Lajmet e fundit
Nga Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencionit Kosovar për Inteligjencë
E Premte, 15.03.2013
Analiza për procesin e sigurisë, ishte tema e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), të kryesuar nga kryetari i Komisionit, Florin Krasniqi.
Duke vënë në spikamë qëndrimin e tij rreth kësaj çështjeje, kryetari i Komisionit, Krasniqi tha se dëshiron që ky proces të përfundojë sa më shpejtë që është e mundur, duke mos u politizuar. Që ky proces të përfundojë, ai tha se i është drejtuar edhe kryetarit të Kuvendit. Ndërkaq, për tejkalimin e kësaj situate, sipas Krasniqit mbeten dy mundësi: që anëtarët e Komisionit të dërgojnë vetë formularët për verifikim në AKI, ose, të iniciohet ndryshimi i Ligjit që rregullon këtë çështje.
Në vijim të debatit, anëtarët e Komisionit iu referuan deklaratave të djeshme në mbledhjen plenare të Kuvendit, në të cilën kryetari i Komisionit të AKI-së, Krasniqi, kishte folur lidhur me këtë çështje. Këto deklarata, sipas anëtarëve të komisionit nuk përkonin me realitetin. "Deklarata e djeshme në mbledhjen plenare nga ana e kryetarit të Komisionit për Mbikëqyrje të AKI- së, ishte në shpërputhje të plotë me realitetin", tha nënkryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, Fadil Demaku. Qëndrim të ngjashëm paraqitën edhe anëtarët e tjerë të Komisionit: Burim Ramadani, Imri Ahmeti, Bekim Haxhiu, Haki Demolli dhe Ukë Rugova. Duke shprehur mospajtim me deklaratën e kryetarit të Komisionit të AKI-së, anëtarët e Komisionit, (përveç kryetarit, Florin Krasniqi), nëpërmjet votimit konstatuan propozimin e paraqitur nga deputeti Burim Ramadani, se është e paqëndrueshme deklarata e kryetarit të Komisionit, Florin Krasniqi rreth informatave deri në sekret që Komisioni merr nga AKI-ja. Kjo paraqet shkelje të Ligjit për klasifikimin e informacionit dhe verifikimit të sigurisë dhe shkelje të deklaratës së konfidencialitetit. Po ashtu, anëtarët e Komisionit shprehën mospajtim edhe me qëndrimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, të shfaqur dje në mbledhjen e Kuvendit.
Lidhur me këtë çështje, Komisioni do të debatojë edhe në mbledhjen e radhës.