Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Hënë, 18.03.2013




Në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Blerand Stavileci, njoftoi për Programin Zhvillimor të bujqësisë për vitin 2013.

Kryetari i komisionit, Nait Hasani, fillimisht vuri në pah bashkëpunimin e mirëfilltë të Komisionit dhe Ministrisë, duke thënë se rezultatet e këtij bashkëpunimi tashmë janë evidente në të gjithë sektorët e bujqësisë.

Duke paraqitur Planin Zhvillimor të bujqësisë për këtë vit, ministri Satvileci, ndërkaq, njoftoi se Plani është hartuar në bashkëpunim me departamentet teknike të ministrisë dhe me shumicën e shoqatave të fermerëve në Kosovë. Ky Plan, tha në vijim ai, përbëhet nga dy shtylla: shtylla e parë (11,700,00 euro) e cila përfshinë skemën e pagesave direkte dhe shtylla e dytë (14,850,000 euro) që përfshinë skemën e granteve investive. Kësaj shume prej më se 27 milion euro, ministri tha se i shtohet edhe shuma tjetër prej katër milion euro nga Banka Botërore (BB) dhe një programi të DANIDA-s, po ashtu i mbështetur nga BB-ja. Objektivi i përgjithshëm i Programit, vijoi ministri, është përmirësimi i strukturës së fermave dhe rritja e produktivitetit, rritja e prodhimit dhe e cilësisë së prodhimeve bujqësore si dhe aftësia konkurruese e prodhuesve bujqësor. Sektorët në të cilët sipas këtij Programi është paraparë të investohet, ministri vuri në spikamë disa prej tyre: ristrukturimin e potencialit fizik në sektorin Agrorural, në shumë prej 6.650,000 euro dhe sektorin e Agropërpunimit dhe marketingut të prodhimeve bujqësore, në shumën prej 5, 500,000 euro. Ministri, po ashtu njoftoi se ky Program ka paraparë masa speciale për zonat më pak të zhvilluara. Për këto zona, Ministria nga Programi Zhvillimor kishte dedikuar 1, 500, 000 euro. Programi Zhvillimor i kësaj Ministrie prekë të gjitha fushat e bujqësisë dhe zhvillimit Rural, tha ministri, dhe përkujtoi me këtë rast se në vitin 2007, niveli i përkrahjes financiare për sektorin e bujqësisë ka qenë vetëm 300 mijë euro. Në vijim, ai foli edhe për sfidat që e përcjellin Ministrinë dhe shkaqet që ndikojnë në mos zhvillim edhe më të madh të bujqësisë. Lidhur me këtë, ai nënvizoi edhe buxhetin e pamjaftueshëm të kuvendeve komunale. Ndërsa, ndër prioritetet e Ministrisë, ai nënvizoi regjistrimin e bujqësisë dhe sigurimin e kulturave bujqësore.

Anëtarët e Komisionit nga ana e tyre, pasi falënderuan ministrin për njoftimin lidhur me Planin Zhvillimor të bujqësisë, e siguruan atë për mbështetje të mëtutjeshme .

 

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...