Lajmet e fundit

U mbajt Asambleja e Këshillave Rinore të Kosovës

E Shtune, 16.03.2013





Në takimin inaugurues të Asamblesë së Këshillave Rinore Komunale të Kosovës, të mbajtur sot në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Kosovës, merrnin pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, profesori i Universitetit Shtetëror të Arizonës, Stephen Batalden dhe drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Ilir Deda.

Duke përshëndetur asamblistët e rinj të Kosovës, kryetari i Kuvendit, Krasniqi fillimisht tha: "Dëshiroj që pengesat e gjeneratave tona, të mos i ketë brezi i juaj dhe brezat që do të vijnë pas jush". Duke iu referuar të kaluarës së vështirë nëpër të cilën ka kaluar populli i Kosovës, Krasniqi bëri thirrje që të mos mbetemi rob të saj, por, të përpiqemi të ndryshojmë të tashmen dhe të ardhmen, ku roli i të rinjve mbetet i pazëvendësueshëm. "Historia nuk duhet të jetë pengesë e zhvillimit", tha me këtë rast kreu i Kuvendit. Ai në vijim bëri thirrje për zhvillimin e demokracisë dhe të vendit në përgjithësi dhe për tolerancë ndëretnike. Demokracia, tha Krasniqi, është privilegj dhe përgjegjësi e mrekullueshme, ndërsa madhështia e saj qëndron në vlerësimin e ideve të kundërta.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jacobson, ndërkaq, duke shprehur kënaqësinë për prezencën e saj në takimin e parë të Kuvendit të këshillave komunal rinor, tha se për shtatë muaj të prezencës së saj në Kosovë është e mahnitur me të arriturat në ndërtimin e demokracisë dhe të institucioneve. Por, vijoi ajo, mbetet shumë punë për të bërë, sa i përket ndërtimit të një qeverisje gjithë përfshirëse që përfaqëson të gjitha segmentet e shoqërisë, pa marrë parasysh etnicitetin. Duke marrë pjesë në këtë program, vijoi, Jacobson, e keni treguar se keni energjinë dhe përkushtimin për të ndihmuar dhe ndërtuar vendin. "Kur po ju shohë juve delegatëve të rinj, e di se e ardhmja e këtij vendi është në duar të sigurta", tha Jacobson.

Asamblistëve të rijë, suksese me këtë rast i uruan edhe profesori i Universitetit Shtetëror të Arizonës, Stephen Batalden dhe drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Ilir Deda.

Pas kësaj, asambleja vijoi punën, me ç'rast u paraqitën nëntë rezoluta nga 11 komuna të Kosovës, e që kishin të bënin me avancimin e mundësive të të rinjve nëpër komuna. Pas debatit, asamblistët miratuan pesë rezoluta.

 

U mbajt Asambleja e Këshillave Rinore të KosovësU mbajt Asambleja e Këshillave Rinore të KosovësU mbajt Asambleja e Këshillave Rinore të KosovësU mbajt Asambleja e Këshillave Rinore të Kosovës