Lajmet e fundit
Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit
E Premte, 15.03.2013
Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës, e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi , kryetar i Kuvendit, ka filluar me mocione të ndryshme për vazhdimin e pikave të rendit të ditës të mbetura nga seanca e djeshme e ndërprerë, apo mbajtja e seancës së re, me rend dite të miratuar nga Kryesia e Kuvendit. Si përfundim është miratuar mocioni i Grupit Parlamentar të LDK-së, për mbajtjen e seancë të re, si dhe mocioni i Grupit Parlamentar të PDK-së për fillimin e seancës me pikën e dytë të rendit të ditës: Debat parlamentar për rastin Kiçina, sipas kërkesës së deputetit Ramiz Lladrovci, i mbështetur nga deputetët nënshkrues.
Parashtruesi i kërkesës për debat, Lladrovci, në fillim të fjalës së tij ka theksuar se debati i sotëm nuk ka për qëllim ndërhyrjen në punët e gjyqësorit, por pikërisht për ta ndihmuar atë duke ngritur e ndriçuar çështje që kanë të bëjnë me shkeljen e procedurave dhe të drejtave të njeriut,me këtë rast eklatant, për të cilin ka dyshime të shumta tek qytetarët e Kosovës. Ai ka theksuar se pa prova materiale , nëpërmjet dhunës, shantazhit, premtimeve e mashtrimeve, janë dënuar njerëz të pafajshëm pas vrasjes më 20 gusht 2001 të familjarëve të familjes Hajra. Lladrovci ka përmendur edhe emra të ish- inspektorëve serbë, të cilët e kanë konstruktuar rastin, ndërkaq para deputetëve ka prezantuar prova shfajësuese për të dënuarit e familjes Kiçina, të cilat qëllimisht janë fshehur në procesin gjyqësor për këtë rast.
Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi , ka theksuar ndjeshmërinë e rastit për të cilin po debatohej, por, duke përkujtuar ndarjen e pushteteve , ka pohuar gjithashtu se e mbështet prezumimin e pafajësisë. Ai ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës nuk ka kapacitete, por as të drejtë që ta vlerësojë drejtësinë.
"Rasti Kiçina është rasti më flagrant i shkeljes së të drejtave të njeriut, të ligjeve dhe procedurave ligjore në Kosovë, ka theksuar Albana Gashi, duke folur në emër të Grupit Parlamentar Vetëvendosje! Ajo ka theksuar faktin që i gjithë procesi është ngritur mbi një dëshmi të një të mituri, e cila është shpallur e pavlefshme nga Kolegji Penal Ndërkombëtar.
"Tema, për të cilën po debatojmë ka për qëllim që ta njoftojmë ministrin e Drejtësisë për rrjedhat e drejtësisë në Kosovë", ka theksuar Ahmet Isufi (AAK), ndërkaq edhe bashkëpartiaku i tij, Daut Haradinaj ka shprehur keqardhje pse shumë luftëtarë të UÇK-së mbajnë dënime të rënda në procese të montuara.
" Ky debat duhet kuptuar jo si ndërhyrje në drejtësi, por pikërisht debat në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut ", ka theksuar Rexhep Selimi, duke pohuar se institucionet e Kosovës vazhdojnë padrejtësinë e instaluar nga UNMIK-u.
, "Indiferenca për raste të tilla është pjesëmarrje në Krim", ka pohuar Hydajet Hyseni, kurse Bekim Haxhiu ka theksuar se me rastin Kiçina fillon, siç e ka quajtur ai, komploti kundër UÇK-së.
"Ushtarët e UÇK-së, nga lufta e këndej, nuk mbahen në burgje për atë që kanë bërë, por për atë që kanë mundur të bëjnë, ka theksuar Albin Kurti, duke shtuar se ky proces i padrejtë vërtetë ka nevojë për proces.
Haki Demolli, ndërkaq, ka tërhequr vëmendjen se Kuvendi nuk ka fare nevojë të përzihet në punët e pushteteve të ndara.
Në debat kanë marrë pjesë edhe deputetët: Fadil Demaku, Sala Berish Gjystina Pula, Berat Buzhala, Lutfi Haziri, Ganimete Musliu, Ramë Vataj, Blerta Deliu, Arsim Bajrami, etj.
Në përfundim të debatit, propozuesi i tij, Ramiz Ladrovci, ka kërkuar që të miratohen disa rekomandime , si dhe të krijohet Komisioni hetimor për ndriçimin e shkeljes së të drejtave të njeriut gjatë gjykimit të rastit Kiçina.
Në orët e pasdites deputetët kanë zhvilluar debat parlamentar lidhur me faturimin e shpenzimit të energjisë elektrike për muajin janar 2013, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kërkesën e ka arsyetuar deputetja, Teuta Sahatqija, e cila e ka shpjeguar gjithë kronologjinë e historisë së faturave të fryra të KEK-ut për muajin janar, shpërthimit të pakënaqësive të qytetarëve, si dhe reagimeve të Qeverisë, të Drejtorisë së KEK-ut, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, e të faktorëve të tjerë. Ajo ka pohuar se Drejtoria e KEK-ut nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim serioz për rregullimin e çështjes, kurse qytetarët e Kosovës nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga Qeveria, pos ndonjë deklarate tallëse të ministrit Beqaj për protestuesit. Duke u bazuar në një raport të ZRrE-së, për ngritjen e ankesave të qytetarëve për mbi 30 herë më shumë se muajve të tjerë paraprak, ka kërkuar shpjegime nga drejtoria e KEK-ut, si dhe ka kërkuar përgjegjësinë e Qeverisë për ngritjen e çmimit të energjisë, si dhe për furnizimin jo të rregullt të qytetarëve." Këto çështje kërkojnë funksionimin e shtetit në mënyrë që të mënjanohen nevojat për zgjidhjes së problemeve në lëmin e energjetikës", ka përfunduar Sahatqija, duke kërkuar krijimin e një komisioni ad-hoc për këtë çështje.
Duke e marrë fjalën në seancë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka theksuar se ministria të cilën e udhëheq krijon politikat zhvillimore të ndërmarrjeve publike, por nuk merret me menaxhimin e tyre. Ai ka pohuar se ZRrE-ja merret me çmimet e energjisë dhe për investimet në lëmin e energjisë, duke shtuar se kjo zyrë është dashur sot të paraqitet me një raport në këtë seancë. Ministri ka përmendur veprimet që ka marrë, si: krijimin e Komisionit ministror, i cili ka konstatuar gabimet që janë bërë gjatë faturimit të energjisë. Për këtë ka thënë se ka kërkuar nga Bordi i KEK-ut, shkarkimin e drejtorit ekzekutiv.
Deputetja Gjystina Pula ( PDK) ka folur për gjendjen e energjetike në Kosovë, për menaxhimin jo të mirë dhe shtretimin e energjisë elektrike gjatë periudhës së dimrit. "Kosova nuk ka vizion dhe nuk ka koncept dhe strategji zhvillimore të energjetikës ", ka thënë ajo, duke u shprehur kundër privatizimit të aseteve të KEK-ut, pasojat negative të të cilit veprim qytetarët e Kosovës sa vjen e do t'i shohin më qartë.
"Po debatojmë për një artikull monopol,të cilin nuk e rregullon tregu", ka theksuar Ali Sadria (LDK), i cili ka pikasur gjithashtu mungesën e vizionit të Qeverisë për zhvillimin e sektorit energjetik. Ndërlidhjen në sistem të kapaciteteve (termo)energjetike të Kosovës dhe ato (hidro) të Shqipërisë, e ka parë rrugën stabilizimit të këtij sektori.
"Politikat e Qeverisë janë ndikuese në ngritjen e çmimit të energjisë elektrike", ka theksuar Visar Ymeri ( VV), i cili ka pasur vërejtje edhe për ZRrE-së, e cila në raportin e saj nuk jep të dhëna për asetet e KEK-ut, të cilat do të mirëmbahen e të cilat janë privatizuar ose do të privatizohen në të ardhmen.
Teuta Haxhiu (AAK) i ka bërë pyetje sfidueseministrit Beqaj, duke marrë shkas nga fjala e tij fillestare :" ka pasur gabime- nuk kemi kompetenca", e duke shtuar se distribucioni i KEK-ut, është privatizuar në vlerën më të vogël se fatura mujore e shpenzimit të energjisë në Kosovë. Ajo sikur edhe diskutues të tjerë kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit.
Myzejene Selmani ( KKR) ka pohuar faktin se gabimet e KEK-ut në faturimin e energjisë elektrike ka qenë i zakonshëm edhe janarët e viteve të shkuar. Ajo ka theksuar faktin se ZRrE-ja , që i përgjigjet Kuvendit të Kosovës, ka konstatuar gabimet e KEK-ut.
Duke e marrë fjalën në seancë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka theksuar faktin se Kosova ka nënshkruar Traktatin për energjinë, prandaj ka kërkuar zhvillimin e drejtë energjetik të Kosovë, në mënyrë jodiskriminuese, duke e favorizuar energjinë elektrike alternative. Ai ka pohuar se protestat e qytetarëve, sloganet e pankartave që kanë bartur demonstruesit, na bëjnë të mendojmë më qartë për gjendjen e qytetarëve të Kosovës. Ai është shprehur edhe kundër bllok-tarifave diskriminuese ndaj konsumatorët familjarë.
Deputetja Hikmete Bajrami ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për gjendjen në sektorin e energjetikës dhe reagimin e arsyeshëm të qytetarëve, si dhe për tantiemën prej 3 euro për çdo ton të thëngjilli të nxjerrë, që ka ndikuar në ngritjen çmimit të energjisë elektrike.
Në këtë temë kanë debatuar edhe deputetët: Albulena Haxhiu, Xhevdet Neziraj, Emin Gërbeshi, Nazane Brecaj, Afrim Kasolli, , Zenun Pajaziti, Sabri Hamiti, Hashim Deshishku, Sadri Ferati, Arben Gashi, Bahri Thaçi, Ardan Gjini, Hydajet Hyseni etj.
Ministri Beqa u është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të deputetëve, herëherë edhe duke polemizuar me ta.
Teuta Sahatqija ka propozuar krijimin e një komisioni ad-hoc për çështjen faturave të KEK-ut dhe çështjeve që kanë të bëjnë me energjetikën.
Duke mos mundur të pajtohen nëse Kuvendi duhet ta formojë komisionin e kërkuar apo një komision hetimor , çështja ka mbetur të diskutohen në mbledhjen e kryesisë, ditën e hënë. Në ndërkohë edhe grupet parlamentare duhet t'i harmonizojnë qëndrimet.
Seanca e sotme dhe ajo e djeshme do të vazhdojnë ditën e martë.