Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 14.03.2013




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti, filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës. Me këtë rast deputetët ngritën çështje të ndryshme nga jeta shoqërore, ekonomike e politike. Deputeti Ymri Ahmeti kërkoi që të dihen arsyet e dorëheqjes së zëvendësdrejtorit të Agjensionit të Intelegjenës së Kosovës. Ai në vijim shtroi edhe çështjen e verifikimit të deputetëve, duke theksuar se kjo kërkesë e përcjell nëpërmjet kryetarit të Kuvendit nuk është drejtuar në këtë agjension. Lidhur me këtë kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi , theksoi se as Kuvendi,as deputetët,as komisionet dhe as të gjithë ata që merren me politikë nuk duhet të tregojnë nivel të ulët të potencës së tyre vendimmarrëse. Deputetët, theksoi kryekuvendari Krasniqi, janë të zgjedhur nga qytetarët e Kosovës, nëse vërtet janë zgjedhur nga ata. "Si kryetar i Kuvendit më është dukur nënçmuese që një institucion i tillë ende i pakonsoliduar dhe pa kompetencë të merret me verifikimin e deputetëve,sidomos kur është fjala për verifikimin e anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së. Ky është shkaku që më është dukur krejt e paarsyeshme që unë të kërkoj verifikim të këtillë. Agjensioni ka mundur ta bëjë këtë edhe pa kërkesën time, pasi shefi i Inteligjencës e ka ditur një kërkesë të këtillë të Komisionit. Nëse anëtarët e Komisionit kanë dyshim në vetvete se nuk mund të jenë anëtarë të këtij Komisioni, atëherë ata duhet të mos pranojnë që të jenë anëtarë të tij", tha kryekuvendari Krasniqi.


Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Inteligjencës, Florin Krasniqi, tha se edhe drejtori edhe zëvendësdrejtori i Inteligjencës janë përgjigjur në kërkesat e Komisionit. Ai kërkoi që të krijohet diçka kombëtare, të bëhet një agjension kombëtar jo i politizuar .


Seanca pastaj vazhdoi me pyetje parlamentare, në të cilat u përgjigjën: ministrat e resorëve përkatës:Ramë Buja, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, Besim Beqaj , ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme
Kuvendi vijoi punën me pikën- Shqyrtimi i amendamenteve 23 dhe 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuara nga Qeveria e Republikës, që kanë të bëjnë me çështjen e amnistisë dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Këto amendamente para deputetëve i arsyetoi zëvendëskryeminstri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi,i cili theksoi se Qeveria e Kosovës ka pasur orientim të kahershëm pavarësinë e gjyqësorit, duke u nisur nga çështja e zgjedhjes së gjyqtarëve në mënyrë ta pavarur. Ai tha se në përbërjen e Këshillit Gjyqësor do të jenë 7 gjyqtarë. Në vijim ai foli për Institutin e amnistisë si një kompetencë e Kuvendit. Çështja e amnistisë, theksoi ai, do të rregullohet me ligj të veçantë, i cili do të aprovohet me dy të tretat e deputetëve të Kuvendit. Kjo do të thotë se amnistia mund të bëhet vetëm në bazë të ligjit. Ndërkaq, amnistia mund të iniciohet edhe nga qytetarët.


Në vijim lidhur me amendamentet foli kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, i cili theksoi se amendamenti përkatës parasheh amnistinë, por kjo nuk do të thotë se me aprovimin e tij sigurohet amnistia, sepse kjo mund të bëhet vetëm në bazë të ligjit. Lidhur me këtë prezantim kishte vërejtje kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili tha se kryetari i Komisionit Arben Gashi nuk po e prezanton mirë qëndrimin e Komisionit, i cili e ka përkrahur këtë amendament.


Duke folur në emër të GP të PDK-ës, Arsim Bajrami tha se i jep mbështetje përfshirjes së institucionit të amnistisë në Kushtetutën e Kosovës, pasi në këtë mënyrë sigurohet një e drejtë qytetare e kushtetuese. Amnistia do të sendërtohet duke shmangur animet politike. Ai u shpreh për praktikën që në Kushtetutë të mos bëhen ndryshime selektive, por të bëhen ndryshime kushtetuese me Pako.


Vjosa Osmani (GP i LDK-ës) kërkoi disa sqarimi nga ministri i Drejtësisë Kuçi rreth përkitazi me përbërjen e Këshillit Gjyqësor, pasi nga 4 anëtarë që do të zgjidheshin nga Kuvendi , janë propozuar 2 .
Ardian Gjini (GP i AAK-ës) theksoi se duhet të angazhohemi për proces kushtetues, e jo të bëjmë amendamente në çdo tre - katër muaj.


Albulenë Haxhiu (Lëvizja Vetëvendosje) theksoi se ky grup parlamentar përkrah amnistinë si kategori kushtetuese. Mirëpo, ajo kërkoi që me këtë amendament nuk duhet të lejohet mundësia që të amnistohen pjesëtarët e strukturave paralele në veri. Myzejeni Selmani (GP i KKR-së),Jelena Pantiq (SLS) ,Myfera Shinik (6+) përkrahën amendamentet. Për këto amendamente u zhvillua një debat i gjerë. Pjesa dërmuese e diskutimeve përqendrohej në përbërjen e Këshillit Gjyqësor. Kishte angazhime që në këtë përbërje të përfshihen edhe anëtarë nga struktura e avokatëve dhe shoqëria civile.


Pas përfundimit të debatit u kalua në votim, sipas procedurës kërkoheshin që dy të tretat e përbërjes së Kuvendit të votojnë për, në mënyrë që amendamentet të aprovohen. Për amendamentin numër 23 u siguruan dy të tretat e votave, ndërkaq, për amendamentin 24 nuk u siguruan dy të tretat e nevojshme të votave. Në këtë mënyrë u aprovua vetëm Amendamenti 23 i Kushtetutës së Kosovës.


Në vazhdim të rëndit të ditës ishte pika - Zgjedhja e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Raportin me rekomandime të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me këtë pikë e paraqiti kryetarja e këtij Komisioni Safete Hadërgjonaj, e cila theksoi se janë përmbushur të gjitha procedurat ligjore rreth zgjedhjes së njërit nga kandidatët, përkatësisht, z. Bedri Hamza e z. Gani Gërguri për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.


Derisa pozita ishte për zgjedhjen e njërit nga këta dy kandidatë me votim të fshehtë, kryetarët e grupeve parlamentare të LDK-ës dhe Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht kryetarët e këtyre grupeve ishin kategorik se Bedri Hamza nuk bën të zgjidhej guvernator, pasi sipas Ismet Beqirit ishte eksponent i lartë politik i PDK-ës. Ai u shpreh se në këtë mënyrë si po veprohet, gradualisht po përfundohet cikli i shndërrimit të institucioneve të pavarura në të varura.Visar Ymeri gjithashtu theksoi se kandidati Bedri Hamza nuk plotëson kushtin e të qenit i pavarur dhe se ka biografi profesionale dukshëm më të varfër se kandidati tjetër Gani Gërguri.Të dy diskuuesit theksuan se grupet e tyre parlamentare do të bojkotojnë votimin dhe do të braktisin sallën e Kuvendit.


Ardian Gjini (AAK) theksoi se kandidati Bedri Hamza është person politik, ndërsa në vazhdim tha se ky grup parlamentar nuk do të lëshojë sallën, por do të votojë kundër. Sallën e braktisi edhe deputeti pa grup parlamentar, Muhamet Mustafa.Kryetarët e grupeve të tjera parlamentare përkrahën rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa.


Pas përfundimit të debatit , deputetet me shumicë votash zgjodhën Bedri Hamzën, guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.


Seanca pastaj vazhdoi me shqyrtimin e projektligjeve në shqyrtim të parë. Shqyrtimi filloi me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjarët e tyre. Megjithë mirëkuptimin për këto kategori të ndjeshme të qytetarëve, sipas kryetarëve të komisioneve për Shëndetësi , Punë dhe Mirëqenie Sociale, dhe asaj për Buxhet dhe Financa , përkatësisht Fikrim Damka e Safete Hadërgjonaj, por edhe pjesës më të madhe të diskutueseve dilte se rrethanat financiare që mbretërojnë në Kosovë, nuk mundësojnë realizimin e këtij ligji në praktikë, meqë zbatimi i Projektligjit kërkon kosto të lartë financiare. Diskutuesit, pos anës financiare gjenin edhe shumë mangësi të ndryshme të Projektligjit. Vlerësohej se askush nuk është kundër Projektligjit, askush nuk është indiferent ndaj dhunës së pashembullt që është ushtruar gjatë luftës, sidomos kundër grave ,por duhet shikuar se a ka mundësi të implementohet ligji , përkatësisht kur mund të fillojë zbatimi i tij.


Pas debatit të gjerë u miratua në parim Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjarët e tyre.

Në vijim u shqyrtua Projektligji për Agjencinë për krahasim dhe verifikim të pronës, të cilin para deputetëve e arsyetoi zëvendëskryemistrja Edita Tahiri. Në emër të Komisionit për Legjislacion, para deputetëve Projektligjin e prezantoi Arben Gashi. Ai tha se disa nene të Projektligjit janë në kundërshtim me Kushtetutën, ndaj Komisioni propozon që Projektligji të mos miratohet.Në emër të grupeve parlamentar:LDK,Lëvizja Vetëvendosje,AAK,KKR, përkatësisht Arben Gashi,Albulenë Haxhiu,Ardian Gjini dhe Gëzim Kelmendi ishin kundër miratimit të Projektligjit, ndërsa Halit Krasniqi në emër të PDK-ës dhe Petar Miletiq, në emër të SLS ishin për miratim në parim.


Pas këtyre diskutimeve seanca u ndërpre në mungesë kuorumi.

 

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit