Lajmet e fundit

U mbajt tryeza me temën:” Gratë me aftësi të kufizuara dhe integrimi i tyre në shoqëri”

E Mërkure, 13.03.2013




Grupi i Grave Deputete, përkrahur nga NDI, mbajtën sot një tryezë me temën:" Gratë me aftësi të kufizuara dhe integrimi i tyre në shoqëri. Në fjalën hyrëse udhëheqësja e kësaj tryeze deputetja Flora Brovina, tha se personat me aftësi të kufizuara janë kategori të cilën shoqëria jonë nuk ka arritur t' i krijojë kushte për t' u integruar në shoqëri , kurse gjendja e grave me aftësi të kufizuara është edhe më e rëndë. Madje edhe vetë ligjet si ai për Aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe ligjet tjera edhe pse janë mjaft të mira nuk po zbatohen sa duhet. Kryetarja e GGD-ës, znj. Teuta Sahatqija tha se GGD-ja është e përkushtuar që të zbatohen të drejtat ligjore të kësaj kategorie, sepse në këtë rast nuk është fjala për humanizëm, por për të drejtë. Deputetja Suzan Novobërdali tha se në Kosovë janë rreth 150 000 persona me aftësi të kufizuara,ndaj të cilëve shoqëria ka bërë pak, sidomos kur është fjala për përkrahje financiare për familjarët, asistencën , pensionin, por edhe trajtimin shëndetësor. Z.Gëzim Abazi nga "Hendikep Kosova" tha:"Jemi shumë larg me vendet tjera për t' u integruar në shoqëri duke filluar nga infrastruktura, madje edhe në institucione qendrore , hapësira shkollore, kuadri profesional në shkolla etj.


Përkrahësi i tryezës, drejtori i NDI-së në Kosovë, z. Alexander Chavarria, pasi përgëzoi GGD-ën dhe shprehu vullnetin për t'i përkrahur nisma e tilla tha se personat me aftësi të kufizuar në Kosovë kanë vështirësi të shumta, por kur është fjala për gratë e kësaj kategorie ato e kanë edhe më vështirë. Deputeti Bahri Thaçi shprehu nevojën për monitorimin e zbatimit të Ligjeve që kanë të bëjnë me Personat me Aftësi të kufizuara, duke insistuar që të bëhen përpjekje që të intervenohet në në shmangien e evitimin e . Ndërkaq, Vedat Bajrami nga MASHT theksoi:"Ne po angazhohemi që në shkolla të ketë gjithë përfshirje, prandaj edhe të krijojmë kushte për shkollim edhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara".

Mejreme Llumnica u shpreh se sa i përket personave me aftësi të kufizuara nuk po zbatohen konventat dhe ligjet. Edhe të shkolluarit nuk gjejnë punë, s'ka kujdes shëndetësor e rehabilitues. Drita Toperlaku foli për personat e shurdhër, kurse Bajramshahe Jetullahu nga Komiteti i Grave të verbëta të Kosovës foli për orientimin në hapësirë etj. Në diskutim morën pjesë edhe Valon Osmani,Njomza Emini, Resmie Rrahmani, Gjylnaze Golaj, Nazane Breca, Emiljia Rexhepi etj.

 

U mbajt tryeza me temën:” Gratë me aftësi  të kufizuara dhe integrimi i tyre në shoqëri”