Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 18.03.2013
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare është vendosur që të martën, më 19 mars, të vazhdohet me dy seancat e fundit, të papërfunduara.
Të mërkurën, ndërkaq, Kuvendi do të mbajë një seancë solemne, të cilës do t'i drejtohet kryetari i Asamblesë të Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek.
Seanca e rregullt e radhës do të mbahet javën e ardhshme, më 28 mars. Pas pikave të përhershme të mbledhjeve të rregullta plenare të Kuvendit: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të merren me shqyrtimin e projektligjeve. Do të shqyrtohen për herë të dytë: Projektligji për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve "Shota" dhe për Ansamblet e tjera, si dhe Projektligji për veprimtari kërkimore, shkencore, inovacione dhe teknologji.
Në këtë seancë do të zhvillohet debat parlamentar për gjendjen ekonomike në Kosovë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vazhdim do të shqyrtohet Raporti i performancës së ndërmarrjeve publike, për vitin 2011, kurse në fund do të zgjedhet një anëtar i Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media.
Në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë ka mundësi të plotësohet ky rend dite me pika të reja për shqyrtim në seancë.
Duke e shqyrtuar kërkesën për ratifikimin e vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e universiteteve publike në Gjakovë, në Gjilan dhe në Mitrovicë, Kryesia ia ka deleguar atë Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji , Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, për të përgatitur për Kuvendin raportin me rekomandime. Anëtarët e Kryesisë, ndërkaq, janë shprehur të bindur se Kosova nuk ka kapacitete për mësimdhënie dhe menaxhim të gjashtë universiteteve publike dhe dhjetëra kolegjeve private.
Kryesia ka vlerësuar se kërkesa e deputetit Ramiz Kelmendi, i mbështetur nga deputetët nënshkrues, për debat parlamentar për ndryshimin e politikave fiskale në funksion të nxitjes, rritjes së prodhimtarisë vendore dhe zhvillimit ekonomik në tërësi, i plotëson kushtet formale, sipas Rregullores së Kuvendi, për shqyrtim në seancë plenare.