Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
E Mërkure, 13.03.2013
Në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, të kryesuar nga Suzan Novobërdali, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq dhe këshilltarja e ministrit të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Selvie Halimi, u diskutua lidhur me përmbushjen e rekomandimeve që dalin nga Raporti i Avokatit të Popullit (AP) për këto ministri. Ligjeve që u referohet raporti i AP-së, kanë të bëjnë me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, me theks të veçantë, të fëmijëve, paaftësia e të cilëve është e përhershme.
Lidhur me këtë, ministri Rashiq, fillimisht sqaroi se Ministria që ai udhëheqë bën përpjekje të vazhdueshme për krijimin e kushteve sa më të mira për këtë kategori dhe zbatimin e ligjit në tërësi, por , për suksese më të avancuara në këtë fushë, ai vuri në dukje mungesën e mjeteve buxhetore. Ndër shkaqet e tjera që këtë ministri e bëjnë të stagnojë në përmbushjen e tërësishme të detyrimeve ndaj kësaj kategorie, Rashiq, theksoi mungesën e kodit e veçantë buxhetor, i cili do të ndikonte që mjetet buxhetore, të cilat u alokohen komunave nga Ministria, të shpenzohen në destinacione të këtij programi. Duke folur për të arriturat e Ministrisë, Rashiq vuri në spikamë standardizimin e të gjitha qendrave të rehabilitimit dhe aftësimit profesional. Për sa i përket skemave nga të cilat përfitojnë fëmijët me aftësi të përhershme të kufizuar, ministri Rashiq, njoftoi se aktualisht në Kosovë këtë të drejtë e gëzojnë 3030 fëmijë.
Në fund të paraqitjes së tij me këtë rast, ministri Rashiq njoftoi edhe për një Projekt, i cili pritet të implementohet gjatë këtij viti. Vlera e këtij Projekti, tha ai, është një milion euro dhe përkrahet edhe nga BE-ja. Qëllimi i tij, vazhdoi ministri, është rehabilitimi dhe punësimi i personave me aftësi të kufizuar. Ai iu përgjigj edhe pyetjeve që ngritën anëtarët e Komisionit.
Duke iu referuar të njëjtës temë, në vijim foli këshilltarja në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Selvie Halimi. Për sa i përket objektivit që synon të arrijë kjo Ministri në këtë fushë, ajo tha: "Ministria është e përkushtuar që të zhvillojë një arsim gjithëpërfshirës, nga i cili do të përfitojnë të gjithë nxënësit që ndeshen me pengesa shëndetësore". Sipas statistikave të kësaj Ministrie, në Qendra Burimore vijojnë mësimet 454 nxënës me aftësi të kufizuara, në klasa të bashkangjitura 545 nxënës dhe në klasa të rregullta janë të përfshirë 222 nxënës të kësaj kategorie. Ajo tutje njoftoi se MASHT-i, është kujdesuar që të gjithë fëmijëve me aftësi të kufizuara tua mundësojë transportin falas për vijimin e shkollimit. Numri i atyre që përfitojnë nga kjo është 999, të cilët vijojnë mësimet në Qendrat burimore dhe klasa të bashkangjitura, tha Halimi. Ajo, po ashtu njoftoi se kjo Ministri, është kujdesur që në të gjitha objektet shkollore, të të gjitha niveleve të shkollimit, kësaj kategorie t'i mundësohet qasje në objekte përdhese. Duke folur për lehtësirat që kjo Ministri ka krijuar për këtë kategori në universitetet publike, ajo vuri në pah disa prej tyre: ofrimin e materialeve dhe literaturës në shkrimin Braille, sigurimin e interpretorëve të gjuhës së shenjave për persona të shurdhër, e të tjera mundësi.