Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
E Marte, 12.03.2013
Ndonëse në mbledhjen e kaluar ishte hedhur poshtë kërkesa e kryeministrit Thaçi për të raportuar lidhur me bisedimet me Serbinë, ajo u përkrah sot nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Pëlqimin e tyre për të raportuar, deputetët e deklaruan pas mocionit të ngritur për këtë çështje nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Shefi i këtij grupi parlamentar, mocionin e paraqiti në fillim të mbledhjes, e cila zhvilloi punimet nën kryesimin e nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti.
Pas kësaj, fjalën e mori kryeministri Thaçi, i cili në paraqitjen e tij fillimisht vuri në pah takimin e tij me baroneshën Ashton, nën ndërmjetësimin e së cilës po zhvillohen bisedimet. Lidhur me këtë, ai nënvizoi se Ashton është e njoftuar me qëndrimin e palës kosovare dhe me të gjitha opinionet e liderëve politik në Kosovë. Ai, po ashtu njoftoi se për sqarime më të përafërta, Ashton gjatë ditëve në vijim (të enjten) do të vizitojë Kosovën. Vizitën e saj, kryeministri Thaçi e vlerësoi të rëndësishme dhe rast të mirë për të gjithë liderët që të njoftohen nga afër me këtë proces. " Për përkrahjen e baroneshës Ashton, mund të binden të gjithë gjatë vizitës që ajo do t'i bëjë Kosovës. Të gjithë liderët që kanë shqetësime, mund të marrin përgjigje nga ajo", tha kryeministri, Thaçi. Për sa i përket Asociacionit të komunave serbe, për krijimin e të cilit pala kosovare ka dhënë pëlqimin, kryeministri, edhe kësaj radhe siguroi deputetët se ai nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Sipas kryeministrit, Asociacioni i këtyre komunave, do të jetë sikurse asociacioni që aktualisht është funksional në Kosovë, në harmoni me Kushtetutën, ligjet dhe Kartën Evropiane për Qeverisje Lokale. Ky proces, tha në vijim kryeministri Thaçi, ka hyrë në fazën përfundimtare, i cili do të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse të garantuar nga Be-ja dhe SHBA-të. Një pjesë të fjalës së tij, kryeministri ia kushtoi edhe deklaratave të zyrtarëve serb. Lidhur me këtë, ai nënvizoi se ato janë gënjeshtra sikurse deklaratat e tyre të mëhershme me të cilat janë përpjekur që humbjet e tyre t'i paraqesin si fitore.
Pas kësaj, diskutuan shefat e grupeve parlamentare. Përfaqësuesi i PDK-së, Arsim Bajrami, procesin e vlerësoi të domosdoshëm, për të cilin po ashtu nënvizoi se ai duhet të sjellë shtrirjen e autoritetit faktik edhe në veri. Bajrami kërkoi që marrëveshjet e arritura, të garantohen nga BE-ja dhe SHBA-të.
Në emër të LDK-së, foli kryetari i këtij Grupi Parlamentar, Ismet Beqiri. Ai u shpreh se subjekti që ai përfaqëson, ka qenë dhe mbetet në favor të bisedimeve, por, tha ai, bisedimet duhet të përfundojnë me një marrëveshje e cila do të ishte në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Për sa i përket Asociacionit të komunave serbe, Beqiri shfaqi dronë se ato mund të ndikojnë negativisht në integrimin e komunitetit serb.
Qëndrimet e Grupit Parlamentar të VV-së, i paraqiti, Glauk Konjufca, i cili fillimisht kritikoi kryeministrin për jotransparencë në raportet e tij gjatë raportimit. Ai në vijim kritikoi mënyrën e zhvillimit të bisedimeve dhe u shpreh kundër themelimit të Asociacionit të komunave serbe. "Nëse kompetencat e asociacioneve serbe nuk do të kenë kompetenca më shumë se Asociacioni aktual, pse të mos jenë në kuadër të tij", shtroi pyetjen Konjufca. Duke shfaqur bindjen se logjika me të cilën janë duke u udhëhequr bisedimet, nuk është shtet-formuese, Konjufca po ashtu vlerësoi se formimi i Asociacionit të komunave në baza etnike është i dëmshëm për Kosovën.
Ardian Gjini, nga Grupi Parlamentar i AAK-së, ndërkaq, theksi se bisedimet duhet të kenë ndikim edhe në përafrimin e Kosovës me BE-në, e jo vetëm në normalizimin e raporteve me Serbinë. Në emër të KKR-së dhe SLS-së, qëndrimet i paraqiti, Myzejene Selamani dhe Petar Miletiq. Duke deklaruar mbështetjen e mëtutjeshme të KKR-së për dialogun, Selmani nënvizoi se ai duhet të zhvillohet në harmoni me ligjet e Kosovës, ndërsa Miletiq vlerësoi se bisedimet janë mënyra e vetme e normalizimit të raporteve në mes të dyja vendeve.
Pas kësaj, u hap debat lidhur me bisedimet, ku u vunë re dallime në qëndrimet e pozitës dhe opozitës. Me këtë rast, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kritikoi mënyrën se si udhëhiqet proçesi për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe i bëri thirrje Brukselit të braktisë këtë metodë dhe praktikë të bisedimeve.
Qëndrimet e veta i paraqitën edhe deputetët: Eqrem kryeziu, Vjosë Osmani, Rexhep Selimi, Visar Ymeri, Hydajet Hyseni, Shaip Muja, Teuta Sahatqija, Alma Lama, Halit Gashi e të tjerë, të cilët kërkuan dhe i bënë thirrje kryeministrit, që as një nga marrëveshjet të mos bëhet në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Pas fjalës së deputetëve, fjalën përsëri e mori kryeministri Thaçi, i cili u përgjigj në pyetjet dhe çështjet që u ngritën gjatë debatit. Lidhur me dyshime e ngritura se bisedimet do të rezultojnë në dëm të Kosovës, kryeministri, edhe me këtë rast i siguroi deputetët duke thënë:" Ne në takim kemi shkuar me platformë të çartë për bisedime. Kosova, kurrë s'ka qenë më e përgatitur për takime të tilla. Ajo ka Kushtetutën dhe ligjet e saj dhe bisedimet zhvillohen në nivele të barabarta". Duke u përgjigjur në pyetjen e ngritur nga deputeti Rexhep Selimi, për siç tha ai, amnistisë së elementëve të inkriminuar në krime, e që i përkasin pjesës në veri të Mitrovicës, u përgjigj zv. Kryeministri, përkatësisht ministri i Ministrisë së drejtësisë, Hajredin Kuçi. Lidhur me këtë, ai tha se për këtë lloj amnistie, duhet të vendosë Kuvendi me numrin e dy të tretave të deputetëve.
Pas kësaj, mbledhjen e përshkroi një debat i ashpër në mes të kryeministrit dhe deputetëve opozitarë, kryesisht të Vetëvendosjes, ku edhe kësaj radhe u vunë re mospajtime të thella në mes tyre.
Në pjesën tjetër të mbledhjes, të cilën e kryesoi kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, deputetët shqyrtuan Planin e Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit.
Planin e Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit, para deputetëve e paraqiti ministrja e Ministrisë së Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku. Me këtë rast, ndër të tjera ajo tha se miratimi i tij do të mundësojë krijimin e marrëveshjeve të Stabilizim- Asocimit me shtetet e BE-së. Pas kësaj fjalën e morën shefat e grupeve parlamentare, me ç'rast përpos Grupit Parlamentar të VV-së, të gjitha grupet tjera u deklaruan në favor të tij.
Pas kësaj, u miratua Programi i Punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2013 si dhe dy projektligje: Projektligji për avokaturën shtetërore dhe Projektligji për fondet pensionale të Kosovës.
Në fund të mbledhjes së sotme, po ashtu u shqyrtua edhe Raporti i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit kundër diskriminimit. Këtë Raport, në emër të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, e paraqiti kryetarja e këtij Komisioni, Suzan Novobërdali. Pas shqyrtimit të tij, deputetët me shumicë votash e miratuan atë, ndërkaq, shqyrtimi i Raportit të Punës së Komisionit për Reformën Zgjedhore për periudhën 22 prill 2011 deri më 29 gusht 2012, i paraparë që të shqyrtohet sot, u hoq nga rendi i ditës.