për të në Raportin e KE-së për Kosovën, kreu i Kuvendit u shpreh: "Parlamenti gjatë këtyre viteve, veçanërisht gjatë viteve të pavarësisë, është angazhuar që të jetë një institucion i pavarur, ligjvënës, përfaqësues dhe institucion mbikëqyrës. Konsideroj se Kuvendi i Kosovës ka arritur të jetë një tempull i demokracisë dhe shtëpi e të gjithë përfaqësuesve politikë". Ndër angazhimet konkrete të Kuvendit, ai vuri në spikamë miratimin e Programit të Punës së Kuvendit, koordinimin e Planit të Punës së Kuvendit dhe Qeverisë, përkushtimin për reformën zgjedhore dhe amendamentet kushtetuese. Ai në vijim u shpreh:" Ashtu siç është paraparë edhe në dokumentet e BE-së, që të forcohet Departamenti i Legjislacionit për të qenë në shërbim të komisioneve dhe grupeve parlamentare, kemi krijuar edhe dy drejtori: Drejtoria për Hulumtime dhe Drejtoria për Standardizimin e Ligjeve". Një ndër çështjet, e cila në të ardhmen kërkon përkushtim edhe më të madh në realizimin e objektivave të Kuvendit, kryeparlamentari Krasniqi, vuri në dukje nevojën e një pune më të madhe të Kuvendit për mbikëqyrjen e institucioneve të pavarura dhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve. Duke iu referuar rekomandimeve nga Raporti i KE-së, e që kanë të bëjnë me Kuvendin, kryeparlamentari Krasniqi, tha se jemi duke punuar në mënyrë që Kuvendi i Kosovës të jetë, jo vetëm organi ligjbërës, por të jetë organi që mbikëqyr zbatueshmërinë e Ligjit dhe njëkohësisht kontrollon institucionet ekzekutive dhe institucionet e tjera të pavarura. Kuvendi i Kosovës, tha në vijim kryeparlamentari Krasniqi, në masën më të madhe ka kryer detyrat dhe përgjegjësitë që i ka me Ligj dhe me Kushtetutën e Kosovës. Duke folur për të drejtat e komuniteteve në Kosovë, ai vlerësoi se ato janë më të avancuarat, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Realizimi i të drejtave të komuniteteve në Kosovë, është model për të gjitha shtetet, tha kryetari i Kuvendit Krasniqi.

Kryeparlamentari  Krasniqi mori pjesë në takimin e  Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane