Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kuvendit
E Premte, 08.03.2013
Pas shterimit të pikave të rendit të ditës: Deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi nuk vijoi me procedimin e pikave të tjera të parapara për mbledhjen e sotme.
Gjatë pjesës së mbajtur të mbledhjes, të cilën e kryesoi kryetari Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, Grupi i Grave Deputete ngriti një varg çështjesh që kishin të bënin kryesisht me të drejtat e grave, ndërkaq, pyetjeve parlamentare iu përgjigjën anëtarët e kabinetit qeveritarë, përkatësisht ministrat: Besim Beqaj, Nenad Rashiq, Ferid Agani, Bajram Rexhepi dhe Fehmi Mujota.
Pas kësaj, deputetët paraqitën dy mocione: në emër të Grupit të Grave Deputete, Teuta Sahatqija, kërkoi që të shtyhet mbledhja e sotme, ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, kërkoi që në rend dite të hyjë Raporti i kryeministrit Thaqi, lidhur me takimin e fundit me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq.
Mocionin e paraqitur nga PDK-ja, e arsyetoi shefi i këtij grupi parlamentar, Adem Grabovci, i cili tha se kërkesa për të raportuar është në harmoni edhe me Rezolutën e Kuvendit lidhur me bisedimet me Serbinë. Këtë raportim, Grabovci e vlerësoi të rëndësisë së veçantë, dhe shtoi se kërkesa për të raportuar është e kryeministrit, Thaçi.
Lidhur me këtë mocion në vijim u deklaruan edhe shefat e grupeve parlamentare, përkatësisht, Ismet Beqiri, në emër të LDK-së, Visar Ymeri, në emër të VV-së dhe në emër të AAK-së, Ardian Gjini. Qëndrimi i tyre lidhur me këtë ishte se raportimi është i dobishëm, por, duke mos e cilësuar si çështje urgjente propozuan që ky raportim i kryeministrit të bëhet në një nga mbledhjet e ardhshme.
Ndërkaq, në favor të mocionit u deklarua, shefja e Grupit Parlamentar të KKR-së, Myzejene Selmani dhe disa nga partitë e tjera të koalicionit.
Për gatishmërinë e tij për të raportuar sot në këtë mbledhje, foli edhe kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. "Procesi po kalon në një moment vendimtarë, dhe ju duhet për të qenë të informuar", tha kryeministri Thaçi, në paraqitjen e tij me këtë rast. Ai tutje shtoi: "Dua tu drejtohem si kryeministër i vendit, e jo mbi baza partiake". Kryeministri, po ashtu tha se informimi lidhur me bisedimet që po zhvillohen në Bruksel, janë në interes të Kuvendit dhe qytetarëve, ndërkaq, insistimin e tij për të informuar sot e arsyetoj me agjendën e tij të ngjeshur në javën që vjen.
Pas kësaj, mocioni u hodh në votim, ndërsa rezultati i barabartë i votave, 41 me 41, bëri që mos të kaloi mocioni i propozuar nga PDK-ja.
Lidhur me mocionin tjetër, të cilin në emër të Grupit të Grave Deputete e paraqiti, Teuta Sahatqija, deputetët u deklaruan në favor të tij. Mocionin e paraqitur, ajo e arsyetoi me faktin se mbledhja e sotme ka rastisur me tetë marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Në këtë ditë, tha Sahatqija, duam që të jemi pranë atyre grave që në nuk mundësi të festojnë këtë ditë.
Mocioni gjeti mbështetje nga deputetët, ndërsa, kryesuesi i mbledhjes vendosi që vazhdimi i mbledhjes së sotme të jetë të martën nga ora dhjetë.